Hetimet e 1998, një dorë misterioze
dëmtoi Çifutin shëtitës të Rembrandit

Hetimet e 1998, një dorë misterioze<br />dëmtoi Çifutin shëtitës të Rembrandit
TIRANË - “Çifuti shëtitës”, një vepër që i atribuohet Rembrandit, sot, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, ka një histori  ngacmuese të ‘jetës” së saj në Shqipëri. Nga koleksioni i Mark Kakarriqit në Shkodër, ku mendohet të jetë blerë në kohën e aktivitetit të tij si tregtar në Rusi pas 1913, kjo pikturë iu ble pasardhësve të familjes Kakarriqi gjatë viteve të regjimit komunistbë me shumën e 6 000 lekëve. Që atëherë ajo ndodhet në fondin e kësaj Galerie, ku në fund të viteve ’80, një histori hetimesh kishte drejtuar gjithë vëmendjen e pushtetit komunist tek kjo vepër.

Në nëntor të 1988-ës, hetuesia e Tiranës kishte nisur një hetim mbi dëmtimin me dashje të kësaj pikture. Shkresat e këmbyera mes Hetuesisë së Tiranës, Komitetit të Arteve dhe Komitetit Qendror zbulojnë se institucioni në këto vite ishte mjaft i ekspozuar nga rreziqet e dëmtimeve apo të humbjes së objekteve me vlera të veçanta. Pas konstatimit se një prej veprave më të vyera të fondnit të Galerisë, një portret që i atribuohej Rebrandit ose shkollës së tij, në atë kohë me vlerë iventari 6 000 lekë, ishte dëmtuar me dashje nga dikush që nuk po e zbulonin. Hetuesi i çështjes pasi kishte konstatuar shumë shkelje dhe parregullsi në sigurinë e këtij institucioni, kishte propozuar ti mbyllë hetimet, duke e quajtur të pamundur zbulimin e autorit.

Dokumentet tregojnë se ky hetim ka zbuluar në të vërtetë gjendjen e sigurisë në këtë institucion, ku pastrueset bënin edhe rolin e vëzhguesve, e ku rojat që ndërroheshin çdo natë kishin mundësi të futeshin nëpër pavijonet e Galerisë lirisht. Për lexuesit sjellim tre dokumente që janë arshivuar në AQSH, në një dosje të vitit 1989, mbi Sigurinë e Galerisë Kombëtare të Arteve. Të tre dokumentet marrin spunto nga ngjarja e mbetur pa autor dhe ngrenë mjaft probleme që lidheshin me Sigurinë e objeketeve artistike që ruheshin në institucion.
 
%u201CÇifuti shetites%u201D


Dokumenti 1

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
HETUESIA E PËRGJITHSHME                                          Sekret
Nr. 120 Prot.                                               Ekzemplar Nr. 4
Tiranë, më 26.01.1989
 
Lënda: Për disa shkelje ligjore në ruajtjen dhe administrimin e pronës në
      Galerinë e Arteve në Tiranë
 
 
KRYETARIT TË KOMITETIT TË KULTURËS DHE ARTEVE
SHOKUT ALFRED UÇI
                                TIRANË
 
 
     Në datën 03.11.1988, hetuesia e rrethit të Tiranës ka filluar çështjen penale për veprën penale të dëmtimit me dashje të pasurisë socialiste në Galerinë e Arteve, mbasi elementë keqbërës kishin dëmtuar pikturën e Rembrandit “Çifuti shëtitës”, me një vlerë inventari 6 000 lekë.
     Për vetë rëndësinë e kësaj pikture u morën masa për zbulimin e autorit dhe u punua intensivisht. Por, megjithatë nuk u arrit të zbulohej autori i këtij krimi dhe çështja penale u pezullua.
     Gjatë hetimit të çështjes u evidentuan shumë shkelje të ligjit për administrimin e pronës socialiste. Megjithëse në Galeri ruhet një pasuri kolosale, administrimi dhe ruajtja e saj lë për të dëshiruar.
     Gjatë ditës, pas orës 14:00 dhe natën deri në orën 06:00, ruajtja e Galerisë u është besuar rojeve të Inspektoratit të Rojeve, pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit. Ata mbanin çelësin e derës kryesore të Galerisë, por nuk merrnin në dorëzim asgjë. Ata qëndrojnë brenda në Galeri ku pavijonet janë të hapura dhe mund të futen në çdo kohë.

     Në pavijone gjatë ditës ka pastruese vëzhguese, të cilat në fakt paguhen si pastruese. Ato kanë në ngarkim të gjitha materialet e ekspozuara në Galeri. Ato janë pa arsimin përkatës për të kryer detyrën e vëzhgueses. Gjithashtu materialet që kanë nëpër pavijone nuk i marrin dhe nuk i dorëzojnë me firmë. Kjo shkelje ndikon që të mos përcaktohej dot se çfarë turni ka ndodhur ngjarja.
     Për mangësitë e konstatuara hetuesia e rrethit Tiranë ka ndërhyrë pranë Drejtorisë së Galerisë. Tani rojeve nuk u lejohet të qëndrojnë gjatë natës brenda Galerisë.
     Në kushtet kur në Galerinë e Arteve janë ekspozuar vepra arti me vlerë, duhet të merren masa të posaçme për sigurimin dhe ruajtjen e tyre si dhe të zgjidhet problemi i përgjegjësisë materiale për veprat e artit që ndodhen nëpër pavijone.
    
KRYETARI I HETUESISË SË PËRGJITHSHME
QEMAL LAME
   (firma, vula)
 
 
Dokumenti 2
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
KOMITETI I KULTURËS DHE I ARTEVE
SEKTORI I PËRGJITHSHËM
Nr. 547/1 Prot.                                  Tiranë, më 09.02.1989
 
Lënda: Përgjigje relacionit
 
 
HETUESISË SË PËRGJITHSHME
                                     TIRANË    
 
     Relacionin tuaj në lidhje me çështjen penale për dëmtimin e pikturës “Çifuti shëtitës” e studiuam me kujdes dhe morëm masat e nevojshme që raste të tilla të mos përsëriten më. Në marrëveshje me Drejtorinë e Punëve të Brendshme – Tiranë, tani objekti i Galerisë së Arteve ruhet me roje të armatosura, ndërsa për të evituar dëmtimet nga brenda u organizua shërbimi në mënyrë të tillë që veprat të dorëzohen me procesverbal. Gjithashtu po merren masa dhe për zëvendësimin e punonjësve të papërshtatshëm duke gjetur e sjellë aty punonjës të profilit të punës.
     Në lidhje me pezullimin e çështjes penale nga ana e hetuesisë së rrethit të Tiranës, kemi pretendimin se nuk u punua si duhet. Hetuesi i çështjes nuk ka marrë në konsideratë mendimet e Drejtorisë së Galerisë së Arteve Figurative për mos pezullimin e çështjes dhe nuk ka shfrytëzuar të gjitha materialet që ajo drejtori disponon për zbulimin e autorit. Këtë pretendim, Drejtoria e Galerisë e ka parashtruar edhe përpara Prokurorisë së Rrethit të Tiranës. Mendojmë se ai vendim pezullimi duhet riparë.
 
KRYETARI
 Alfred Uçi
    (firma)
Konc. V. Meçaj
Dak. V. Meçaj
(firma)
 
Dokumenti i tretë
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
KOMITETI i KULTURËS DHE i ARTEVE
Nr. 550 Prot.                                       
 
Tiranë, më 09.02.1989
 
Lënda: Dërgohet informacion
 
KËSHILLIT TË MINISTRAVE
SHOKUT ANASTAS KONDO
KOMITETI QENDROR I PPSH
                                     TIRANË
 
 
INFORMACION
MBI
MASAT PËR PËRMIRËSIMIN E GJENDJES DHE SIGURIMIN E
GALERISË SË ARTEVE
 
    
     Gjatë vitit 1988, për forcimin e gjendjes dhe mbrojtjen e institucionit, janë marrë një sërë masash që kanë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme ruajtjen e mirëmbajtjen e veprave, mjediset e Galerisë si dhe tërë veprimtaritë e planifikuara. Ndër masat më themelore kanë qenë:
     1. Riorganizimi i linjës së Galerisë, vendosja e kritereve më të studiuara për autorët, shtimi i sipërfaqeve ekspozuese me rreth 160 ml. U mbyllën nga brenda dritare parazitare të cilat cenonin rrjedhën e qetë të ekspozimit dhe krijonin shqetësime drite e klimaterike. Mbi këtë bazë u ndërmorën korrigjime në ndriçim, u krijua një sallë e pajisur për leksione e biseda, u nda impianti elektrik i komanduar përkatësisht për çdo sallë si për efekt të mbrojtjes nga zjarri ashtu dhe për kursime të energjisë elektrike.

