Prof. dr. Irakli Koçollari mban gradën Profesor në fushën e studimeve historike. Ai është diplomuar për drejtësi. Karriera e tij është e gjatë në drejtimin e institucioneve të sigurisë kombëtare, ka qenë këshilltar pranë drejtuesve të lartë të shtetit, njëherësh është autor i disa botimeve me karakter historik. Në fushën akademike Prof. Dr. Koçollari njihet për një numër të madh botimesh në fushën e filozofisë të së drejtës, historisë dhe jurisprudencës. Pr.dr. Koçollari është studiues i kodifikimeve Mesjetare Shqiptare dhe autor i monografive të botuara për Statutet Mesjetare dhe kanonikët e panjohur të kësaj kohe. Libri i tij “Policia Sekrete e Ali Pashës” ka marrë çmimin e parë si libri më i mirë i vitit 2010 për tërë hapësirën e botimeve shqiptare.

Në fokusin e veçantë studimor të tij është figura e Ali Pashë Tepelenës, për të cilin ka bërë studime, mbledhje këngës dhe gjurmime me vlera të rralla në arkivat e huaja të vendeve perëndimore dhe lindore. Shumë nga botimet dhe monografitë e tij janë “Arvanitët” (1993), “Alipashaida e Haxhi Shehretit”(1998),”Spiunazhi në shekuj” (2000), “Historia e Filozofisë të së Drejtës”(2005), “Policia sekrete e Ali Pashës”, vol. I, II (2008), “Krokodil Kladha, – kryengritës i dy popujve” (2009), “Vaje për Ali Pashën – 1923” (2010),”Arvanitët, – emigrimet shqiptare në Mesjetë” (2011), “Ali Pasha dhe shqiptarët në arkivat britanike “ (2013), “Dokumentacioni dhe korrospodenca e Ali Pashë Tepelenës” vol,I,II,III, botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe “Operacionet sekrete në Luftën e Ftohtë”,vol.I,II (2022). Pr.Dr Irakli Koçollari, ish-shef i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ish-diplomat shqiptar. Koçollari ka shërbyer në detyra të larta në institucionet shtetërore, përfshi këtu edhe në shërbimet e inteligjencës ku ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Ai gjithashtu ka punuar si këshilltar i kryeministrit, si dhe ka qenë Inspektor i Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare.

Botimi i librit “OPERACIONE SEKRETE SHQIPËRIA NËN LUFTË E FTOHTË”, ka paraqitur interes për lexuesin shqiptar dhe ndërkombëtar, sepse ai ka përdorur materiale të bollshme nga arkivat e shumë vendeve, gjithashtu i ka trajtuar ato me gjuhën profesionale dhe duke i lënë kohën, hapësirën dhe vendin ku janë zhvilluar këto operacione nën atmosferën e “Luftës së Ftohtë”. Në paragrafët e parë të këtij libri duke filluar në faqet 145 na jepet një panoram e përgjithshme se si u përfshi “Shqipëria e vogël”, në lojën e madhe botërore të dy superfuqive. Siç shkruan PR.DR Irakli Koçollari këtë luftë nuk e zgjodhi Shqipëria, ajo u bë pjesë e arenës ndërkombëatare, pas vitit 1947. Lufta kundër komunizmit ishte njëkohësisht edhe pjesë e “Operacioneve Sekrete”në “Luftën e Ftohtë”, ndërmjet dy kampeve të superfuqive botërore, atij të pëfaqësuar nga Bashkimi Sovjetik dhe atij Perëndimor të përfaqësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë libër i mëshohet idesë se, agjenti me famë botërore Kim Filbi, i cili ishte agjenti i nivelit të lartë i rusëve në radhët e MI6, nuk pati ndikim në luftën mes shërbimeve sekrete shqiptare dhe atyre perëndimore. Siç shkruan Foreign Polisy këto ditë korriku: Për dekada me rradhë, historia zyrtare e operacionit të pare të fshehtë të Perëndimit kundër një regjimi komunist ka qenë pothuajse e padiskutueshme.

