Vaslav Havel, një jetë e jashtëzakonshme. Në elitën politike antikomuniste emri i tij qëndron në krye. Ai i kishte të gjitha cilësitë e simbolit të liderit demokrat: intelektual, shkrimtar, filofoz, politolog dhe burrështetas. Havel e ngriti staturën e tij përmes kurajoz dhe disidencës; disa herë i burgosur, autori i manifestit të Kartës 77 nuk hezitoi asnjë moment të jetës së tij të luftojë për të drejtat dhe parimet demokratike.

Ai udhëhoqi revolucionin paqësor të vitit 1989 në Çekosllavaki, unanimisht u zgjodh President i fundit i këtij shteti dhe dy vjet më vonë President me dy mandate në shtetin e ri çek. Në vitet e disidencës, në krijimtari, në rezistencën politike, në revolucion, në tranzicion, në krye të shtetit të bashkuar e të ndarë, - ai mori dhe  meritoi vlerësimet më të larta të një lideri politik në një vend postkomunist.

Pas mandatit presidencial iu kushtua politikës europiane, të drejtave të njeriut dhe vlerave qytetare. Për shqiptarët, mbetet unik veprimi i tij aktiv në pritjen e emigrantëve të mabasadave 1990 dhe sidomos për mbrojtjen e promovimin e çështjes së Kosovës. Havel është politikan çek, por modeli i tij i ka kapërcyer kufijtë e një vendi. Çdo politikan do ta citojë, çdo vend ka përkthyer botime të tij, çdo organizatë apo universitet serioz do të donte ta kishte pjesë të tij. Një hero i gjallë, një simbol disidence antikomuniste, një frymëzim për kurajon dhe virtytet, një mendimtar politik progresist, një politikan human që jetoi me moton “e verteta dhe dashuria duhet të prevalojnë mbi gënjeshtrën dhe urrejtjen”. Pas 18 dhjetorit 2011 nuk jeton më. Po ne shqiptarët, a mund të kishim / a kemi një Havel? Cili ishte ai intelektural që kapërceu kohën, dëshmoi kurajo dhe sakrifikoi liritë e tij për parimet demokratike? A kemi ne një figurë shpirtërore dhe simbol antikomunist? Kam frikë se jo. Ndofta sepse martirët tanë u vranë në vitet e para të komunizmit, ata që u burgosën i mbajtëm të izoluar nga shoqëria, aktet individuale të disidencës u përzien me interesa individuale për shërbime paralele ndaj regjimit, revolucioni ynë demokratik nuk erdhi nga disidenca e organizuar, dhe flamurin antikomunist e pronësuan dhe e tundën më shumë se kushdo ish komunistët e periferisë së bllokut. Prandaj Havel mbetet një simbol (i munguar) edhe për ne, siç edhe Shqipëria dhe modeli ynë mbetet akoma shumë larg nga modelet demokratike të skicuara nga burrështetas si Vaslav Havel.