Hetim atyre që dhanë licenca 
dhe atyre që i shitën diplomat

Hetim atyre që dhanë licenca <br />dhe atyre që i shitën diplomat
TIRANE - Çdokush që lejoi shit-blerjen e diplomave dhe licencoi universitete “fantazmë” do të shkojë përpara drejtësisë. Në një dalje për mediat, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla shpjegoi procedurat që po ndjek ministria për dosjet e abuzuesve dhe i është përgjigjur akuzave të opozitës për uljet e kuotave të reja. Në një tjetër raport në të cilin paraqiteshin të tjera fakte rrënqethëse për gjendjen e institucioneve të arsimit, Nikolla ka paraqitur nëpërmjet imazheve gjendjen e një filiali publik dhe sallën e studimit të një universiteti privat.

Duke premtuar transparencë në çdo ndërhyrje që do të bëhet në sistemin arsimor, ministrja siguroi se çdo kush që ka abuzuar duke shitur dhe blerë diplomat do të përballet me ligjin. “Duam të krijojmë një sistem arsimor transparent që në thelb të saj të ketë përgatitjen e brezave të rinj për tregun e punës dhe jo krijimin e një tregu diplomash, prandaj para përgjegjësisë do vihen të gjithë ata që mbyllën sytë, shkelën ligjin, shitën e blenë diploma”, u shpreh Nikolla. Ministrja siguroi se para organeve të drejtësisë do të shkojë edhe çdo drejtues që ka punuar në Ministrinë e Arsimit dhe ka licencuar në kundërshtim me ligjin institucione arsimore private. Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Arsimit është ndalur edhe në uljen e kuotave për këtë vit studimi.

Kuotat
Reagimi i ministres Nikolla në lidhje me uljen e kuotave për pranimin e studentëve në universitete ka ardhur menjëherë pas akuzave të ish-kryeministrit Berisha. Sipas Nikollës, kuotat e përcaktuara nga ministria ishin shumë pranë reales dhe pasqyronin rezultatet që maturantët grumbulluan në provimet e këtij viti. Duke iu referuar akuzave të ish-kryeministrit Berisha për mbylljen e filialit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, ministrja Nikolla ka sqaruar se universiteti do të vijojë punën e tij, ndërkohë që do të mbyllen vetëm disa filiale që kanë më pak se 10 studentë”.

Nuk do të ndodhë kjo. Nuk ka kuota vetëm në ato programe që ka rezultuar të jenë me më pak se 10 studentë. Kishte 170 kuota në këtë program, dhe janë përthithur vetëm 12 studentë me mesatare të përgjithshme 5.5. Këta do të bëjnë inovacionin, teknologjinë? Në programin e matematikës, fizikës, kishte vetëm 4 studentë. Në gjuhë Letërsi Italiane nuk kishte asnjë. Në turizëm nga 100 kuota kishte vetëm 5. Vetëm këto profile mbyllen. Universiteti i Gjirokastër do të vijojë pa ndërprerë asnjë lloj ëndrre”, theksoi Nikolla.

Të huajt mbi 50 vjeç blejnë diplomë në Shqipëri
D.B me shtetësi italiane ishte 60 vjeç kur u regjistrua dhe kundrejt pagesës përfitoi në një nga universitetet private një diplomë për stomatologji. Historia e shtetasit italian nuk është e vetme pasi nga verifikimet e bëra nga Ministria e Arsimit rezultojnë të kenë marrë diplomën kundrejt pagesës diplomat e tyre edhe 900 të shtetas të huaj.

Fenomeni i denoncuar nga inspektorët e Ministrisë  së Arsimit ka nxjerrë në dritë shumë prej studentëve të huaj,të cilët edhe pse në moshë të thyer kanë shpenzuar me mijëra euro për përfituar një diplomë në Universitetet Private. Por histori të ngjashme me atë të shtetasit Italian D.B, në listat e inspektorëve të ministrisë mund të gjesh pafund. Edhe pse në vendin tonë operojnë me qindra klinika dentare në pronësi të shtetasve turk, C.O ka preferuar që diplomën e tij për stomatologji ta përfitojë pa qenë asnjë ditë të vetme në shkollë por duke e përfituar atë kundrejt pagesës.

Ajo që bie në sy nga dokumentet e siguruara nga inspektorët e ministrisë është fakti se një pjesë e madhe e “studentëve” janë mbi të pesëdhjetat, pra nuk janë maturantë. Skandali më i madh i dhënies së diplomave për të huajt kundrejt pagesës në universitetet shqiptare ishte ai i djalit të kreut të “Lega Nord” në Itali, Umberto Bossi. Renzo Bossi, pa qenë asnjëherë në vendin tonë arriti të merrte diplomën e tij kundrejt pagesës në Universitetin “Kristal”. Ministria e Arsimit ka hequr plot 18 licenca për universitete private të cilat kanë dhënë rreth 900 diploma për të huaj pa pasur asnjë program në gjuhë të huaj.      

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Lajmi se bashkëshorti i ministres goditi me thikë drejtorin, reagon Delina Ibrahimaj: Ja si qëndron e vërteta

Lajmi se bashkëshorti i ministres goditi me thikë drejtorin, reagon Delina Ibrahimaj: Ja si qëndron e vërteta