     2. U transferua pjesa më e ndjeshme e më e rrezikuar e fondit nga godina e Ndërmarrjes së Përhapjes së Librit duke u sistemuar në Galeri, në katin e sipërm të sallës së ekspozitave, e cila u adaptua për këtë funksion provizor. Me këtë masë u krijuan kushte më të përshtatshme për ruajtjen kryesisht të veprave të pikturës, një numër i kufizuar i të cilave patën dëmtime të pjesshme në gjendjen e mëparshme. Për shkaqe sigurimi kjo pjesë e fondit u veçua nga korpusi qendror me mur ndarës, duke izoluar plotësisht marrëdhëniet e saj me sallat e linjës së Galerisë.

     3. U meremetuan tërë dëmtimet që pati godina nga tërmeti i janarit 1988. Për forcimin e sigurimit të institucionit, kohët e fundit u mbyllën me mur të brendshëm të gjitha dritaret e katit përdhes me orientim nga Pallati i Pionierëve pa cenuar pamjet arkitektonike.
     Pas dëmtimit të veprës që i atribuohet Rembrandit, i kryer në rrethana të errëta, pasojë edhe e mungesës së përgjegjësisë së pastrueseve tona të vëzhgimit, vendosëm një sistem vëzhgimi dhe kontroll të përforcuar me punonjës të tjerë të tërhequr me grafik nga sektorët e tjerë të punës.

     Vendosja e vizitave me biletë mënjanoi hyrjen e disa elementëve që hynin kot në Galeri dhe krijonin shqetësime të ndryshme.
     Në mungesë të një sistemi sinjalizimesh instaluam një central telefonik të brendshëm me nga një aparat në çdo sallë. Në mbarim të kohës së vizitave kontrollohet imtësisht gjendja e çdo salle dhe vuloset dera që ndan ato nga anekset administrative dhe të shërbimit.

     Me insistimin tonë dhe pas dëmtimit të veprës që i atribuohet Rembrandit, u lidh kontrata me Drejtorinë e Punëve të Brendshme – Tiranë, për ruajtjen e Galerisë së Arteve Figurative me polici, si objekt i rëndësisë së veçantë. Mbetet problem i pazgjidhur sigurimi i fondit të Galerisë, i cili pjesërisht ndodhet në katin e sipërm të Ndërmarrjes së Përhapjes së Librit.
     Këto masa si dhe plotësimi i shumë detyrave të tjera kanë përmirësuar kushtet e punës dhe ruajtjen e Galerisë nga çdo dëmtim i mundshëm, por mendojmë se mbeten ende për t’u zgjidhur problemet e mëposhtme:
 1. Sistemi i rojeve të natës i vendosur vitin e kaluar nën varësinë e Inspektoratit për ruajtjen e objekteve me vlera ekonomike nuk është i përshtatshëm për karakterin e këtij institucioni. Këto roje duhet të vihen nën vartësinë e institucionit pasi duhet të njohin mirë gjendje, të marrin në dorëzim sallat dhe të përgjigjen për to. Nga kontrollet që janë bërë rezultojnë raste, kur rojet nuk i kemi gjetur në detyrë, largohen nga institucioni, kanë futur brenda grupe të huajsh ose individë të tjerë jashtë orarit të vizitave e pa leje të institucionit. Për dukuri të tilla kemi informuar zyrtarisht Inspektoratin, kemi kërkuar zëvendësimin e ndonjërit prej tyre, por nuk kemi gjetur mirëkuptim.
    
2. Vlen të theksohet se dëmtimi i paramenduar i një vepre në Galeri deri tani mbetet një fakt i errët. Qoftë si akt, qoftë për vlerën që mbart kjo vepër, na duket i shpejtuar dhe i pavlerësuar drejt vendimi i Hetuesisë së Rrethit për ta pezulluar këtë çështje. Hetuesi i ngarkuar për ta ndjekur atë është dukur vetëm një herë në institucion dhe ndonëse nga ana jonë janë bërë përpjekje për të ndikuar në qartësimin e mëtejshëm të problemit dhe hetimeve për të, nga ana e tij ka pasur indiferentizëm apo inkopetencë të plotë. Të thirrur nga Prokuroria e Rrethit për ta pezulluar këtë çështje jemi shprehur se nuk jemi dakord të mbyllet me kaq lehtësi një akt sabotimi fare i qartë.

3. Sistemin e mbrojtjes nga zjarri e kemi të dobët. Hidrantë në gjendje gatishmërie kanë vetëm sallat e Galerisë, ndërsa salla e ekspozitave dhe mjedisi ku u sistemua fondi nuk i kanë as këto mjete. Aty, tani për tani, kemi vendosur mjete primitive si kova me ujë, rërë etj. Kemi bërë kërkesë për hidrantë. Nga ana tjetër, për një muze të karakterit të Galerisë, edhe sistemi kundërzjarr me rrjedhë uji nuk është i përshtatshëm. Në këto rrethana po përpiqemi të sigurojmë nga importi mjete mbrojtëse me kimikate, përdorimi i të cilave në rastin eventual të një zjarri nuk dëmton veprat e artit. Me sa dimë, këto mjete kanë afate skadimi dhe duhen përsëritur një herë në dy vjet, pra rrisin koston e këtyre masave mbrojtëse.
    
4. Duke vënë theksin në ruajtjen e mirë të veprave, sigurimin e plotë të tyre në kushte klimatike e teknologjike të përshtatshme e shkencore, theksojmë përsëri domosdoshmërinë për ndërtimin e godinës së fondit të kësaj Galerie. Detyra e projektimit përkatëse është studiuar e miratuar nga Komiteti i Kulturës dhe i Arteve, vendi i ndërtimit është pas godinës së Galerisë dhe fondi i ndërtim-montimeve është parashikuar 2,5 milionë lekë. Veç këtyre fondeve, do të nevojiten edhe pajisje teknologjike për temperaturën, lagështinë, sistemin e kondicionuar të objektit, të sinjalizimit, pajisje restauruese etj., që mund të kapim shumën rreth 2 milionë lekë. Ministria e Ndërtimit duhet të porositet për të filluar urgjentisht hartimin e projektit përkatës.
    
5. Në kushtet kur Galeria, pas vendimit të qeverisë, ngrihet në kategori dhe përmirësohet struktura e saj, plotësimi i kuadrit dhe sidomos lëvizja e disa punonjësve nga ky institucion përbën një problem tjetër të mbarëvajtjes dhe përmirësimit të gjendjes.

Në bazë të strukturës së re, për arsye të shumta duhen risistemuar në vende të tjera puna disa kuadro e punonjës. Me forcimin e disa sektorëve zgjerohet e gjallërohet më tej sfera e veprimtarive të Galerisë. Ka punonjës me aftësi të kufizuara, të paaftë, pa rendiment shumëvjeçar në punë, ndonjë që nuk realizon asnjë detyrë si dhe ndonjë tjetër me sëmundje mendore. Ka kundërvënie dhe vese e shfaqje negative. Nga dukuri të tilla shpesh cenohet atmosfera dhe disiplina e shëndoshë në punë, rendimenti dhe përgjegjësia individuale. Për zëvendësimin e punonjësve të papërshtatshëm kemi biseduar me Komitetin Ekzekutiv dhe Komitetin e Partisë së Tiranës, por deri tani nuk është zgjidhur. Jemi të bindur se me ndryshimet e lartpërmendura, institucioni do të përmirësohet e do të gjallërohet më tej e tërë veprimtaria e tij, do të ngrihet në shkallë më të lartë niveli i punës dhe zbatimi cilësor i detyrave. Mendimet e shprehura më lart janë konkluzione të analizave në kolektiv, në organizatën-bazë të Partisë si dhe të Drejtorisë së Institucionit.
 
KRYETARI
 Alfred Uçi
    (firma)
Konc. V. Meçaj (firma)
Dakt. L. Muçi (firma)

faksimile me logo


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Milano, shqiptarët çojnë policinë në parkimin ku ishin fshehur 5 kg heroinë, ishte mbështjellë me proshutë

Milano, shqiptarët çojnë policinë në parkimin ku ishin fshehur 5 kg heroinë, ishte mbështjellë me proshutë