ROMË, 3 korrik /ATSH/ - Kur në vitin 1935 zonja Pauline çoi vajzën e saj Hessy, vetëm gjashtëmuajshe, në studion e Hans Ballinit, një fotograf i injohur në Berlin, për t'i bërë një foto, nuk pritej kurrë që kjo fotografi, disa muaj më vonë, të ishte në kopertinën e revistës "Sonne ins Hause" ("Diell në shtëpi"), revista kryesore naziste dedikuar familjes, si përfaqësuesja perfekte e fëmijës ideal të racës ariane. Në fakt, familja Levinson, që ishte transferuar nga Letonia në Berlin, në vitin 1928, ishte në realitet me origjinë hebreje. Kur nëna e vogëlushes, një modele me të ardhme, shkoi sërish te fotografi duke i kërkuar që të mos bënte të ditur origjinën e tyre, e terrorizuar nga një raprezalje e mundshme nga ana e nazistëve, (bashkëshorti Jacob, këngëtar i talentuar, kishte humbur vendin e punës në Opera dhe ishte bërë shitës i zakonshëm), Ballini i tha se e dinte shumë mirë që familja e tyre ishte hebreje dhe se me vullnet të plotë kishte paraqitur fotografinë në fjalë në një konkurs ku kërkohej fëmija më i bukur i racës ariane, pikërisht për t'u tallur me nazistët.
Konkursi i fituar dhe largimi drejt SHBA-së
Fotografi Hans Ballin jo vetëm ia arriti ta fitonte konkursin me fotografinë e Hessyt të vogël, por ajo që e bënte më të rëndësishëm këtë gjë ishte fakti se përzgjedhjen e kishte bërë pikërisht ministri i Propagandës i nazistëve, Joseph Goebbels. "Tani edhe mund të qesh, por nëse në atë kohë nazistët do ta kishin zbuluar faktin se ne ishim hebrenj, unë nuk do të kisha mbijetuar", thotë sot 80-vjeçarja Hessy, tashmë me mbiemrin Taft, në një intervistë për gazetën më të shitur gjermane "Bild", ku tregon edhe se menjëherë pas publikimit të fotografisë, që nuk u botua vetëm në kopertinën e revistës "Sonne ins Hause" ("Diell në shtëpi"), por u bë edhe kartolinë e propagandës së kohës, prindërit e mbyllën në shtëpi me frikën se dikush do ta njihte dhe do të spiunonte te nazistët. Vetëm pas arrestimit të babait nga Gestapoja, në vitin 1938, dhe i liruar pothuajse menjëherë falë ndërhyrjes së pronarit të tij, Levinsonët arritën të largoheshin nga Gjermania për të shkuar në Letoni dhe më pas, prej andej, në Paris, ku me ndihmën e Rezistencës Franceze, u larguan për në Kubë dhe më pas për t'u stabilizuar përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1949. "Për mua kjo është një hakmarrje e vogël", thotë Hessy, aktualisht profesoreshë kimie në Nju Jork, kur prezantoi fotografinë e saj të famshme në Yad Vashem, muzeu i Holokaustit në Jerusalem. E pamundur të mos i japësh të drejtë./ (Marrë nga "Corriere della sera" dt. 3 korrik 2014) a.jor.