Harta e re gjyqësore/ Opozita kërkon seancë dëgjimore: Situatë shqetësuese! Manja: Ndarja e re krijon balancën e duhur

Deputetët e opozitës kanë kërkuar seancë dëgjimore me disa institucione drejtësie për hartën e re gjyqësore.  Ata sqarojnë se kanë marrë shumë mesazhe nga qytetarë të ndryshëm liidhur me mbylljen e gjykatave. Sipas 8 deputetëve të pakicës në Komisionin e Ligjeve, situata është shqetësuese sepse banorët duhet të udhëtojnë me kilometra të tëra për të shkuar gjykatën ku trajtohet çështja e tyre.

"Sot deputetët e PD Dhurata Çupi, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Bledion Nallbati, Dashnor Sula, Greta Bardeli, Fatmir Mediu, kanë kërkuar një seancë dëgjimore me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ministrin e Drejtësisë, Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit.

Deputetët e opozitës shprehen se kanë ndjekur me vëmendje diskutimet që kanë pasuar vendimin e datës 10.06.2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e “Hartës së Re Gjyqësore”. Deputetët kanë marrë mesazhe të shumta nga qytetarë të ndryshëm që shprehen të shqetësuar lidhur me mbylljen e gjykatave në qytetet e tyre. Veçanërisht shqetësuese mbetet situata për banorët që do t’iu duhen të udhëtojnë për kilometra apo orë të tëra për të mbërritur pranë gjykatës kompetente për gjykimin e çështjeve të tyre", thuhet në kërkesë.

Sipas deputetëve të opozitës, riorganizimi gjyqësor lidhet me një të drejtë themelore që ka të bëjë me aksesin në drejtësi, të garantuar nga neni 42 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë është detyrë e Kuvendit të analizojë dhe marrë në shqyrtim këtë çështje me interes për qytetarët.

Ish kryeministri Sali Berisha doli në deklaratë për mediat për ndryshimet në hartën gjyqësore duke thënë se Edi Rama po u bën ndëshkim qytetarëve pasi i privon nga një proces i rregullt gjyqësor. Ndër të tjera, Dhoma e Avokatisë ka marrë vendimin që të bojkotojë seancat gjyqësore në të gjitha shkallët e gjyqësorit nga dita e nesërme deri të premten. Të vetmet seanca që nuk do të bojkotohen janë ato ku jepen masat e sigurisë. Nëse ndonjë prej avokatëve nuk i bindet urdhrit për bojkot, do të merren masa deri në heqje të licensës.

13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky ishte përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është shtimi i një gjykate të shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr.

KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:37
Harta gjyqësore, reagon Manja: Sugjerimet e avokatëve të reflektuara në draft, bojkoti s’i shërben sistemit të drejtësisë

1653386572_ulsi.jpg

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u bën apel avokatëve që të reflektojnë lidhur me vendimin e tyre për të bojkotuar seancat gjyqësore për hartën e re gjyqësore. Në një prononcim ministri Manja sqaron se avokatët janë konsultuar me draftin e hartës gjyqësore dhe sugjerimet e tyre janë reflektuar në këtë draft i cili pritet të kalojë për miratim në Qeveri.

“Avokatët janë grup interesi i rëndësishëm që garantojnë mbarëvajtjen e procesit të rregullt ligjor në zinxhirin e sistemit të drejtësisë dhe si të tillë janë konsultuar me draftin e hartës gjyqësore gjatë fazës së konsultimit publik. Janë marrë në konsideratë disa sugjerime me vlerë që kanë ardhur edhe nga avokatia, të cilat janë reflektuar në draft, por riorganizimi gjyqësor është përgjegjësi e Këshillit të Lartë Gjyqësor si qeveri e gjyqësorit dhe e Ministrisë së Drejtësisë”, nënvizon Manja.

Ministri thekson se harta e re gjyqësore është me standarde evropiane dhe krijon balancën mes aksesit të qytetarit te drejtësia.

“Harta e re gjyqësore, referuar standardeve evropiane, zbatimit të ligjeve të reja të Reformës në Drejtësi dhe gjendjes së sistemit të drejtësisë, krijon balancën e duhur mes aksesit të qytetarëve te drejtësia dhe efiçencës së sistemit gjyqësor”, deklaron ministri.

Në prononcimin për ATSH, Manja thekson se bojkotimi i seancave gjyqësore nuk i shërben askujt, ndërsa apelon që avokatët të kontribuojnë në zbatimin e hartës së re gjyqësore.

