Gjatë viteve të jetës në Selanik rastësisht gjeta një faqe gazete ku përshkruhej vrasja e Hasan Prishtinës në këtë qytet. Gjëja e re që mësova gjatë leximit ishte se Hasan Prishtina ishte vrarë më 13 gusht dhe jo më 14 gusht 1933 siç kemi mësuar nga historianët e ndryshëm që kanë shkruar për figurën e Hasan Prishtinës. Duke lexuar këtë gazetë mësova se vendi ku është qëlluar mbi Hasan Prishtinën ishte vetëm 50 m larg nga vendi im i punës, afër ndërtesës së Mitropolisë së Selanikut. Mund të kaloja në atë pjesë të rrugës rreth 5-6 herë në ditë.

Gazeta greke “Maqedonia e Re” (Makedhonika Nea) e datës 14 gusht 1933, një ditë pas vrasjes së Hasan Prishtinës, shkruante për ngjarjen që tronditi Selanikun më 13 gusht të vitit 1933. Gazeta e asaj kohe shënonte se Hasan Prishtina është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve”. Kjo ndërtesë u ndërtuar me porosi të Hafiz Beut për shtëpi banimi dhe më 1924 e bleu Hasan Prishtina.
Gazeta e kohës përshkruan vdekjen tragjike të atdhetarit, politikanit të madh Hasan Prishtinës. Në faqet e gazetës shkruhej: “Një tjetër vrasje që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 38 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtinën.

Vrasja u krye në orën 2 pasdite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhaneja “IVI” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J. Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të pa përshkruar mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes.

Hasan Prishtina, i mposhtur nga plagët, u dërgua ndërkohë në Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia. Në orën 2.50 minuta pasdite oficeri Sotiriu nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e njeh gjuhën greke. Ai u përgjigj se njeh gjuhën shqipe, frënge dhe gjuhën turke. Vrasësi Ibrahim Çelo nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgar-maqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun.

Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregtar frutash, ishte i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë. Atje u njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ishte shpërngulur në Nikea për hir të çlodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare. Gjatë njohjes midis tyre Hasan Prishtina i kishte treguar për rininë, vështirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe Bullgari.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.07.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)