DËSHTIMI I MISIONIT

Dështimi spektakolar i misionit është atribuar prej kohësh tradhtisë së agjentit Kim Philby, i cili dyshohej se informonte Moskën, e cila më pas informonte Tiranën. Por një studimi i ri i politologut Stephen Long, i botuar në librin A. Rich Harvest of Bitter Fruit: CIA and MI6 Covent Action in the Comunist Albania at the Daën of the Cold War, sfidon këtë version të historisë. Pas një pune të gjerë në arkiva dhe dhjetëra intervista, Long argumenton se shumë bindje të deritanishme janë të pasakta. Sipas tij, objektivi fillestar i operacioneve nuk ishte domosdoshmërisht përmbysja e regjimit komunist. Londra dhe Uashingtoni kërkonin të kuptonin sa i qëndrueshëm ishte pushteti i Hoxhës, nëse ekzistonte opozitë e organizuar dhe çfarë mund të ndodhte në rast të një dobësimi të regjimit. Long argumenton se dështimi operacioneve nuk erdhi nga aktiviteti i Kim Philby-t. Sipas tij, Bashkimi Sovjetik nuk kishte interes të rrezikonte një nga agjentët më të rëndësishëm për një operacion në Shqipëri, një vend me rëndësi të kufizuar strategjike krahasuar me objektivat e tjera të Luftës së Ftohtë. Në vend të kësaj autori identifikon dy shkaqe kryesore. Së, pari shumë nga emigrantët shqiptarë nuk kishin përvojën e nevojshme për operacione të fshehta. Informacioni për misionet përhapej shpesh në komunitet e emigrantëve, duke përfunduar në duart e autoriteteve shqiptare. Së dyti, CIA dhe MI6 bënë gabime serioze operative.

Oficerët amerikanë shpesh refuzonin të pranonin se ekipet e tyre ishin të kompletuar. Në disa raste, edhe pasi merrnin sinjale të qarta se agjentët kishin rënë në duart e Sigurimit, ata vazhdonin të dërgonin ekipe të tjera në të njëjtat zona, duke i ekspozuar ndaj të njëjtit fat.Dështimi ishte rezultat i planifikimit të dobët, mungesës së koordinimit, mbivlerësimit të aftësive të shërbimeve perëndimore dhe nënvlerësimit të Sigurimit të Shtetit shqiptar. Për autorin, kjo histori mbetet një nga shembujt më domethënës të mënyrës se si gabimet startegjike dhe arroganca institucionale mund të kenë pasoja më të mëdha se veprimet e një spiuni të vetëm. Debatet për çështjen e tradhëtisë së Kim Philbyt ende vazhdojnë dhe siç shkruhet në një tjetër media britanike për hapjen e Arkivit Kombëtar së fundmi shkruhet: Për shumë vite ky mit lidhej me tradhtinë e Kim Philby-it, agjentit serket britanik që kishte tradhëtuar Anglinë dhe kishte raportuar në KGB dhe për këtë operacion. Dosjet e sapo publikuara nga Arkivi Kombëtar ofrojnë një pasqyrë të gjallë të karrierës rrëqethëse të Philby-t si një nishan sovjetik brenda MI6, që nga rekrutimi i tij si një komunist i ri në 1934 deri tek dezertimi i tij dramatik në Moskë në 1963. Të mbushura me rrëfime, gënjeshtra dhe tradhti, këto dokumente zbulojnë mashtrimin e llogaritur të një njeriu që ndryshoi rrjedhën e spiunazhit të Luftës së Ftohtë dhe veprimet e të cilit çuan në vdekje të patregueshme. Rrëfimi i Philby për Elliott-in bie në sy si dokumenti më i jashtëzakonshëm në dosjet e sapo publikuara – një përzierje e krijuar me kujdes të vërtetash, evazionesh dhe gënjeshtrave të plota. Biseda e regjistruar, e kapur fshehurazi nga Elliott, i lejoi Filbit mjaftueshëm kohë për të lajmëruar drejtuesit e tij të KGB-së dhe për të rregulluar arratisjen e tij.

