Historia e rrallë e poetit të njohur: Tahirin, që ishte edhe deputeti, e ndala në një xhep të minierës dhe kur ja tregova hallin që kisha, ai më tha: ti je një kriminel…

Historia e rrallë e poetit të njohur: Tahirin, që ishte edhe deputeti, e ndala në një xhep të minierës dhe kur ja tregova hallin që kisha, ai më tha: ti je një kriminel…

Një njeri më ka thënë: “Ti paske qenë krimineli i jetës tënde, kriminel i familjes tënde”. Ky ishte Tahir Mehmeti. Në Minierën Memaliaj, ai ishte shefi i sektorit 250. Tahiri ishte deputet i Kuvendit Popullor. Disa thoshin se ishte dhe “Hero i Popullit”. Këto për mua nuk kishin rëndësi. As për vetë atë. Ai dhe në pamje, në veshje, në sjellje, nuk dallohej nga punëtorët rreth e rrotull tij. Tahir Mehmeti në atë sektor miniere, ku tashmë po punoja, pasi më kishin vënë shkelmin në b.. nga RTSH-ja, nga redaktor në Radio Televizionin Shqiptar, ishte njeriu numër një. Ishte Njëshi.

Prej rreth tri javësh, po punoja “si punëtor i tij”. Shefi i nën sektorit, një inxhinier miniere me arsim të lartë, për ditë na fuste në punë e, na kërkonte realizimin e planit. Ai ishte një përgjegjës teknik. Pa fuqi përtej minierës. Pa fuqi politike, mund të thuash, ose që në rastin tim, nuk donte të merrte përgjegjësi. Për mua ishte dhënë një urdhër nga shteti, që të më çonin atje thellë e, më thellë, aq thellë, sa mundësisht të mos dilja më. Kush i dilte përpara atij urdhri?!

Por… ato ditë isha bërë me djalë. Duhet të dilja nga miniera… me lejë, sa të merrja nga materniteti i Tiranës, djalin tim të sapolindur.

Lejë nuk po më jepnin.

Ai kërthiu, djali që më kishte lindur në Tiranë, kërkonte që unë, babai, ta nxirrja nga materniteti bashkë me mamanë e tij dhe t’i sistemoja diku. Po ku?! Të dy sapo të dilnin nga materniteti, nuk kishin ku të fusnin kokën. Gruaja dhe unë, para se të më zbrisnin nëntokë, banonim në hotel “Valbona” në Tiranë. Nuk kishim banesë. Gruaja më 15 shkurt 1974, lindi djalin. Unë që nga 20 janari 1974, shtyja vagon me qymyr në nëntokën e minierës Memaliaj. Tani djali dhe gruaja, më kërkonin një vendbanim. Nuk mund t’u jepja prapë strehë, tek ai hotel “Valbona”.

Një burrë, një baba pa asnjë mundësi t’i japë strehë një kërthiu, që e zuri në befasi me ardhjen e tij. Më të vështira ditë, nuk mund të gjeje. Gruaja në Tiranë, në maternitet, lind fëmijën, pa burrin aty pranë. Babai i dënuar, pa të drejtë ta presë, ta gëzojë lindjen e të birit…!

Por atij kërthiut i kishte ardhur ora të vinte në këtë botë, të lindte nën shi a, nën diell qoftë. Nuk mund t’ia priste askush udhën.

Dhe fëmija djalë lindi.

Babai i nëntokës mori një telegram që ai lindi, erdhi mbi tokë. Duhet të merresha me rritjen, me vend-rritjen e tij. Për këto, nuk donte t’ia dijë tjetër njeri. Nuk po më jepnin as lejë, të largohesha nga puna.

Më thonë se për këtë lejë, duhet t’i drejtohem Tahir Mehmetit, krye-shefit të sektorit 250, ku punoja. As Tahiri, nuk më pranoi. Nuk donte të më takonte. Më thanë t’i qepem pas, në vizitën e tij të përditshme nëntokë. Si shef, ai inspektonte vendet e punës më me vështirësi, aty nëntokë. Iu qepa pas.

Diku në një llavë miniere, e ndalova.

“Tahir Mehmeti, – ke punë me mua, i thashë. – Dua të flas me ty”. Atij i bëri përshtypje kjo thënie, sikur t’i jepja urdhër dhe ndali. U futëm në një xhep, një metër të lartë e, një metër të gjerë. “Kush je ti”, – më tha?

