Historia e komunitetit çam në plazhin e Durrësit! Si u vendosën pas luftës dhe vështirësitë gjatë komunizmit për të mbijetuar

Historia e komunitetit çam në plazhin e Durrësit! Si u vendosën pas luftës dhe vështirësitë gjatë komunizmit për të mbijetuar

Hotel Adriatiku në plazhin e Durrësit gjatë regjimit komunist

Plazhi i Durrësit po mbush një shekull jetë, që atëherë kur u ndërtuan vilat e para të tregtarëve në bregdet.

Ndërkaq, 500 metra më tej, në anën tjetër të rrugës automobilistike drejt Kavajës, në fund të Luftës së Dytë Botërore u vendosën çamët e dëbuar nga trojet e tyre në Greqinë e Veriut.

Sot e kësaj dite ata mbeten dëshmitarët e drejtpërdrejtë të zhvillimit të plazhit më të madh të vendit, dhe në të njejtën kohë edhe përfaqësues të mbijetesës së  komunitetit të çamëve, që edhe sot vazhdon të banojë vetëm pak kilometra larg qytetit të lashtë.

“Unë kam qenë 12 vjeç, kur familja ime u  vendos në këtë territor, një ranishte dunash, ku mbizotëronte bimësia e  gjineshtrave – tha për BIRN prof. Hajredin Isufi, i cili sapo ka festuar 91-vjetorin e lindjes.

“Ishte viti 1944, dhe një pjesë e familjes time, pas genocidit grek u shpërngul nga Çamëria drejt Sarandës me barkat e himariotëve, ndërsa babai me disa bagëti mbërriti nga malet mes një mijë vështirësish”, kujtoi ai.

Në tregimin e prof Hajredinit, bëjnë pjesë kujtimet e hidhura kur nëna nuk kishte bukë ti ushqente, apo kur prindët ngjiteshin në pyllin mbi Shkëmbin e Kavajës për të prerë dru, me të cilat fitoheshin pak lekë më shumë.

Sipas tij, ende pa një status si banorë të Shqipërisë, çamët u kujdesën që të instaloheshin në zonat bregdetare, në Vlorë, në Fier apo në Durrës, ku mendonin se jetesa e tyre e re, do të ishte më e lehtë.

Plazhi i Durrësit ishte krejt i shkretë dhe rreth 100 familje çame fillimisht zunë vend në vilat e braktisura të bregdetit, të ndërtuara në kohën e monarkisë.

“Shteti nuk na pengoi, pasi ne ende konsideroheshim refugjatë për shkak të marrëdhënieve plot të papritura mes Shqipërisë dhe Greqisë. Shifra e deklaruar e të dëbuarve nga Çamëria, arrinte në 23-25 mijë vetë, por ajo asnjëherë nuk u zyrtarizua – tha studiuesi 91-vjeçar.

“Ne u quajtëm shqiptarë, vetëm në vitin 1953, kur shteti na pajisi me pasaporta – sjell në  mendje Hajredin Isufi.

Në kushtet e persekutimit të vazhduar dhe të heshtur të shtetit, Çamët e plazhit u lidhën fort me njëri tjetrin.

“Nëna dhe babai im janë takuar rastësisht në spital, për shkak të një aksidenti. Brenda 24 orësh gjyshërit e mij vendosën ti martojnë të rinjtë, më shumë për arsye mbijetese, se sa për lumturi familjare – tregon për BIRN Hysen Hyseni, 75-vjeç.

“Disa  vjet më vonë babai im u dënua me 8 vjet burg për tentativë arratisjeje, dhe jeta jonë u vështirësua edhe më tej” – kujtoi ai.

Edhe tani Ceni, sic e thërrasin të gjithë fqinjët, banon atje ku u lind, në stabilimentin “Hekurudha”, në qendër të plazhit me gjatësi 3,4 km.

Plazhi i Durrësit ishte i shkretë dhe kishte të njejtën pamje me atë të kohës së monarkisë, kur drejtuesi i Partisë në rrethin e Durrësit dha urdhër që çamët të largoheshin prej andej, sepse prishnin pamjen e zonës.

Ishte mesi i viteve '60 dhe çamët edhe sot e konsiderojnë si “dëbimin persekutues të radhës”, largimin pa asnjë mbështetje, ku secila familje duhet t'ia dilte vetë, duke filluar nga banesa deri te puna.

“Të gjithë banorët që ndodheshin pranë rrugës Durrës-Kavajë u bartën drejt lagjes së Spitallës, një territor me pyll të dëndur dhe ku mbizotëronin mushkonjat e kënetës  – dëshmon për BIRN Hajredin Isufi.

