TIRANË - Politika shqiptare nuk po bën aq sa duhet për frenimin e numrit te azilkërkuesve në Gjermani. Kjo deklarate u be nga Ambasadori Gjerman në Tiranë, Heltmut Hoffmann gjatë një interviste për A1 Report. Sipas tij, politika shqiptare po merret pak me këtë çështje. 

“Politika shqiptare është marrë pak me këtë problematikë dhe është shprehur gjithashtu pak rreth kësaj teme. Do të ishte në këndvështrimin tim mjaft e dobishme nëse do të zhvillohej një debat publik rreth kësaj teme: Pse njerëzit po largohen nga vendi? çfarë do të thotë kjo për vendin tonë? Cilat janë pasojat e këtij zhvillimi për vendin? Qeveria të apelojë në mënyrë të vazhdueshme që qytetarët të mos e ndërmarrin këtë rrugë. Të bëjnë të qartë se sa e dëmtojnë ata veten dhe vendin përmes kësaj ikjeje masive. Do të ishte mirë që politika ta tematizonte këtë çështje më fuqishëm”, - tha Hoffman. 

Ai shton se nevojitet kthimi i shpresës, që qytetarët të besojnë tek e ardhmja në vendin e tyre. 

“Është mjaft e rëndësishme që njerëzve tu rilindë shpresa. Që njerëzit të jenë optimistë që këtu gjërat do të jenë pozitive në të ardhmen. Ne si Gjermani, por dhe Bashkimi Evropian po bëjmë aq sa mundemi për t’ju ndihmuar në këtë drejtim”,- tha Hoffman. 

Ambasadori gjerman sqaron se çdo ditë, do të kthehen 150 azilkërkues, deri në përfundimin e tyre.

“Kemi filluar të rikthejmë azilkërkuesit shqiptarë gjithnjë e më shpejtë drejt Tiranës. Çdo ditë ka një fluturim në aeroportin e Rinasit për këtë qëllim dhe më lejoni të përmend bashkëpunimin shumë të mirë me palën shqiptare. Kemi siguruar mundësinë mundësinë që për çdo fluturim të rikthejmë 150 azilkërkues shqiptarë, çka e bën të gjithë procesin më ekonomik dhe më të thjeshtë. Shpresoj shumë që qytetarët shqiptarë, teksa shikojnë bashkëkombësit e tyre të kthehen përmes këtyre procedurave, shpresoj shumë që në fund ta kuptojnë që nuk ka shans azili për emigrantët ekonomikë në Gjermani”, - tha Hofman. 

Sipas ambasadorit, qeveria gjermane do të reduktojë në 4 javë kohën e përpunimit të kërkesave për azil, duke përshpejtuar kështu refuzimet.

Intervista e plotë
Tashmë ka nisur procesi i kthimit të azilkërkuesve shqiptarë nga Gjermania drejt Tiranës. Sa do të zgjasë ky proces dhe si do të kryhet ai?
Më lejoni paraprakisht që përpara se t’i përgjigjem pyetjes suaj të theksoj diçka që e konsideroj shumë të rëndësishme. Problematika e azilkërkimit në Gjermani ka marrë kohët e fundit zhvillime gjithnjë e më shumë dramatike.

Vetëm dje ne morëm parashikimin më të fundit të ministrit të brendshëm federal gjerman, sipas të cilit mendohet që brenda këtij viti në Gjermani të shënohet një shifër prej 800 mijë azilkërkuesish që kanë mbërritur ndërkohë, e që pritet të shtohen deri në fund të vitit.  40 % e të gjithë azilkërkuesve vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa 7600 prej tyre vetëm në korrik kanë ardhur nga Shqipëria. Sipas shifrave, azilkërkuesit shqiptarë kanë zënë vendin e dytë pas atyre që kanë ardhur nga Siria.

Gjithkush e di tanimë që arsyet pse shqiptarët dhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor kërkojnë azil, janë të natyrës ekonomike. Pra, nuk bëhet fjalë për azilantë për arsye politike, ndaj gjithkush duhet ta dijë se të gjithë këta azilantë që vijnë për arsye ekonomike janë të detyruar të kthehen sërish në vendet e tyre. Problemi më i madh deri më tani kanë qenë afatet për shqyrtimin e procedurave, të cilat mendohet se do të shkurton dhe me këtë pikë, mbërrij dhe te pyetja juaj.