Tahiri ishte si unë, me kominoshe miniere, me një llambë në ballë. I lagur, i djersitur. I llangosur me qymyr në fytyrë. Sytë e tij që në diell, mund të ishin në ngjyrë kafe a, të çelët, drita e llambës aty nëntokë, ia bënin fare të shpëlarë. Ishte me ngut, nuk ma kishte ngenë. Më kërkoi të flisja shpejt, ta lija në punën e tij. Ishte i egër në atë fytyrë, që mbi tokë ngjante krejt paqësore dhe pa asnjë veçanti. Sa nuk po më bërtiste: “Ç’dreqin ke që më pengon në punën time”.

Ky shef Tahiri, punëtorët e sektorit i njihte një për një, me emër dhe me mbiemër, dhe punëtorët e njihnin. Punëtorët më përvojë, nuk donin t’ia dinin se Tahiri shefi, po u shkonte “në front”, atje nëntokë. As e përfillnin. Ata bënin punën për veten, për paratë, për familjen. Erdhi, a nuk erdhi tek puna e tyre Tahiri, a cilido, dhe më i madhi shef i botës të ishte, punëtorëve të vjetër, nuk u hynte gjë në sy. As ua lehtësonin punën, as ua përmirësonin.

Miniera ishte plumb mbi shpatullat e tyre. Ata do ta shponin me mina plumbin a gurin a, terrin, për të nxjerrë qymyrin, për të nxjerrë jetesën e fëmijëve të tyre. Aq u bënte për shefin a drejtorin. Të pirdheshin. Të shkonin në të sëmës. Kur u hipnin xhindet në kokë, ata grindeshin me Tahirin, si të barabartë. “Ta q… nënën o Tahir”, – ata, – “Ua q… edhe unë”, ua kthente Tahiri. Me që ndjeheshin kështu barabar, e kuptonin shefin e tyre. Ai kish për detyrë inspektimin, ata kishin detyrën të bënin planin. Secili në të vetën.

Kishte raste kur tavani i minierës çahej dhe varej si gojë mbi kokën e minatorëve. Një gojë llahtar e hapur, që bie e të shkel pastaj, bie e të shkel tani. Po do të futeshe në atë gojë. Duhej bërë plani. Dhe burrit më me përvojë minierë, i dridheshin leqet e këmbëve. Një gojë e zezë, e hapur. Nuk vete në atë vend pune, kundërshtonte minatori i vjetër. Po deshe…ose kthehu nga ke ardhur. Tjetër punë s’ka, i thoshte brigadieri. Minatori me veshje pune, me veglat në sup, kërcënues si një ushtar fronti, i përplasej, ia shkyente me shpatulla derën e zyrës shefit, Tahir Mehmetit. “Përjashta, – i ulërinte Tahiri. – Atje ku të kanë thënë tregohu burrë, jo tek unë”!

“Ti nuk po më kërkon punën time, ti po më kërkon kokën. Kokën s’e jap. Nuk shkoj. Kur të bëj ziná më nënën time, shkoj në atë vend pune”.

“Të bëje ziná me nënën”, do të thoshte, të bje në shtrat inçesti me nënën. Ishte beja më e rëndë, për një burrë. Por kjo do të thoshte dhe se nervat e atij burri, nuk mbanin më.

Tahiri ia kthente: “Vetë e ke kërkuar minierën, nuk të thirra unë. Je burrë, dili për zot punës, mos m’u legenos…?! Përjashta”. – “Nënën ta bëfsha, o Tahir Mehmeti”. “Nënën tënde e, ca më tej”, ia kthente Tahiri.

Kaq ishte sherri. Pas kësaj secili në punën e tij.

E pra, në një shteg llave e kisha ndaluar Tahirin. “Çdo nga unë”, më tha. Ia thashë. “Ti duhet të marrësh lejë nga ‘Dega’, pastaj nga unë”.

“Dega” ishte Sigurimi i shtetit, policia. Në miniera atëherë çonin familje që viheshin në internim dhe nën kontroll policor, çdo 12 orë. Pa të drejtë largimi, nga vendi i internimit.

“Nuk jam nga ata, nuk kam punë me ‘Degën’, i thashë. Jam punëtori i yt. Po të ishte për lejë nga ‘Dega’, do ta thosha. Mbas pune, të dielave, në ditët e festave, mund të shkoj ku të dua. Unë di, që ti i merr vesh të gjitha”.