Të publikuara për herë të parë, transkriptet ofrojnë një vështrim të pashembullt në psikikën e tradhtarit më famëkeq të Britanisë dhe tradhtinë shkatërruese personale të një miqësie që dikur dukej e palëkundur. Philby ishte pjesë e “Unazës së Pesës” – ish-studentë të Universitetit të Kembrixhit, të cilët ua kaluan informacionin sovjetikëve nga vitet 1930 deri në vitet 1950. Grupi përfshinte Anthony Blunt, Guy Burgess, Donald Maclean dhe John Cairncross. Elliott regjistroi në fshehtësi bisedën me mikun e tij të vjetër në kryeqytetin libanez, me transkriptet që rrëfejnë gjallërisht momentin kur Philby u përball me një tradhti tronditëse në nivel personal dhe kombëtar. Transkriptet zbulojnë pranimin e tij të rekrutimit nga shërbimi i inteligjencës sovjetike në 1934 dhe rolin e tij në informimin e Maclean. Në realitet, Philby vazhdoi të spiunonte për sovjetikët gjatë gjithë kohës së tij në Uashington si shef i stacionit të MI6 dhe gjatë viteve të tij pasuese në Bejrut. Libri i Irakli Koçollarit OPERACIONE-SEKRETE SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË, është po ashtu i mbështetur në arkiva dhe materiale historike. Ai i trajton këto ngjarje me këndvështrimin e tij, prej specialisti të shërbimeve sekrete dhe historian të sprovuar .

Në këtë dosier po paraqesim një nga idetë e autorit, si nisën këto operacione? Ngjarje të rëndësishme dhe dinamike, politike dhe ushtarake do përfshinin Europën, por edhe territoret e Ballkanit, ngjarje që do të ishin me ndikim dhe pasoja të drejtpërdrejta edhe për Shqipërinë e vogël, kur më datë 12 Mars 1947, Presidenti i SHBA, Truman, kishte mbajtur një fjalim gjatë një seance në sallën e Kongresit amerikan. Ai fjalim do të linte, jo vetëm përshtypje të mëdha përpara opinionit publik amerikan, por do të sillte edhe pasoja të mëdha në konfigurimin politik të botës së ardhme. Thelbi i fjalëve mbresëlënëse vinte mbas asaj që kishte deklaruar Acheson (asokohe Sekretar i Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë i SHBA), i cili pat theksuar se “rritja dhe fuqizimi i faktorit komunist në Greqi do të vinte në rrezik tërë Europën Perëndimore. SHBA duhet të gjejë mënyrën për të shpëtuar botën e lirë… dhe Kongresi duhet të marrë përsipër financimin”. Duke vijuar, më tej ai theksonte: “Bota do të përballet me një katastrofë të vërtetë, po qe se SHBA nuk e lufton komunizmin jashtë kufijve të saj…” Në mbështetje dhe në vazhdim të kësaj ideje, vazhdonte Presidenti Truman “disa qindra miliona dollarë do të duhet t’i dërgohen Greqisë, tani e kërcënuar nga aktivitetet terroriste të disa mijëra burrave të armatosur… Çfarëdo lloj sulmi i ndërmarrë nga ndonjë armik i Amerikës ndaj çdo shteti, kudo qoftë ai në botë, do të konsiderohet sulm kundër vetë SHBA-së.” Ky ishte thelbi i Doktrinës Truman! Tërë Kongresi asokohe u ngrit në këmbë dhe çdo kongresmen duartokiste me entuziazëm. Miliona dollarë filluan të dërgohen në Greqi, krahas anijeve luftarake, ushtarëve, municionit, napalmit dhe spiunëve. Shumë shpejt Athina u bë një prej stacioneve (qendrave) më të mëdha amerikane. OPERACIONE SEKRETE: të inteligjencës (spiunazhit) në botë.

LUFTA KUNDËR KOMUNIZMIT

Vendimi i Presidentit Truman, për ta luftuar komunizmin jashtë kufijve amerikanë, ishte vendimi i parë i qartë, që morën spiunët amerikanë nga Shtëpia e Bardhë. Pas atij fjalimi, reformat do të ishin të mëdha dhe radikale. Së pari, do të duhej që instrumenti më domethënës i operacioneve specifike, aparati i Inteligjencës amerikane, do të duhej të luante një rol gravitacional në fatet e doktrinës dhe të interesave perspektive globale amerikane. Për të realizuar atë objektiv të rëndësishëm politik, ky institucion, kjo qendër, do të duhej të rindërtohej, të rivitalizohej, të rifuqizohej, të merrte dimensione të reja, si kurrë të njohura më parë. Gjenerali Vanderberger do të prononcohej ndër të parët për përmbysjen radikale të kësaj Agjencie, ndër më të rëndësishmet e administratës amerikane, të Agjencisë që do të kishte ndoshta rolin kryesor në realizimin e Doktrinës Truman. Duke iu referuar strukturave të Shërbimeve Inteligjente Amerikane, ai do të nënvizonte: “Gjatë Luftës së Dytë Botërore ne na duhej të mbështeteshim pa asnjë rezervë në sistemin superior të Shërbimit Sekret Britanik. Por, Amerika nuk duhet më kurrë t’i bëjë temena e t’i lutet ndonjë qeverie të huaj, pra e thënë me fjalë të tjera, të huazojë sytë, domethënë zbulimin (inteligjencën e jashtme), që me anë të saj Amerika të mund të shohë për nevojat e veta.” Dukej qartë se kish filluar të venitej drita, shkëlqimi i fuqia e MI6 dhe vendin e saj po e zinte një tjetër fuqi në rritje – CIA, e cila do të rivalizonte çdo fuqi tjetër, në të katër anët e globit. Sikurse shihet, vëmendja e veçantë e kësaj doktrine, tanimë e shkruar dhe e shpallur botërisht, drejtohej nominalisht tek Greqia, vendi fqinjë me Shqipërinë. Kjo afri gjeografike, ky interesim i veçantë i fuqive më të mëdha të kohës, por edhe rrethana të tjera specifike të kohës dhe natyrës së sistemeve, sigurisht që do të kishin reperkursione jo të vogla, bile tronditëse, në fatet politike, ekonomike, ushtarake dhe gjeostrategjike të këtij vendi të varfër dhe të vogël ballkanik, Shqipërisë.