Ne kemi filluar të rikthejmë azilkërkuesit shqiptarë gjithnjë e më shpejtë drejt Tiranës. Çdo ditë ka një fluturim në aeroportin e Rinasit për këtë qëllim dhe më lejoni të përmend bashkëpunimin shumë të mirë me palën shqiptare, të cilët kanë ndihmuar me thjeshtimin e procedurave të kthimit. Kemi siguruar mundësinë që për çdo fluturim të rikthejmë 150 azilkërkues shqiptarë, çka e bën të gjithë procesin më ekonomik dhe më të thjeshtë. Shpresoj shumë që qytetarët shqiptarë, teksa shikojnë bashkëkombësit e tyre të kthehen përmes këtyre procedurave, theksoj këtu që shumë prej tyre kthehen dhe me dëshirën e tyre të lirë, shpresoj shumë që në fund ta kuptojnë që nuk ka shans azili për emigrantët ekonomikë në Gjermani. 

A kanë arritur autoritetet gjermane të kuptojnë se pse emigrantët shqiptarë zgjedhin për të kërkuar azil në Gjermani, mes shumë vendeve të ndryshme evropiane. Pse pikërisht Gjermania?
Më lejoni të them se kjo çështje më së shumti do të duhej të diskutohej në qarqet publike shqiptare dhe unë personalisht jam i habitur se sa pak kjo çështje është bërë pjesë e diskursit publik këtu në Shqipëri. Pse shqiptarët zgjedhin pikërisht Gjermaninë, për të shkuar dhe kërkuar azil atje? Sigurisht që prej fillesave të këtij fenomeni, dhe unë kam bërë analizat e mia për të kuptuar se çfarë ndodh në këtë vend: pse njerëzit duhet të largohen prej tij, dhe mendoj që kemi të bëjmë me një kompleks arsyesh.

Nëse do të hidhnim sytë në retrospektivë në historinë e Shqipërisë dhe kushdo që e njeh atë, mund të konstatojë lehtësisht se migracioni ka një lloj tradite këtu në Shqipëri dekadave të fundit, çka është e kushtëzuar kryesisht prej gjendjes së vështirë ekonomike. Por sigurisht që ka një element tjetër të rëndësishëm në këtë histori, që është ai i mashtrimit. Ka individë të caktuar, kontrabandistë, të cilët përhapin informacione sikur në Gjermani ka mundësi punësimi apo strehimi, madje dikush kishte thënë që vetë kancelaria Merkel kishte premtuar mundësi për azilkërkues, e cila praktikisht është e pakuptimtë.

Më duhet të jem edhe autokritik në këtë pikë: ekzistojnë në Gjermani disa faktorë tërheqës, të cilët e bëjnë atraktive historinë e azilkërkimit atje. Për një punonjës që këtu fiton pak, po themi 200 euro në industrinë tekstile, Gjermania është tërheqëse nëse do të mësojnë se atje do të marrin strehim, ushqim madje dhe një sasi të vogël lekësh xhepi, gjithë kjo e bën tërheqëse Gjermaninë. Por problemi më i madh kanë qenë afatet e përpunimit të kërkesave për azilkërkim.

6-7 muaj janë tërheqës edhe për ata që e dinë që në krye të herës që në fund fare do të duhet të kthehen në atdhe. Ne jemi duke punuar në drejtim të këtyre faktorëve, jemi duke punuar në mënyrë të veçantë me reduktimin e afateve të përpunimit të kërkesave të azilkërkimit, duke synuar një afat maksimal prej 4 javësh. Edhe në aspektin administrativ është duke u punuar që të gjithë azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor të mund të grumbullohen në mënyrë lokale, në mënyrë që procedurat administrative të jenë gjithashtu më të thjeshta.

Ne në Gjermani bëjmë gjithçka që të gjithë azilkërkuesit të mund të trajtohen në mënyrë dinjitoze. Por ju lutemi për mirëkuptim, pasi të mendosh që për një vit vijnë 800 mijë njerëz të ndryshëm, kjo besoj kuptohet që është një sfidë mjaft e madhe për të gjitha komunat. Kemi pasur kohët e fundit një rast konfliktesh mes azilkërkuesish shqiptarë e sirianë, të cilin e konstatuam me keqardhje. Në sajë të këtyre rasteve lutemi për mirëkuptim dhe për efektin që kanë në psikologjinë e qytetarëve tanë këto raste.