“Ja… – nga gjiri nxora telegramin. – E sheh këtë telegram, posta e shtetit ma ka dhënë… dhe jam në hall. Kërkoj lejë tre-katër ditë, ja dhe pesë ditë. Dua leje që mos më thonë; je larguar dhunshëm nga puna. Djalin që më ka lindur në Tiranë, do ta marr prej andej, ta çoj në Gjirokastër, te familja e nënës së gruas. Është djali im. Është gruaja ime. Kush do të m’i nxjerrë nga spitali, nga materniteti”?

Tahiri për një çast shtangu.

Ishim mijëra metra nëntokë, në një xhep, sa të lëvizësh krahë e këmbë, jo më shumë.

“Pse ke ardhur këtu? Ku ke punuar ti”?!

I thashë ku kisha punuar, që kisha gabuar dhe prandaj tani varesha nga ai….. “dhe të lutem, më lër të marr djalin e gruan nga spitali. Gjithë të tjerët më drejtojnë tek ti”.

Ishim gati ngjitur. Në frymë të njëri-tjetrit. Tahiri nuk po më vështronte si armik. Si njeri po më shihte. Ai burri me kokën lart, që nuk përfillte njeri, atij Tahiri që nuk i hynte gjemb në sy, tani sytë të dy, i ishin bërë pelte…!

Prapë pyeti: “Pse je këtu?! Pse je i dënuar”?! “Ta thashë: kam gabuar”. “Çfarë gabimi, kujt ia thua, mua m’i thua?! Urdhri për ty, është të të fusim në vrimën më të zezë. Urdhër nga shteti, nga ata fare-fare lart”.

“Vrimë e zezë, – i thashë? – Ku është?! Vete ndonjë bir nëne atje, shkon ti te ajo vrimë e zezë, pse të mos vete unë? Burrë e bir nëne ti, burrë edhe unë. Kaq ditë po punoj me ju dhe asnjë urdhër nuk ua kam kundërshtuar. Pse nuk ma thatë ku është ajo vrimë e zezë, ta gjej e të shlyej të keqen?! E në mos e shlefsha të gjithën, do punoj të rris djalin tim, të mbaj familjen, si të gjithë këta punëtorët që ke ti. Nuk ia përtoj punës”.

Në atë çast që po flisnim, ne ishim në llavë, në gojën e minierës, nga nxirret qymyri. Vrimë më të zezë më tej, nuk kishte. Atëherë këtë nuk e dija.

“Shef Tahiri, shkurt, jam ky që jam. Për çështje familjare, po të kërkoj leje.

Tani ai ngjante një i barabartë me mua. Nuk ishte deputeti, nuk ishte shefi. Unë i kisha rënë më gjunjë…! I kisha thënë jam një i gabuar… një i mbaruar, po dua të punoj, të jetoj si të gjithë.

Papritur hovi përpjetë, nuk e nxinte vendi. I prishur në fytyrë, m’u kthye si me kërcënim dhe me plot zërin më tha: “Ti paske qenë kriminel, kriminel i jetës tënde… paske qenë kriminel i familjes tënde…”!

E prita në heshtje këtë “verdikt” që ma jepte Tahir Mehmeti, atje mijëra metra nën tokë. Dhe ai ishte i bindur top, për këto që më thoshte.

Me rrëmbim, me britma, në të ikur e sipër, dëgjova që më tha: “Ke lejen time. Sa të duash. Mbaro punë dhe kthehu. Tahir Mehmeti, të ka dhënë lejë…”! Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Rroftë KOMUNIZMI!: 04/03/2024 07:25

    Shkrim i bukur e tejet prekës. Sigurisht që janë bërë gabime si edhe faje, por gjithsesi ka pasur edhe shumë njerëz të mirë atëhere... E tani... Eh tani, ku çdo gjë është vetëm para e hordhëk e maskarallëk e asgjë tjetër... Asgjë... boshllëk, kotësi e djall... e asgjë më shumë, asgjë...

    Përgjigju
  • Pena: 03/03/2024 14:20

    Mjaft bukur dhe me nje realizem njerezor! Ne teresi ky ishte realiteti njerezor dhe zyrtar ne kohen e socializmit ne Shqiperi deri ne Vitin 90. Tani ne vitet Pas 90, besoj e dime cfare po ndodh!? Pergezime autorit!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!