PËRPJEKJET PËR NJË AGJENCI TË RE TË INTELIGJENCËS AMERIKANE.

Pas një sërë përpjekjesh për reformim, më 27 Qershor 1947, një komitet i Kongresit amerikan mbajti një seancë sekrete. Propozimet e parashtruara aty, mbas pak muajsh, do të çonin në ngritjen e një strukture formale, atë të CIA-s (Central Intelligent Agency – Agjencia Qendrore e Zbulimit), ende pa një status të mirëfilltë ligjor, pa kom-petenca konkrete dhe pa buxhet. Sigurisht, kjo strukturë do të kërkonte të adaptonte ide ndryshe, ide novatore, kurajoze, krejt të tjera nga ato që kishin udhëhequr rutinën e inteligjencës tradicionale gjer atëherë. Ajo duhej të ndërmerrte misione dhe operacione të pa aplikuara dhe të panjohura prej saj më parë. Dhe për t’i dhënë jetë kësaj lloj strukture, për të realizuar këtë lloj reforme, çuditërisht ishte ngarkuar një ish-diplomat i rangut të ulët, i cili gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore kishte kryer në Zvicër detyrën e shefit të OSS, pra një funksion ku ai kishte kultivuar me kujdes mjeshtërinë e spiunimit. Mbas kthimit në Amerikë, ai i qe kthyer jetës së juristit, për t’u bërë më pas një avokat elitar i Wall Street-it. Ky njeri quhej Allen Dalles! “Allen Dalles ishte një njeri gjer në ekstrem; me sy vezullues, me një të qeshur të zëshme dhe dinakëri pothuaj djallëzore. Ishte mashtrues, tradhëtar kronik dhe ambicioz i pamëshirshëm.

Nuk hezitonte të keqinformonte Kongresin, kolegët, e madje edhe komandantin e tij suprem (Presidentin)”. Në parimet bazë të ngritjes dhe funksionimit të kësaj makinerie, Dallesi kishte deklaruar se: “Në krye të këtij institucioni do duhet të jetë një person me një personalitet juridik të nivelit të lartë… Dhe të drejtohet nga një njësi relativisht e vogël burrash elitarë, që do të kenë pasionin, por dhe vyrtytin, të mbeten anonimë…”. Cilat do të ishin parimet fondamentale mbi të cilat ai do të duhej të mbështetej, për të realizuar misionin e madh të Agjencisë së re që do të përmbyste epoka!? “Amerikanët kanë materialin e nevojshëm për krijimin e Shërbimit më të mirë të Inteligjencës në botë, – pat deklaruar Dallesi përpara Kongresit – Personeli i kësaj Agjencie nuk do kishte nevojë të ishte numeroz, do të mjaftonin disa qindra agjentë për të kryer punët. Nga ana tjetër, operacionet që do të ndërmerren nuk do të duhej kurrësesi të ishin të bujshme dhe pompoze, por as tërësisht dhe jashtëzakonisht sekrete, sikundër kanë qejf mjaft detektivë amatorë. … Ajo ç’ka do duhet për suksesin e Agjencisë është puna e palodhshme, gjykimi i kujdesshëm dhe mendimi praktik”./Gazeta Panorama