Henri Çili i quan sahanlëpirës
Zheji e Bushati inatosen

Henri Çili i quan sahanlëpirës<br />Zheji e Bushati inatosen
“Pronarë- mercenarë- intelektualë”. Botuesi i Mediave Mapo, Henri Çili, iu përgjigjet ashpër ish-drejtorëve Artur Zheji e Alfred Lela për ndryshimin e linjës editoriale të gazetës.  

Sipas Çilit, Zheji e Lela sipas kontratave të firmosura nga të dy palët kanë marrë pagesat e premtuara, por kanë dështuar në realizimin e zotimeve të marra në këto kontrata. Po kështu Henri Çili tregon se Zheji sulmon sot Ramën për shkak se nuk e bëri Drejtor të RTSH, siç ka qenë dikur. Madje Çili shkruante mes të tjerash se ai kishte lobuar te kryeministri Rama, që Zheji të bëhej drejtori i RTSH-së.

Por kjo deklaratë e Çilit ka sjellë reagime nga analistët, ku nuk është përmbajtur Artur Zheji e Andi Bushati.
 
Henri Çili: Sahanlëpirësit
Sqarimet për ish-drejtorët Zheji e Lela
 
Fillimisht sqarimet mbi ish-drejtorët e MAPO-s dhe miqtë e mi, Artur Zheji dhe Alfred Lela. Nuk ka pasur asnjë përfundim kontrate me Artur Zhejin për efekt të ndonjë presioni apo elementi tjetër që lidhet me cenimin e lirisë së shtypit, por ka pasur një përfundim strikt në afatin e duhur, me të gjithë termat e plotësuar nga ana ime të një kontrate me shkrim, të mirëdetajuar, mbi pozicionin e drejtorit të Botimeve MAPO, që përfshinte një detyrë më të madhe; përfaqësimin e linjës editoriale të botuesit, sigurimin e objektivave të caktuar me tirazhin, klikimet apo me marketingun dhe marrëdhëniet publike të kësaj logoje.
 
Në përfundim të kësaj kontrate, me qëllime qartësisht menaxheriale dhe aspak të lirisë së mendimit, Zheji mori nga unë një ofertë për të vazhduar të ishte opinionist i gazetës MAPO me honorare mjaft të përshtatshme, disafish më shumë nga pagesat normale zyrtare të shtypit shqiptar; për shkak të konsideratës apo subjektivitetit dhe miqësisë. Kjo është e vërteta e përfundimit të kontratës me zotin Zheji, për të cilin duhen bërë edhe dy saktësime të tjera. Po, ai ka pasur një pagesë shumë të lartë, të deklaruar, të taksuar dhe transparente, përfshirë në marrëveshjen përkatëse për t’i dhënë një drejtim menaxherial një medieje, e cila pas tri viteve të para të jetës u provua se ekonomikisht ishte e pamundur të dilte me fitim dhe e trajtuar nga viti 2013 si një donacion i Fondacionit MAPO.
 
Këto pagesa kanë qenë të larta, por gjithsesi jo aq sa e shet Zheji veten – 120 mijë euro në vit- por kanë qenë në total në 6 vjet bashkëpunim në formate të ndryshme në formë honorarësh, pagash apo bonusesh në shumën rreth 250 mijë euro- të shtrira në 6 vjet- dhe e kam bërë me vetëdije, për shkak se gazeta ishte e re dhe kishte nevojë për një impuls, duhej krijuar ex nuovo dhe për faktin se besoja se menaxhimi i mediave nga profesionistë, në një paketë editoriale-menaxheriale ishte një nga kushtet e lirisë së shtypit.
 
E dyta, jo vetëm që nuk ka asnjë kontekst të përfundimit të kontratës të zotit Zheji prej linjës editoriale, por ka një kontekst të interesit personal të Artur Zhejit në lidhje me kryeministrin aktual. Është interesi i tij për t’u zgjedhur drejtori RTSh-së dhe në momentin që kjo nuk u realizua kemi sot një Zheji nga një avokat i mazhorancës Rama-Meta në një prokuror të kryeministrit Edi Rama, çka është e drejtë e tij, siç është e drejta ime të them se e vetmja herë që kam folur me Edi Ramën për Artur Zhejin është lobimi im për Zhejin si drejtor i RTSh-së dhe e vetmja fjali që kam dëgjuar nga kryeministri Rama është: e kam parim, nuk e kthej asnjë njeri dy herë në të njëjtën detyrë.
 
Të njëjtën paketë trashëgoi edhe Alfred Lela, duke nisur nga data 31 mars e vitit të kaluar, identike e me të njëjtët terma. Dhe me të njëjtët terma në fund të vitit 2016, pasi konstatuam mosrealizimin e saj në ata terma përkatës dhe pasi kreva të gjitha detyrimet e mia, i dhamë fund kësaj marrëveshje menaxheriale, duke marrë siç e pohon edhe vetë Lela propozimin për të qenë komentator i lirë në gazetën MAPO në mendimet e tij të lira.
 
T ë dy ish-drejtorët e MAPO, Zheji e Lela sipas kontratave të firmosura nga të dy palët kanë marrë pagesat e premtuara, por kanë dështuar në realizimin e zotimeve të marra në këto kontrata.
 
Meqenëse Zheji është një lojtar i sprovuar i medias shqiptare, me biografinë e tij për të cilën ka mendime nga më të ndryshmet, lidhur me Lelën ia vlen të sqaroj premisat jashtëzakonisht pozitive të kësaj figure të re të medias shqiptare, por të shpreh keqardhjen mbi të paktën një keqkuptim në lidhje me arsyet e mosvazhdimit të kontratës me MAPO.
 
Por ilustrimi më bastard i këtij fenomeni është Andi Bushati. Ky i fundit, duke i dhënë vetes të drejtën, të shajë, ofendojë e përgojojë këdo, është ndoshta domethënia e kësaj game apo fenomeneve që folëm më lart. Ky sahanlëpirës i tavolinave të pronarëve të tij për gati 20 vjet, befas u zgjua një ditë dhe në një mënyrë të pafytyrë për çdo etikë njerëzorë edhe për rrugaçin e lagjes, u ngrit duke thyer çdo kod njerëzor ku kishte lëpirë sahanët e pronarëve të deritanishëm për të ndërtuar një profil moralist dhe inkuizitor. Bushati për shembull fantazon se si mua më kishte thirrur në zyrë Edi Rama dhe më kishte kërkuar sakrifikimin e Alfred Lelës dhe sipas kësaj logjike më lind e drejta të fantazoj se në një moment të vetmisë së tij prej amatori, dështaku dhe ziliqari t’i ketë dalë në ëndërr kjo gjë, këtij nipi të shokut Hysni dhe kolopuçi që e përkëdhelte dikur Enver Hoxha: U bë ky Çili nga Labinoti, apo ky aksh nga filan katund apo ky tjetri nga filan malësi të jetë pronar, të ketë pasuri, të ketë status! Pikërisht kështu dhe vetëm kështu mund të shpjegohet një mllef i kësaj natyre, i këtij pinjolli të dështuar dhe të paemancipuar të Bllokut, bashkuar ndoshta me një etje dhe zili shtesë që i vë qershinë mbi tortë të gjithë këtij grupi intelektualësh, kryesisht me origjinë nga ish-Blloku dhe qeverisja komuniste; djemtë e ministrave dhe anëtarëve të Byrosë politike dhe nuk ka rendësi të persekutuar apo jo, që komunizmi i gjeti në burg apo Bllok. U bë ky Edi Rama të bëhet kryeministër! Është krejt qesharake dhe asgjë më shumë ky ilustrim i faktit që shumëkush në këtë qytet nuk e pranon rezultatin e kapitalizmit, garës, konkurrencës, së djersës, punë së ndershme, respektim të ligjit dhe konkurrencën mbi bazën e meritave brenda hapësirave të sistemit.
 
Këta punistë, këta ziliqarë, këta humanistë të pamëshirshëm, të rremë, këta priftërinj të rremë të publikes, të mësuar dhe të ilustruar në jetën e tyre ndoshta me çdo kompromis dhe poshtërsi janë duke mbjellë në shoqërinë shqiptare një mllef të pashembullt ndaj kujtdo, dhe nuk e kanë me kriminelin, me hajdutin, abuzuesin, por e kanë me sipërmarrësin si kategori, e kanë me kapitalizmin, pra, e kanë me lirinë.
 
Shkurt dhe thjesht, ky është falsiteti i debatit aktual për lirinë e shtypit në Shqipëri. Është çështje krejt tjetër, kapitalizmi dhe liria. Por ai është vendosur, aq më tepër që në Amerikë na fitoi dhe Trump-i.

Artur Zheji -Çilit: Mos më bë të humbas qetësinë time filozofike dhe të të nxjerr sekretet

Por kjo deklaratë e Çilit ka sjellë reagime nga analistët, ku nuk është përmbajtur Artur Zheji.
Zheji e quan gënjeshtar dhe i kujton se ishte pikërisht ai që e kishte ulur Henrin në një tryezë me Ramën në vitin 2013.
 
“Henry ka dalë vetë në sulm për tu mbrojtur dhe për të baltosur. Henry i dashur, të them vetëm një fjalë të shkurtër dhe paralajmëruese: Mos gënje dhe mos mendo rrejshëm se qetësia ime filozofike e deri djeshme, do të më ndalojë të hap kutinë e thellë të sekreteve të tua, të cilën etika nuk ma lejon ende. Debati ynë nuk ka qenë menaxherial, por thjesht dhe pastër i natyrës editoriale. Interesat e tua e donin që Rama dhe mbështetja që more nga Reforma në Arësim, direkt prej tij, të shpërbleheshin”, shkruan Zheji.
 
“Të kam ulur unë për drekë me Ramën disa muaj përpara zgjedhjeve 2013, për të të hequr nga lista e hakmarrjes së tij të nesërme.
 
Ti e di shumë mirë se çfarë lobimi dhe beteje kam bërë për ty në rastin e Doktoraturave…
 
Por ti ke lindur ambicioz dhe i pangopur. Kërkesa jote editoriale, për të qenë pjesë e hymnizimit të Ramës dhe demonizimit të të gjithë të tjerëve, ishte për mua e papranueshme. Sepse kam ca kode, që ti nuk i njeh dhe nëse merr dijeni, i refuzon, në emër të parasë…” shkruan Zheji.
 
Më tej, Zheji e keshillon të mos zhytet më thellë në kënetën e përfoljes dhe të ruhet nga paniku.
 
“Kjo dhe është këshilla ime e fundit, përpara se sa të harroj “mikun” Çili dhe të merrem me të panjohurin Henry” perfundon Zheji.

Andi Bushati: Unë nuk përçmoj fshatarin, por modelin e tij…

Edhe analisti Andi Bushati ka reaguar me një status të shkurtër, pas një replike të Henri Çilit në drejtim të tij.
 
“Të përçmosh Henri Çilin si model, nuk do të thotë të përçmosh fshatarin që ishte i aftë të ndryshonte dhe emrin për të pasur sukses dhe pasuri në qytet, ashtu sikurse kërkon të vetë viktimizohet ai.
 
Të kesh neveri për modelin e tij do të thotë të përçmosh ata që shërbyen si zagarë të gardistëve në 21 janar, që u sollën si bandë vjedhësish votash pak muaj më pas, që i’u lëpinë Berishës e Bashës deri në qershor 2013 dhe që tani brohorasin për fitoren e Ramës në 2017 si një reformator i madh”, shkruan Bushati.

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën