Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Ervina Gjanës, zyrtares së lartë të Policisë së Shtetit e cila kërkonte kthimin e aparateve celulare të cilët janë sekuestruar nga SPAK në kuadër të hetimeve ndaj AKSHI-t.
Gjana, pasi u refuzua nga Apeli, që vendosi t’i ktheheshin vetëm telefonat e fëmijëve, iu drejtua Gjykatës së Lartë për kthimin e sendeve të sekuestruara. SPAK po në kuadër të hetimeve ndaj AKSHI-t ka ushtruar kontrolle edhe në banesën e zyrtares pasi sipas të dhënave, bashkëshorti i saj rezulton të ishte shofer i biznesmenit Ergys Agasi. Bëhet fjalë për shtetasin Renato Hristic që po ashtu është nën hetim nga struktura e posaçme.
Për këtë çështje, masa sigurie janë vendosur ndaj 7 personave, mes tyre ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoresha Hava Delibashi, ndërsa në kërkim vijojnë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët SPAK i konsideron përfituesit kryesorë të tenderëve të AKSHI-t.
Sipas hetimeve, Agasi dhe Beqiri, bashkë me persona të tjerë, ushtronin presion dhe shantazh ndaj biznesmenëve për t’u tërhequr nga garat e tenderave.
Komente