Nëse vijojmë të mendojmë sërish se cilat janë arsyet se pse kërkohet azil, kemi të bëjmë me psikozën e masave, që në gjermanisht quhet “paniku i derë mbylljes’, pra të gjithë shkojnë, pse unë të mos shkoj, mendojnë njerëzit. Unë mendoj që kësaj psikoze do të mund ta ndërpresim vetëm nëse vijojmë me kthimet masive të njerëzve.

A mendoni se ka diçka që në Shqipëri nuk ka shkuar siç duhet në politikat e parandalimit, diçka që mund dhe që duhet të korrigjohet?
Më lejoni të theksoj se ne bashkëpunojmë shumë mirë me palën shqiptare sa i takon çështjes së azilkërkimit. Me Policinë Shqiptare gjithashtu, e cila ka bërë çka është e mundur në këtë drejtim, me instrumentet e veta për të mbajtur nën kontroll valët e azilkërkuesve.

Në këtë drejtim ne kemi dërguar dhe 12 policë gjermanë në ndihmë të Policisë Shqiptare. Politika shqiptare është marrë pak me këtë problematikë dhe është shprehur gjithashtu pak rreth kësaj teme. Do të ishte në këndvështrimin tim mjaft e dobishme nëse do të zhvillohej një debat publik rreth kësaj teme: Pse njerëzit po largohen nga vendi? Çfarë do të thotë kjo për vendin tonë? Cilat janë pasojat e këtij zhvillimi për vendin?

A keni diçka konkrete që duhet të bëjë qeveria shqiptare në situatën aktuale?
Qeveria të apelojë në mënyrë të vazhdueshme dhe publike që qytetarët të mos e ndërmarrin këtë rrugë. Të bëjnë të qartë se sa e dëmtojnë ata veten dhe vendin përmes kësaj ikjeje masive. Mendoni familje të tëra që largohen për një afat 5 muaj, pasi kanë shitur gjithçka që kanë pasur para se të iknin, kthehen dhe duhet të përballen me hiçin. Kjo nuk mund të jetë mirë as për ata, e as për vendin. Do të ishte mjaft e dobishëm që politika ta tematizonte këtë çështje shumë më fuqishëm në publik.

Është mjaft e rëndësishme që njerëzve tu rilindë shpresa. Që njerëzit të jenë optimistë që këtu gjërat do të jenë pozitive në të ardhmen. Ne si partnerë të Shqipërisë, Gjermania, por dhe Bashkimi Evropian po bëjmë aq sa mundemi për t’ju ndihmuar në këtë drejtim, përpiqemi të kontribuojmë në mënyrë konkrete. Gjermania jep kontributin më të lartë të mbështetjes për frymë të popullsisë këtu në vendin tuaj.

Z. Ambasador sa mendoni që ky fenomen mund ta dëmtojë procesin e integrimit? I referohem këtu deklaratës së kancelares Merkel në Tiranë, e cila tha se është e pakuptimtë që një vend që kërkon të hapë negociatat për anëtarësim, ka një popullsi që kërkon azil në numër kaq të madh?
 E drejta për azil është krijuar për ata njerëz të cilët kanë diskriminim dhe përndjekje politike në vendet nga vijnë. Kjo ka qenë pikënisja e krijimit të së drejtës për azil që këtyre njerëzve tu krijoheshin mundësi jetese.

Jo çdo njeri në Gjermani është ekspert për Shqipërinë. Kur njerëzi atje shikojnë që mijëra shqiptarë vijnë në vendin e tyre, dhe kërkojnë azil, atëherë pyetja e parë që ju vjen në kokë është: çfarë është duke ndodhur në Shqipëri? Kur vijnë 7500 azilantë shqiptarë brenda një muaji në Gjermani. Shumica vijnë atje për arsye ekonomike, e në këtë moment krijohet një perceptim jo e mirë, sa i takon ambicies së vendit tuaj për tu bërë dikur anëtare e BE-së, çka me siguri nuk është një zhvillim pozitiv në këtë drejtim.

Referuar deklaratës së Kancelares Merkel në Tiranë, se Gjermania nuk ka nevojë për azilkërkues, por për njerëz të kualifikuar, a ka Gjermania nevojë për burime njerëzore nga Shqipëria? Nëse po, çfarë lloji?
Pyetja juaj më jep rastin të theksoj diçka që e konsideroj shumë të rëndësishme. Shpresoj që të gjithë ta kenë të qartë dhe ta kuptoj mirë atë që po them: të gjithë ata shtetas të Ballkanit Perëndimor që shkojnë në Gjermani për azil, nuk do të kenë asnjë shans për tu njohur në të drejtën e tyre të azilkërkimit, duke qenë se janë emigrantë ekonomikë. Herët apo vonë ata do të duhet të kthehen dhe azilkërkimi nuk është rrugë që ofron mundësi punësimi në Gjermani.

Por këtu dua vëmendjen e të gjithëve: edhe në Gjermani ka vend për shqiptarët për t’u punësuar në mënyrë ligjore. Në Gjermani është zhvilluar një ekonomi mjaft e mriz vitet e fundit, në kontekst të së cilit, janë konstatuar nevoja të caktuara të fuqisë punëtore në disa profesione që mungojnë. Unë kam në dorë një listë të hartuar nga Agjencia Federale e Punës, me 80 profesione në të cilat kërkohet fuqi punëtore. Për të përmendur vetëm pak nga lista, do të thosha që një profesion i munguar është ai i infermierit, elektricistit apo i hidraulikut. Pra, përmenda vetëm 3 nga 80. Kush është i kualifikuar në një prej këtyre profesioneve dhe mund ta dëshmojë këtë kualifikim të vetin, ai mund të kërkojë një punë në Gjermani.

Në këtë rast janë autoritetet gjermane ato që verifikojnë zotërimin e këtij kualifikimi dhe njohjen e tij në Gjermani. Kush merr njohjen e këtij kualifikimi nga shteti gjerman, ai mund të shkojë në Gjermani në kuadër të liberalizimit të vizave, të kërkojë një kompani gjermane që po kërkon të punësojë një profesion të tillë, të lidhë me këtë firmë një kontratë pune, dhe me të gjitha këto dokumente të vijë në ambasadën gjermane në Tiranë. Këtu do të tregojë këto dokumente: njohjen e kualifikimit, kualifikimin origjinal sigurisht, kontratën e punës, dhe këtu pastaj do të aplikojë për një vizë pune.

Por duhet që të kuptohet mjaft mirë, ata që kanë shkuar në Gjemani me një procedurë azilkërkimi, ja kanë hequr vetes mundësinë e punësimit. Në rastin më negativ atyre do t’u ndalohet hyrja apo rikthimi në Gjermani. Rruga që unë përshkrova është një rrugë mjaft e mundshme për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Lidhur me gjetjen e informacioneve në këtë drejtim, ju sugjeroj t’i drejtoheni faqes së internetit të ambasadës dhe të gjeni këtë material që momentalisht është vetëm në gjermanisht, por do të jetë shpejt edhe në shqip.

Ju përmendët mungesën e shpresës dhe gjendjen e vështirë ekonomike si faktorë kryesorë në rritjen e azilkërkimit. Nëse ju sot do të ishit një shqiptar, a do të kishit kërkuar azil në Gjermani?
Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjesha me apelin tim drejtuar shqiptarëve: duhet të qëndroni në vendin tuaj, për të dhënë kontributin tuaj në zhvillimin e vendit. Në të gjithë botën ka dhe vende shumë më të bukura sesa Shqipëria, por shqiptarët kanë detyrën për të qëndruar dhe për të zhvilluar Shqipërinë. Në 25 vitet e fundit Shqipëria ka shënuar një zhvillim të konsiderueshëm dhe nëse të gjithë ata që kanë një potencial për të kontribuar largohen, atëherë çfarë do të ndodhë më vendin tuaj?

Dhe një herë dëshiroj të përsëris apelin tim. Nuk është asnjëherë mjaft për të përsëritur edhe faktin që Shqipëria nuk është e vetme në këtë rrugë. BE dhe Gjermania është mjaft e angazhuar në vendin tuaj, dhe dëshirojmë të japin ndihmën tonë konkrete për zhvillimin e Shqipërisë, në orientimin e qartë se integrimi evropian është destinacioni juaj dhe do të punojmë drejt këtij destinacioni.

Në karakterin tim është ta shoh gotën gjysmë plot sesa gjysmë bosh. Për mua do të ishte me vend të saktësojmë anët e mira të integrimit në BE, sesa të nxirrnim në plan të parë anët negative si lodhjet prej zgjerimit, e të tjera si këto. Shqipëria ka bërë një progres për tu shënuar në këtë drejtim, një progres i cili përpara 10 vjetësh do të kishte qenë i pa imagjinueshëm.  
 
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)