Mes diskutimeve, imazheve filmike dhe ideve kreative, Shtëpia e Evropës në Tiranë u kthye këtë të mërkurë në një hapësirë ku arti dhe historia u ndërthurën natyrshëm. Nën temën “Filmat tregojnë histori”, nxënësit e shkollës “Petro Nini Luarasi” sollën një aktivitet ndryshe, ku përmes kinemasë synuan të rrëfejnë histori, të nxisin reflektim dhe të afrojnë kulturat.
“Këtu u fol për kinemanë në mënyrë të plotë: për historinë e kinemasë italiane, historinë e kinemasë shqiptare, si dhe për rëndësinë e një kinemaje që del përtej kufijve të vet, që nuk është vetëm italiane apo vetëm shqiptare, por bëhet kinema evropiane apo botërore. Folëm për mesazhe, për talente dhe për ëndrra, sepse edhe për këto flet kinemaja. Janë aktivitete që plotësojnë formimin didaktik në klasë. Sigurisht, nuk e zëvendësojnë atë, por janë plotësuese dhe shumë të rëndësishme, ashtu siç janë të rëndësishme edhe udhëtimet mësimore: të shohësh, të udhëtosh, të njohësh të tjerët dhe të mësosh prej tyre. Këto janë iniciativa që duhen propozuar gjithmonë për të gjithë të rinjtë, sepse ata kanë etje për këto gjëra, kanë nevojë për art, për ëndrra dhe për dëshira.”, tha Eva Bambagiotti, Drejtoreshë në Zyrën e Shkollës së Ambasadës Italiane në Tiranë:
Nxënësit patën mundësinë të reflektojnë mbi rolin e filmit si një mjet për të kuptuar të kaluarën dhe për të ndërtuar ura komunikimi mes kulturave.
“Zgjodhëm një tematikë ndryshe larg temave politike. Zgjodhëm filmin si dëshmitar i vetëm i të shkuarës, të tashmes dhe i të ardhmes, jo vetëm për faktin se ngelen në memorjen e njerëzve, por edhe tregojnë diferencat apo të përbashkëtat që popujt kanë me njëri-tjetrin. Asnjë gjë nuk është më mirë se arti. Arrin të bashkojë popujt, dëshirat dhe lidhjet shekullore që ato kanë patur. Të rinjtë kanë brenda vetes shumë ide, kanë shumë aftësi artistike, dëshira. Duhet t'i orientojmë dhe të nxjerrim prej tyre atë që është më e mirë. Duke nisur nga eksperienca personale e shkollës tonë, ne e kemi tashmë një një film me metrazh të shkurtër ku kemi fituar një çmim në 2018-ën në Junior Eurovision Film Festival (Jeff Festival) në Sanremo dhe pse jo mos ta provojmë përsëri diku tjetër dhe pse mos fitojmë dhe një çmim tjetër.”, tha Albana Muceku, profesore e italishtes dhe ideatore e projektit.
“Është një gjë e mrekullueshme që ë studentët, nxënësit e kanë kinemanë shqetësim të jetës së tyre të përditshme. Por nuk është ë vetëm fakti që janë konsumues të kinemasë, është interesi që ata kanë mbi përmbajtjen dhe nga pikëpamja e krijimit të kinemasë, të shkruarjes së historive të reja, krijimit të filmave të shkurtër dhe aktorëve të rinj që po dalin nga bankat e shkollës. Është me interes për t'u përmendur se ky gjimnaz ka një traditë, duke marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare për të rinj dhe sigurisht janë të angazhuar që në të ardhmen të kenë disa produkte të reja, filma të shkurtër, po edhe nëpër mediat sociale, domethënë tema që shqetësojnë jetën e tyre direkt. Është për t'u përshëndetur kjo iniciativë që në ditën e Europës, këtu në 'Europe House', ata sjellin një biografi apo një analizë të tyre të historisë kinemasë shqiptare, por edhe asaj europiane.
Më befason njohuria e tyre mbi kinemanë dhe zhvillimet e kinemasë në botë sot dhe shqetësimi qytetar apo dhe angazhimi i tyre drejtpërdrejtë në kinema dhe kjo shkon në njëfarë mënyre dhe me interesat e Qendrës së kinemasë së Shqipërisë sot, që ka një interes të jashtëzakonshëm për promovimin e talenteve të reja apo dhe pjesëmarrësve dhe krijuesve të rinj. Ndoshta do të ishte një oportunitet i jashtëzakonshëm për ata që të gjejnë mënyrën e bashkëpunimit jo vetëm me qendrën, por edhe me studentë potencialë të Akademisë së Arteve në fushat e regjisurës, aktrimit e të tjerë.”, tha regjisori Andamion Murataj.
Vetë nxënësit prezantuan punën e tyre kërkimore mbi kinematografinë shqiptare dhe evropiane
“Kemi përgatitur një prezantim për kinematografinë shqiptare dhe evropiane, për bashkëpunimet mes shteteve dhe mesazhet që përcjellin filmat. Këto prezantime janë të rëndësishme për kulturën dhe për të sjellë ide të reja.”, tha Leada Dauti, nxënëse e klasës së 11-të te “Petro Nini Luarasi”.
“Kemi përgatitur prezantimin, i cili është gjithashtu në gjuhën italiane dhe në të cilin ne flasim për kinematografinë gjatë kohës së komunizmit në Europë dhe gjithashtu edhe kinematografinë shqiptare me të cilën ne jemi rritur.”, tha nxënësja Pemiltea Rexhollari.
“Filmat tregojnë histori” erdhi në kuadër të Javës së Evropës si një aktivitet, që pasuron njohuritë e nxënësve dhe e sjell Evropën më pranë të rinjve përmes artit.
Komente