“Ajo që ne presim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe çdo avokat është që të kontribuojnë në zbatimin e hartës së re gjyqësore pasi ajo të miratohet në Qeveri dhe të hyjë në fuqi. Bojkotimi i seancave gjyqësore nuk është zgjidhja e duhur dhe nuk i shërben askujt, as sistemit të drejtësisë, as avokatëve dhe aq më pak interesave të qytetarëve që mbrohen prej tyre. Si njerëz të ligjit, unë besoj se avokatët do të reflektojnë në vendimin e tyre pasi zbatimi i ligjit është emëruesi i përbashkët i yni dhe që i shërben drejtësisë dhe interesit publik”, shprehet Manja për ATSH.

Në përputhje me paketën e reformës në drejtësi, Këshilli i Lartë Gjyqësor ngriti një Grup Ndërinstitucional për të kryer vlerësimin e sistemit gjyqësor dhe për dhënien e rekomandimeve lidhur me mënyrën më të mirë të riorganizimit të gjykatave dhe kompetencave të tyre tokësore.

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi të shtunën hartën e re gjyqësore, në të cilën parashikohet një reduktim i numrit të gjykatave në vend.

Sipas hartës së re, vendi do të ketë 13 gjykata nga 22 që ishin më parë, ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë.

Ora 12:44
Harta e re gjyqësore, Berisha: Shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, u mhohet aksesi për drejtësi qytetarëve

‘Qytetarëve po u mohohet aksesi në drejtësi’! Kështu ka deklaruar ish-kryeministri Sali Berisha për ndryshimet në hartën gjyqësore, për të cilën thotë se është një ndëshkim i ri që Edi Rama po u bën qytetarëve. Sipas Berishës harta e rë gjyqësore privon qytetarët nga një proces i rregullt gjyqësor.

‘Harta e re gjyqësore është një ndëshkim i ri për qytetarët, një rrënim i të drejtës së qytetarëve shqiptar për një proces të rregullt gjyqësor. Pas përgjysmimit të gjykatësve dhe prokurorëve me pseudo reformën e sistemit të drejtësisë dhe vetingun e gjah shtrigave, Edi Rama urdhëroi në një akt të papërgjeshëm, KLGJ-në e partisë të mbylle 18 gjykata në shkallë vendi. Kështu e hartën e re gjyqësore mbyllen 9 gjykata të shkallës së parë dhe mohohet aksesi i qytetarëve të 9 qyteteve në sistemin e drejtësisë. Mbyllen 4 gjykata administrative. Mbyllen gjykata Apeli dhe mbetet vetëm i Tiranës. Praktikë kjo e dështuar. U është mohuar de fakto aksesi në sistemin e drejtësisë. Miratimi i hartës së re gjyqësore është një shkelje e rënë e të drejtave të njeriut. Gjykata në numër të konsiderueshëm të mbeten të pasksesueshme për qytetarët. Harta dëmton rëndë grupet vulnerabël. Ajo privon qytetarët shqiptar nga një proces si rregullt gjyqësor. PD dënon këtë projekt dhe kërkon anulimin e tij të menjëhershëm, pasi ky projekt ndëshkon dhjetëra e mijëra qytetarë, qindra e qindra avokatë dhe ekspertë. Mbi të gjitha ky projekt e përqendron vendimmarrjen në sistemin e drejtësisë në duart e dy-tre personave, të kryesuar nga i famshmi Sokol Sadushi'.’- tha Sali Berisha.

Ora 11:30
Avokatët e Lezhës në protestë për hartën gjyqësore: Fluksin e përballon vetëm Kurbini, ka më shumë çështje se SPAK sot

 

Miratimi i hartës së re gjyqësore nga KLGJ ka ngritur në protestë avokatët e Dhomës vendore të Avokatisë Lezhë. Ata protestuan këtë të hënë para gjykatës së Kurbinit, e cila referuar hartës së re gjyqësore, do të shkrihet dhe bashkohet me Lezhën. Avokatët paralajmërojnë bojkot të seancave dhe përshkallëzim të reagimit nëse kërkesat e tyre nuk do të merren në konsideratë nga qeveria.

