Historia përmes videos/ PS feston 29-vjetorin, Rama: Nëse doni ta provoni, çojini deri në fund! Festë edhe në PD, Basha bëhet 46-vjeç

TIRANE-Partia Socialiste feston sot 29-vjetorin e themelimit. Dita e festës ka nisur me një urim nga kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë shkruan se PS-ja në 29 vite ka fituar e ka humbur zgjedhje, po kurrë nuk e ka bërë gabimin e cenimit të interesit kombëtar.

"Gëzuar ditën e lindjes së forcës më të madhe politike shqiptare, Partisë Socialiste, e cila në 29 vjet ka fituar e ka humbur zgjedhje, ka pasur shkëlqime e rënie, po kurrë nuk e ka bërë gabimin e cënimit të interesit kombëtar dhe gjithnjë ka ditur të ripërtërihet, në rrugën e një ideje të madhe e të shumë punëve për Shqipërinë, që vazhdon..." shkruan Rama.

Ashtu si vitin e kaluar, Edi Rama ka postuar një video të rrugëtimit në vite të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në video shfaqet rrugëtimi i viteve të vështira, por edhe figurat kryesore, mes të cilave Dritëro Agolli dhe Fatos Nano.

Jeta juaj është e juaja, mos e lini të struket nën hijen e nënshtrimit prej goditjeve. Hapini sytë katër. Ka dalje edhe kur s’ka. Ka dritë diku. Mbase s’do ketë aq shumë dritë, por ka aq sa për të mundur terrin.

Hapini sytë katër. Zotat do t’ju ofrojnë shanse. Shihini. Kapini. Ju s’’mund ta mundni vdekjen, por nganjëherë vdekjen e të jetuarit mund ta mundni. E sa më shpejt mësoni ta bëni këtë. Aq më shumë dritë do të ketë.

Kujtojeni këtë gjithë sa kohë jetoni. Jeni mrekullia vetë. Zotat presin të kënaqen brenda jush. Nëse doni ta provoni, shkoni deri në fund përndryshe mos u nisni fare.  Nëse doni ta provoni, çojini deri në fund. Gjithçka tjetër është qëndrueshmëri.

Sprovë deri në çfarë pike jeni gati të rezistoni dhe do t’ia dilni  pavarësisht rrëzimeve dhe shanseve fare të vogla e do jetë më mirë se ç’mund të parafytyroni. Nëse do ta provoni, shikojini deri në fund. Asnjë ndjesi tjetër si kjo nuk ka. Krejt të vetëm para zotave. Nata do ndriçojë nga zjarri juaj. Bëje, bëje, bëje, deri në fund.

Do ta çoni jetën tuaj drejt të qeshurës së përsosur . Është e vetmja betejë që vlen të luftohet. Sukseset tona të mëdha s’mund t’i kemi kurrë pas, sepse fati që duam sheh nga lart”, thuhet në videon e publikuar nga Kryeminsitri Rama” janë disa nga mesazhet në video, të shkëputura nga dy poemave sublime nga Charles Bukoëski.

Por, jo vetëm selia e majtë, po edhe ajo e djathtë ka festë. Nga kampi blu, sot kryedemokrati Lulzim Basha feston ditëlindjen dhe mbush plot 46 vjeç. Pritet për t'u parë nëse do të ketë urime të ndërsjellta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:35
Veliaj uron PS për ditëlindje: Forca që s’ka reshtur për asnjë çast së punuari për të mirën e vendit

Kryebashkaiku Erion Veliaj ka uruar Partinë Socialiste në këtë 29 vjetor të themelimit të saj. Përmes një postimi në twitter, Veliaj thekson se PS është forca që s’ka rreshtur për asnjë çast së punuari për të mirën e vendit, transformimin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. “Gëzuar Ditëlindjen Partia Socialiste e Shqipërisë- forca që s’ka rreshtur për asnjë çast së punuari për të mirën e vendit, transformimin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë”, shkruan Veliaj.

Ora 14:24
Ditëlindja e PS-së, Balla: Do të fitojmë mandatin e tretë qeverisës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht Drejtues Politik i Qarkut Elbasan Taulant Balla mblodhi strukturat e Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit në ditën e shënuar të 29 vjetorit të krijimit të kësaj partie. Kjo ditëlindje e gjen PS në një moment të rëndësishëm tha Balla, në rrugën e integrimit europian, teksa garantoi se në mandatin e tretë PS do të qeverisë vetëm në aleancë me njerëzit e thjeshtë të këtij vendi.

“Gëzuar ditëlindjen e 29 të PS çdo anëtari e simpatizanti të kësaj partie. Kjo ditëlindje e gjen PS në një moment shumë të rëndësishëm të rrugës europiane, një angazhim i kahershëm, prej ditës së parë të krijimit të kësaj partie, në funksion të atyre vlerave që kjo parti ka promovuar në rrugën e saj, si sundimi i shtetit të së drejtës, i sundimit të ligjit, e mbi të gjitha ndërtuar këto në parimet e solidaritetit social.

Unë, ashtu sikurse shumica e shqiptarëve, konstatoj se PS është partia që e ka pozicionuar veten në anën e duhur të historisë, pra duke forcuar rolin e shtetit në shërbim të qytetarëve, duke besuar tek respekti ndaj Kushtetutës dhe ndaj ligjit dhe duke i dhënë Shqipërisë, në qeverisje, një status dhe një pozicion të rëndësishëm, jo vetëm rajonal, por edhe në aspektin rajonal. Sot gjej rastin të falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuuar në PS, në fuqinë kryesore të ndryshimeve pozitive në Shqipëri, që tek themeluesi i parë e deri tek anëtarët e thjeshtë. Ndërkohë duke ju referuar momentit në të cilin ndodhemi, unë besoj që nga PS, duke vijuar këtë orientin proeuropian dhe duke i qëndruar besnikë aleancës së vetme politike me njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi, duhet të them që unë kam besimin e plotë, që në prill apo maj të vitit 2021, kur të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme, në aleancën me njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm, ne do të fitojmë besimin e shqiptarëve për një mandat të tretë”, deklaroi Balla.

Ora 13:34
Meta uron socialistët për ditëlindjen dhe zbulon dhuratën që i dërgoi Bashës: Ta kalojnë gëzuar (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta uroi socialistët për 29-vjetorin e themelimit të PS-së. "Uroj të gjithë socialistët për këtë ditë të rëndësishme për ta, dhe ti vlerësoj për ato gjëra pozitive që kanë bërë në historinë e demokracisë, të zhvillimit dhe shpresoj që të jetë një ditë reflektimi edhe për ata që drejtojnë sot dhe të tjerët" tha ai.

Një urim Meta e kishte edhe për Lulzim Bashën, që po ditën e sotme mbush 46-vjeç, ndërsa zbuloi edhe dhuratën që i kishte nisur. "Padyshim që kam nisur një urim dhe një shishe verë dhe shpresoj që edhe ai ta kalojë gëzuar dhe dy palët të reflektojnë dhe marrëveshje të tjera që të ndihmojnë integrimin" tha ai.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pensionisti: 13/06/2020 02:22

    O BURRA ne protesta per ta shkulur kete fare te keqe qe po c popullon dhe varferon kombin

    Përgjigju
  • Erjola: 12/06/2020 16:36

    Plehrat e Shqiperise !!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë