Nga viti 2026 të gjitha bizneset që operojnë në fushën e teknologjisë së informacionit do të paguajnë më shumë tatim mbi fitimin.
Prej vitit 2019 të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike për prodhimin apo zhvillimin e software-ve, paguajnë tatimi mbi fitimin me normën 5%. Por kjo lehtësi mbaron më 31 dhjetor 2025, dhe prej vitit të ardhshëm ato do të paguajnë 15%.
Në relacionin e projektbuxhetit thuhet se vetëm prej rikthimit të tatimit 15% për këro sipërmarrje pritet të mblidhen 523 milionë lekë më shumë të ardhura. Për vitin 2026, Ministria e Financave pret që nga tatimi mbi fitimin të mblidhen 65.1 miliardë lekë.
Parashikimi i tatimit mbi fitimin për vitin 2026 bazohet në:
* të ardhura nga miradministrimi në kuadër të zbatimit të masave të strategjisë afatmesme të ardhurave, për vitin 2026, në shumën 3.3 miliardë lekë.
* të ardhura të pritshme për tu arkëtuar nga zbatimi i ligjit të faljes, në masën 0.9 miliardë lekë.
• të ardhura nga zbatimi i politikave të mëparshme tatimore dhe konkretisht nga heqja e zbatimit të normës së reduktuar të tatim fitimit prej 5% për sektorin e IT.
Nga 1 janar 2026, për tatimpaguesit që operojnë në këtë sektor, do të zbatohet norma e plotë e tatimit mbi të ardhurat e korporatës prej 15% dhe parashikimi në të ardhura është rreth 523 milionë lekë”, thuhet në relacion.
Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2024, në vend operonin 3574 biznese me aktivitet “Shërbime të teknologjisë së informacionit”, si dhe 556 të tjera me “ Aktivitete të shërbimit të informacionit”.

Për herë të parë vitin e ardhshëm do të aplikohet zbritje tatimore për tatimpaguesit me fëmijë në ngarkim nën 18 vjeç. Njërit nga çifti i prindërve që kanë fëmijë nën 18-vjeç do t’i zbriten 48 mijë lekë, nga tatimi e paguara mbi pagën gjatë këtij viti në momentin kur do të plotësojnë Deklaratën Individuale të të Ardhurave Personale, në mars të vitit 2026.
Pra për çdo fëmijë nën 18 vjeç do të përfitohet një zbritje në vlerën e 48 mijë lekëve.
“Në vitin 2026 do të zbatohet për herë të parë politikat e zbritjes së shumës prej 48 mijë lekë për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç. NË baza të përllogaritjeve rezulton se administrata tatimore do të kompensojë rreth 1.5 miliardë lekë”, thuhet në relacion.
Për vitin që vjen kostoja për këtë zbritje është parashikuar në vlerën 1.5 miliardë lekë ose 15 milionë euro. Nga një përllogaritje rezulton se kjo zbritje planifikohet të jepet 31.250 fëmijë.
Po ashtu nga viti 2026 prindërit me të ardhura vjetore jo më shumë se 1.2 milionë lekë në vit, do të përfitojnë edhe zbritje për shpenzimet për arsimimin e fëmijëve deri në vlerën 100 mijë lekë.
Pra nëse merr më pak se 100 mijë lekë (1000 euro) në muaj pagë, përmes faturave të ruajtura për shpenzimet e bëra për arsimimin e fëmijës mund të përfitosh deri në 100 mijë lekë zbritje nga tatimet. Edhe këtë zbritje e merr pasi të plotësosh DIVA-n vitin që vjen.
Komente












Po mbaruan pune ata te Bankers qe kishin blere aksione ne te tilla kompani dhe deklaruan fitime 4 deri 5 here me te medha se vitet e tjera.
Përgjigju