"Gjykata e Kurbinit ka më shumë çështje se SPAK sot. Të gjitha ku do të shkojnë? Qyteti i Kurbinit ka një gjykatë, godinë që e përballon fluksin. Po të shkojë në Lezhë, nuk ka për ta përballuar fluksin që ka Lezha, jo më atë të Laçit, nuk ka shans. Si ka mundësi që në kohën e Enverit jemi cuar në Krujë, tani na çojnë në Lezhë. Qytetarët e Kurbinit për të marrë një vërtetim që kushton 2 mijë lekë, tani duhet të paguajë edhe 5 mijë lekë për të shkuar në Lezhë për të marrë kopjen e vendimit. Sa absurde është", tha një prej avokatëve.

Ora 10:59
Bojkot gjyqeve për 4 ditë në kundërshti të hartës së re gjyqësore/ Maksim Haxhia: Nëse avokatët nuk binden do merren masa deri në heqje të licencës

Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia ka folur për vendimin që kanë marrë për bojkotin e të gjitha proceseve gjyqësore në të gjitha shkallët e gjyqësorit në kundërshti të hartës së re gjyqësore. Të vetmet seanca që nuk do të bojkotohen janë ato ku jepen masat e sigurisë. Nëse ndonjë prej avokatëve nuk i bindet urdhrit për bojkot, Haxhia sqaron se do të merren masa deri në heqje të licensës.

"Nuk ka asnjë avokat të paqartë. Do bëjmë dhe kërkesë gjykatës që nuk do të marrim pjesë për shkak të këtij vendimi. Masat e sigurisë në mënyrë absolute nuk do të bojkotohen. Ne shpresojmë që kjo grevë të jetë kambanë për Ministrinë e Drejtësisë që të merren parasysh kërkesat tona që nuk janë të avokatëve, por të personave fizikë e juridikë. Nëse avokatët nuk i binden urdhrit të Dhomës të Avokatëve për bojkot, do procedohen ose do merren masa deri në heqjen e licensës. Nëse nuk do të merret parasysh, Komiteti Drejtues do mblidhet për të përcaktuar qëndrimin që do të ndjekim. Të gjithë janë pajtuar dhe nuk është asnjëheri që nuk ka rënë dakord. Kjo situatë nuk zgjidhet me një situatë që krijon akoma më shumë probleme", tha Haxhia.

Ndër të tjera bëri me dije se bojkoti do të nisë ditën e nesërme dhe do të zgjasë deri të premten. Haxhia tha se ndërgjegjësohen të gjithë ata që duan zgjidhje dhe të paktën të ketë një gjykatë apeli në Shkodër, një në Durrës ose Elbasan dhe një në Fier ose Vlorë. Në rast se nuk merret parasysh, atëherë do të mblidhen sërish për qëndrimin që do të mbajnë.

"Lidhur me projekt draftin e hartës gjyqësore dhe qëndrimin e vlerësuar. Të premten, KLGJ mori vendimin për miratimin e draftit me një ndryshim të vetëm. Tashmë ishte realitet që tavolinat kanë qenë farse propagandistike. Në këto kushte vendosëm të bojkotojmë të gjitha proceset në të gjitha nivelet e gjykimit, përfshi Gjykatën e Lartë. Procesi fillon nesër dhe mbaron të premten. Me këtë bojkot synojmë të sensibilizojmë të gjithë shtetasit se duhet ta kenë të qartë të gjithë personat fizik dhe juridik që nëse duan të kenë zgjidhje të cështjeve gjyqëosre, të ndërgjegjësohen duke dhënë mesazhin që interesat e tyre nuk po përfaqësohen, përkundrazi kjo hartë cënon rëndë aksesin në drejtësi të individëve dhe personave juridik dhe rrit kostot dhe shpenzimet", tha Haxhia.

13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky ishte përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është shtimi i një gjykate të shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr.

KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë. 

/Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • flori: 14/06/2022 14:25

    Keta avokatet ja fusin kot. nuk kuptohet perse protestojne. na jane ber kto licensat e ktyre me shume se kafene-te. keta kan hall se ju rriten shpenzimet qytetareve nderkohe vet qytetaret as nuk po thone asgje. Asnje grup interesi tjeter nuk proteston, vetem keta. Po mire le ti ulin cmimet keta meqe kan hallin e qytetareve se paguajne shume. per mua do ishte mire qe rreth 70% e avokateve qe jane mos te kishin em fare license se vetem seksera jane. kot e mbajne titullin avokat

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Në Afrikë dhurojnë miell dhe vaj, FSHF 'lë thatë' fituesin e Superkupës së Shqipërisë

Në Afrikë dhurojnë miell dhe vaj, FSHF 'lë thatë' fituesin e Superkupës së Shqipërisë