Në të njejtën kohë, në fillim të viteve 1970 pushteti u kujtua për sistemimin e plazhit.

Vilat e shtetëzuara që u ndërtuan gjatë paraluftës u vunë në dispozicion të familjeve të partiakëve dhe pushtetarëve të lartë, si dhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë të partive komuniste.

U ndërtuan radhët e para me kabina kompensate apo blloqesh betoni, të cilave më vonë iu shtuan edhe çadrat prej mushamaje, ku familjet e zakonshme pushonin në 12 ditët e lejes së zakonshme.

Barakat ku banonin çamët e plazhit nuk i përgjigjeshin kërkesave për një  plazh të përparuar, dhe kjo përbënte një arsye të mjaftueshme për ti përcjellë në zonën e pabanuar në veri të qytetit.

Të tjerat, që ndodheshin larg plazhit dhe pas shinave hekurudhore i shpëtuan nga dëbimi familjet e pakta çame që vazhduan të jetojnë po aty.

Ata përpiqen të përfitojnë nga kërkesat e shumta të familjeve nga qytete të ndryshme të vendit të cilat nuk gjejnë vend për të pushuar në kabinat e shtetit.

Çamët fillojnë të japin me qira dhoma në stinën e verës, pasi arrijnë të marrin leje në këshillin e lagjes, dhe në instanca të tjera.

Ndërkaq banorët e dëbuar çamë të Spitallës përpiqen të rikthehen në vendin nga ku i përzunë.

Pasi kishin bërë të gjitha punët e mundimshme në ndërtim apo ngarkim-shkarkim ata e quajtën një zgjidhje shumë të mira trajtimin e shtëpive si apartamente turistike.

Dhomat me qira ishin një e ardhur e mirë dhe pa shumë lodhje.

Familjarët nga i gjithë vendi që kërkonin zgjidhje për pushimet e verës filluan ti drejtoheshin zonës me “dhoma të çamëve”.

Prof. Hajredini , i cili ishte diplomuar në degën e Histori-Gjeografisë fton në atë kohë për pushime në shtëpinë e tij njerëzit më të shquar të instituteve të Historisë, Gjuhësisë, të Arkivës së Shtetit, e kështu me radhë.

Në këmbim të mirënjohjes për dy javët e pushimit në plazh, ai vetë fiton të drejtën e njohjes me dokumenta arkivore të plota për Durrësin dhe Çamërinë. Profesori i nderuar është autor i një duzinë librash për vendlindjen e tij, fshatin Rrëzanj të Çamërisë dhe për figuara të shquara të lëvizjes kombëtare.

“Tani çamët i gjen në të gjithë botën – tha prof. Hajredini. “Ata që kanë mbetur këtu në plazh kujdesen për banesat që japin me qira në stinën e verës, por jo vetëm të tyret, edhe ato të vëllezërve e motrave që kanë zgjedhur të jetojnë e të punojnë në pjesën tjetër të botës – përfundoi ai. /Reporter.al/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • edmond (koder rreshen): 21/08/2023 13:03

    Po shkruaje edhe naj fjal per familjen e Camit ne plazhin e Durresit,te Idriz Babalanit dhe Gruas se tij,pediatres zemer madhe dhe humane,se ai esht simbol jo vetem i Cameve ne Durres,por i te gjith Cameve ne trojet Shqiptare . Kemi njohur shum Cam te cilet jan ber te famshem ne kohen e demokracis,por ajo qe me ben pershtypje esht se ne monizem,ose e fshihnin ose e kalonin ne heshtje origjinen e tyre ?! Idrizi e kishte kaq per krenari prejardhjen e tij sa qe e kishte ne maje te gjuhes,ne dialektin Sarandjot U (N) JAM CAM . Edhe nofken nga koleget e tij e kishte Ose Idriz Cami,ose Cami shkurt . Respekte Profesor dhe Jet gjat .

    Përgjigju
  • Shqiptari: 21/08/2023 12:22

    Turp që akoma shajnë atë që hapë derën dhe të mirëpret.More shkrues se më shumë është turp për ty(jo ju) që shkruan ashtu sps ai profesori erdhi me titull,enjeh ti instiktin e vetmbrojties kolektive(bagëtia në tufë) kur shkon diku ku nuk njihesh?Unë që po ju shkruaj kam jetuar dhe jam ritur mes djemve shqiptar të krahinës tëÇAMËRIS.Mëso historin dhe mundohu të shkosh më përpara,mirë.Të bëftë mirë buka dhe klumështi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës