Historiania Lalaj: Më kërkuan
dekorimin e Mehmet Shehut

Historiania Lalaj: Më kërkuan<br />dekorimin e Mehmet Shehut
Në emisionin 45 minuta të gazetarit Denis Minga në Report Tv historiania Ana Lalaj ka komentuar përballjen e partizanëve me ballistët në vitet e luftës.

Kjo çështje ka ardhur në fokus pas dekorimit nga presidenti Nishani të 67 aktivistëve të Ballit që më 21 tetor të vitit 1943 u vranë nga Mehmet Shehu.

Lalaj ka deklaruar se kur ishte drejtuese e Institutit të Historisë i është kërkuar të jap vlerësim për dekorimin e Mehmet Shehut, gjë të cilën e ka refuzuar pikërisht për shkak të masakrës së 21 tetorit. Ajo gjithashtu tregoi se ekziston një tjetër letër e Mehmet Shehut drejtuar shtabit që flet për vrasjen e 130 italianëve të kapur rob në Orenjë të Elbasanit , në të njëjtën mënyrë siç u veprua me ballistët.

Ish-drejtuesja e Institutit të Historisë ka zbuluar se në kohën e presidentit Moisiu ekzistonte praktika që për çdo dekorim presidenca merrte mendimin e specializuar të historianëve të këtij institucioni. Sipas saj presidenti Nishani në rastin e 67 ballistëve nuk ka kërkuar kërkuar mendimin e Institutit të Histrisë, por veprimin e kreut të shtetit e cilësoi si një të drejtë kushtetuese të tij.

Historiania gjithashtu ka bërë një apel për politikanët të cilët sipas saj duhet të qëndrojnë larg çështjeve të luftës dhe t’ua lënë historianëve të zbardhin pa komplekse dritëhijet e saj.

A ishte i drejtë dekorimi i 67 aktivistëve të Ballit, a ishin të gjithë aktivistë apo kishte dhe të fshatarë të pafajshëm?
Presidenti është në të drejtën e tij për të dekoruar. Mund t’iu them se në kohën e presidentit Moisiu në çdo lloj dekorimi ai kërkonte të merrej miratimi nga Instituti i Historisë. Në atë kohë që unë drejtoja institutin duhet të firmosja kërkesat që vinin nga presidenca pasi merrja mendimin e historianëve dhe më pas ia dërgonim presidentit. Ishte praktikë që solli rezultate shumë pozitive. Kur ne refuzonim një kërkesë presidenti i kohës e merrte parasysh. Nuk e di me kë është konsultuar presidenti Nishani për rastin e fundit por ajo është në të drejtën e tij kushtetuese.

A ka ardhur koha të krijohet një Institut apo një organ që të japë certifikimin për dekoratat dhe kjo gjë mos ti lihet politikës?
Janë dekoruar disa njerëz që kanë punuar në sigurimin e shtetit por në këtë rast ka një ndryshim të madh. Me siguri presidenti e ka parashikuar koston, por me këtë dekorim ai ka denoncuar një krim lufte dhe kjo është më e rëndësishme. Mua më kanë ardhur edhe njerëz dhe më kanë kërkuar që të dekoroj Mehmet Shehun.

Në cilat vite?
Kur isha drejtoreshë e institutit të Historisë. Kërkesa nuk më ka ardhur nga presidenti i kohës , por nga grupe të tjera. Po nuk mund të lejoja që ai të dekorohej pikërisht për masakrën e kryer në vitin 1943. 

E ka bërë këtë procedurë Nishani, konsultimin me historianët?
Me Institutin jo, ndoshta me këshilltarët e tij.

Për të marrë një dekoratë çfarë kriteresh përdornit ju në institut?
Duhen bërë analiza në varësi të dekoratës. Bëhet një bilanc i shkurtër për veprimtarinë politike. Ky njeri ishte i diskriminuar, pse, ishte në burg apo i internuar dhe përse kanë ndodhur këto. 

Ti kthehemi rastin konkret , përderisa Presidenti Nishani nuk i është drejtuar Institutin të Historisë për mendim, po ju drejtohem ju personalisht, nëse do tju vinte kërkesa në rastin e 67 ballistëve, si do të vepronit ju, e meritojnë ata të dekorohen ?

Duhet të dimë një gjë, këta ishin ballistë fshatarë. Ishte çetë territoriale dhe ata e linin punën në toka dhe rreshtoheshin në batalion, mbaronin punë dhe ktheheshin në fshat. Niveli i tyre politik ishte pothuajse 0. U kapën rob 173 por u vranë 67, 28 u shndërruan partizanë dhe një pjesë tjetër u kthye në shtëpi. Gjyqi u bë nga 3 veta, Mehmet Shehu, një nën komisar dhe një partizan. Shehu ka pohuar edhe vetë që masa që u mor ndaj tyre ishte një masë e pamasë por unë isha i dalldisur nga fakti që ishin ballistë. Këta në një lloj mënyre u martirizuan nga një qëndrim tepër i ashpër ideologjik.

