Hezitimi ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do e përndjekë Bashkimin Europian

Hezitimi ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do e përndjekë Bashkimin Europian

Kur Këshilli Europian të mblidhet më 17 dhe 18 tetor për të vendosur hapjen ose jo të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, do të jetë duke marrë një vendim edhe për të ardhmen e vetë Bashkimit Europian. Ky vendim ka pasoja të rëndësishme dhe do ndikojë shumë te taktikat, strategjia, por dhe vetë ndërgjegjja e bllokut europian.

Raportimet e fundit sugjerojnë se vendimi për hapjen e negociatave me dy vendet ballkanike do të shtyhet për vitin e ardhshëm. Problemi është se kjo gjendje po bëhet tashmë kronike. Një shtyrje e mëtejshme do të përjetësojë në sytë e popujve të Ballkanit paaftësinë dhe mungesën e dëshirës së BE për të hapur derën ndaj njërit prej rajoneve të fundit të Europës që nuk është integruar ende në projektin e përbashkët europian.

Vende si Shqipëria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut i kanë drejtuar politikat e jashtme krah Bashkimit Europian, sikurse dhe kanë ndërmarrë reforma të brendshme të dhimbshme në bazë të pritshmërive të BE. Ky është normalitet për vendet të cilat aspirojnë dhe presin të bashkohen me unionin. Por, nëse tashmë BE i mbyll derën në fytyrë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të shumtë do jenë ata që do të fillojnë të ngrenë pikëpyetje nëse vendimet e dhimbshme dhe reformat e deritanishme ia kanë vlejtur.

Këto vendime të dhimbshme ishin të nevojshme për t’u afruar me Bashkimin Europian. Ky ishte rasti, për shembull, i tashmë-Maqedonisë së Veriut, e cila zgjidhi konfliktin disadekadësh me Greqinë për emrin zyrtar të vendit. Sikurse është dhe rasti i Shqipërisë, e cila po vazhdon akoma një proces transformues të sistemit gjyqësor. Nëse blloku shtyn përsëri hapjen e negociatave, do të konfirmojë në mënyrë indirekte se ka një distancë të pakapërcyeshme në të ardhmen e afërt ndërmjet BE dhe Ballkanit Perëndimor. Një vendim i tillë rrezikon aftësinë e BE për të ndikuar mbi vendet e Ballkanit.

Kjo në fakt do të përbënte një nga efektet negative të vendimit për shtyrjen e hapjes së negociatave: një gabim taktik. Si rezultat mund të shohim iniciativa të reja dhe vendime nga vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë në vijë me pritshmëritë dhe interesat e Bashkimit Europian.

Pasojat e hezitimit të vendeve anëtare të BE tani do të përkthehen njëkohësisht edhe në llogaritje të dobëta strategjike. Vendimmarrësit në Bruksel dhe në kryeqytetet europiane i neglizhojnë influencat e aktorëve të tjerë të huaj në rajon. Në forma dhe nivele të ndryshme, vende si Rusia, Kina, dhe Turqia ndjekin agjenda në Ballkan që janë shumë larg asaj të Bashkimit Europian. Ndërhyrja ruse, investimet kineze dhe paternalizmi turk kundrejt rajonit janë sfida të rëndësishme për interesat e BE në Ballkan.

Duke shtyrë tani hapjen e negociatave – e cila, në fund të fundit, është vetëm një fillim, pasi hyrja në BE do të kërkojë vite – Bashkimi Europian do të dërgojë një mesazh për planifikimin afatgjatë strategjik. Do u thotë vendeve të rajonit se nuk janë në projektet e BE për momentin. Dhe mesazhi indirekt që këto vende do të marrin është se mund të fillojnë të shikojnë rreth e rrotull për mundësi të cilat në periudhën afatshkurtër do të zinin vendin e hezitimit të Bashkimit Europian.

Së fundmi, vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut thotë shumë edhe për aftësinë e BE për të mbajtur fjalën kundrejt vendeve të Ballkanit që e shikojnë me admirim projektin europian. Sigurisht, rajoni ka sfida të rëndësishme që lidhen me demokratizimin, korrupsionin, respektimin e shtetit ligjor, sikurse dhe me zhvillimin dhe konkurrueshmërinë ekonomike. Por, sikurse është thënë tashmë, hapja e procesit të negociatave nuk është një përfundim, por vetëm një fillim.

Nëse, eventualisht, Këshilli Europian vendos të shtyjë përsëri vendimin, do të diskreditojë gjithashtu edhe rekomandimin e vetë Komisionit Europian, që mbështeti hapjen e pakushtëzuar të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në maj 2019.

Mungesa e vendosmërisë së Këshillit Europian nuk do të jetë një goditje vetëm Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit që shpresojnë të hyjnë në BE në të ardhmen e afërt. Ajo do të zhgënjejë edhe shumë vende anëtare që e mbështesin fuqimisht angazhimin ndaj rajonit dhe premtimeve që u janë bërë vendeve ballkanike. Do të zhgënjejë njëkohësisht edhe vetë institucionet e BE. Do të tregojë një mungesë kohezioni të brendshëm të projektit europian në çështje të cilat, deri para një dekade, adresoheshin në mënyrë përcaktuese dhe me konsensus nga unioni.

Pasojat e hapjes së munguar të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të shkojnë përtej thjesht zhgënjimit që karakterizoi shtyrjet e mëparshme. Bashkimi Europian është ende në kohë për të mos i lënë ato pasoja të materializohen./Nga Akri Çipa TEMA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Të shtëna me armë zjarri në lagjen ’24 Maji’, 1 i plagosur (EMRI)

Vlorë/ Të shtëna me armë zjarri në lagjen ’24 Maji’, 1 i plagosur (EMRI)