Ata u vranë thjesht se ishin ballistë apo se luftuan kundër partizanëve?
Ai ishte një gjyq sa për formë. Ata u kapën rob dhe në të tilla raste ka ligje të tjera dhe nuk veprohet kështu. Mehmet Shehu ka vrarë dhe 130 italianë në tetor te 1943 në Orenjë të Elbasanit kur ata po ktheheshin në vend pas kapitullimit. Ekziston letra që Mehmet Shehu i ka dërguar shtabit që e vërteton këtë.

Në rastin e masakrimit të 67 ballistëve Enveri ishte shqetësuar për këtë prishje të imazhit, si qëndron letra e tij dërguar Mehmet Shehut?
Enveri e ka kritikuar për masën ekstreme të Mehmet Shehut. Por ai ishte i shqetësuar për prishjen e imazhit të partisë komuniste duke qenë se bëhej fjalë për fshatarë të cilët ishin shtresa bazë e komunizmit, jo se kishte problem vrasjet.

Po për rastin e vrasjes së 130 italianëve a ka përgjigje nga shtabi?
Jo nuk ka përgjigje sepse ata ishin në bashkëpunim. Në fund të fundit rëndësi ka se kush jep urdhrin. 

Pse kjo urrejtje aq e madhe e partizanëve ndaj ballistëve, vetëm pak kojë pas marrëveshjes së Mukjes?
Duhet theksoj fillimisht se kanë qenë vetë komunistët që e kanë kërkuar Mukjen dhe krijimin e fronteve nacionalçlirimtare. Komunistët e dinin që me ardhjen e anglo-amerikanëve do të ishin ballistët që do të ishin më të afërt me ta dhe për këtë arsye komunistëve u duhej aleanca me ballistët. Konferenca e Mukjes u prish pa u nisur mirë e kjo për shkak të ndërhyrjes së jugosllavëve. 

A ka ndikuar çështja e Kosovës në prishjen e kësaj marrëveshjeje?
Mendohet, por nuk është kjo. Balli kombëtar ka bërë lëshime në çështjen e Kosovës. Problemi i Kosovës nuk ishte primar. Balli kishte çeta të vogla luftuese por me Mukjen ky bashkëpunim do institucionalizohej por u prish.

Mund të themi që marrëveshjen e prishën komunistët?
Po ata e prishën. Përplasja e parë ka ndodhur që me 4 gusht 1943 ku u bë një aksion i përbashkët mes partizanëve dhe ballistëve. Mukja e ndau luftën në dysh, Enver Hoxha i para Mukjes nuk ishte ai i pas Mukjes. Këtu ishte dhe ajo që quhet Lufta Civile ku një nga urdhrat ishte vrasja e Abaz Kupit. 

Sa kanë qenë forcat e Ballit në atë kohë?
Në vitin 1943 thuajse kanë pasur të njëjtin numër me partizanët, pavarësisht shtrembërimeve historike. Në fillim ka pasur thuajse numra të njëjtë.

A pati më pas bashkëpunim të Ballit me nazistët dhe kur filloi?
E vërteta është se Balli Kombëtar pas tetorit filloi bashkëpunimin me pushtuesit gjermanë. Bashkëpunimi ishte me furnizimin me armë, me emrat në qeveri etj dhe ky përben gabimin fatal dhe historik të Ballit Kombëtar. 

Sot po kërkohet dekorimi i liderëve të Ballit si Mithat Frashëri, Abaz Ermenji ju si do të vepronit?
Mesa kam informacion ata kanë marrë disa vlerësime por historianët janë për t’i shpjeguar gjërat ndërsa vendimet i marrin të tjerët. Nuk mund të flasim prerazi sepse varet pse dhe si i bënë krimet. Nuk mund të quhen kriminelë të mirëfilltë lufte duhen parë në të gjithë kompleksitetin e vet. Unë do të doja që gjërat të mos shihen si në komunizëm. Nuk më pëlqen që në këtë vorbull futen politikanët. Do të doja që të bëhej një moratorium që politikanët të mos futen në çështjet e luftës.

  • Sondazhi i ditës:

    A ka qenë Vettingu i gjyqtarëve e prokurorëve proces i besueshëm?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Dëgjesa e dytë për autostradën Muriqan- Lezhë! 44 km e gjatë, kostoja 255 milionë euro

Shkodër/ Dëgjesa e dytë për autostradën Muriqan- Lezhë! 44 km e gjatë, kostoja 255 milionë euro