DW: Z. Hoffmann, keni filluar detyrën tuaj të ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri në një kohë interesante. Të hënën, më 9 shtator, fillon punimet Parlamenti i ri dhe shumë shpejt edhe qeveria e re. Cilat janë pritshmëritë e Gjermanisë nga Parlamenti dhe qeveria e kryeministrit socialist Edi Rama?
Hellmut Hoffmann: Së pari jam shumë i kënaqur të jap një intervistë për DW. Deutsche Welle, këtu në Shqipëri, për shumë vite ka luajtur dhe luan një rol shumë pozitiv duke informuar objektivisht dhe kjo është shumë e vlerësuar. Kam ardhur në Shqipëri vërtet në një moment interesant: është zgjedhur Parlamenti i ri. Para se të vij tek sfidat e qeverisë së re, dëshëroj të them se gjithë komuniteti ndërkombëtar është shumë i kënaqur për mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Kishte një lloj nervozizmi, që buronte nga përvojat e zgjedhjeve të mëparshme. Mendoj se shumica e vëzhguesve ndërkombëtarë do të ishin të një mendjeje se ato shkuan mjaft mirë dhe ky është një zhvillim shumë i mirëpritur dhe pozitiv lidhur edhe me aspiratat e Shqipërisë ndaj BE. Qeveria e re ka sfida mjaft të mëdha. Jam i gëzuar që bisedova dje me kryeministrin Edi Rama, patëm një takim të gjatë dhe konstruktiv. Ai më foli për problemet, vështirësitë, sfidat që po përballon Shqipëria. Edhe pse kam pak kohë që jam në Shqipëri, nuk të duhet të jesh një gjeni, që të marrësh me mend se të përmirësosh këtu kushtet ekonomike dhe sociale për njerëzit është një sfidë e madhe. Kam mbetur vërtet i habitur nga zhvillimi në Tiranë, edhe pse nuk kam qënë me parë, por mjafton të hapësh sytë që të shohësh çfarë ka ndodhur në këto 10- 15 vitet e fundit. Sheh shumë progress, por edhe shumë varfëri. Dhe jam i sigurtë që kur të udhëtoj në Shqipëri do të shoh edhe më shumë varfëri. Natyrisht, hapja e vendeve të reja të punës do të jetë një sfidë e madhe. Por përtej kësaj sfide ka edhe çështje të tjera: stabiliteti politik është një çështje shumë e rëndësishme, po kështu edhe kultura e bashkëpunimit: ka përherë një debat politik mes opozitës dhe qeverisë, mendoj se është e rëndësishme të gjëndet ekuilibri i duhur midis polarizimit dhe konsensusit. Parlamenti i ri ka një shans të madh të zhvillojë më tej kulturën politike drejt këtij dimensioni të veçantë. Lidhur me sfidat në përgjithësi të gjithë e dimë se ka disa kritere të përcaktuara për Shqipërinë për të lëvizur më pranë statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ka edhe një seri çështjesh të veçanta si transparenca, zbatimi i ligjit. Mendoj që nocioni i zbatimit të ligjit është vërtet thelbësor. Për cilindo shtet modern europian është shumë e rëndësishme vendosja e një sistemi të qëndrueshëm, solid të zbatimit të ligjit. Dhe kur e ke këtë sistem shumë gjëra pastaj vijnë prej tij.
DW: Shqipërisë i duhet një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik si parakusht për përmirësimin e kushteve social ekonomike të jetesës dhe progres në procesin e integrimit europian, Investimet e huaja kanë rolin e tyre në këtë drejtim. Deri tani ka rreth 50 kompani të vogla dhe të mesme gjermane, që operojnë në Shqipëri. Çfarë duhet bërë që investitorë të mëdhenj, të rëndësishëm gjermanë të investojnë në Shqipëri?
Hellmut Hoffmann: Ka një numër ndërmarrjesh gjermane, që po bëjnë biznes në Shqipëri. Ka një numër projektesh të jashtëzakonshme si ai i aeroportit me kompaninë gjermane Hochtief, kompanitë gjermane janë aktive në portin e Durrësit, ka një park biznesi pranë aeroportit etj. Mendoj se është e drejtë të thuhet që industria gjermane, kompanitë gjermane janë me siguri të interesuara të bëjnë biznes në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipëri. Por duan që të plotësohen disa kushte. Dhe këtu kthehemi përsëri tek çështja e sundimit të ligjit. Njerëzit kanë nevojë të ndihen të sigurtë, p.sh. kur marrin pjesë në një tender, nëse kompania X e fiton, atëhere kontrata duhet bërë me kompaninë X. Çështje të tilla janë shumë të rëndësishme, pasi natyrisht njerëzit flasin me njëri-tjetrin, ndajnë përvoja dhe sa herë krijohet një situatë problematike fjalët për të qarkullojnë shumë shpejt. Gjithçka që shkon në drejtimin e ngritjes së një sistemi të besueshëm për zbatimin e ligjit, është shumë pozitive. Qeveria e re është shumë e interesuar për këtë. Kryetari i saj Rama ma tha dje, gjatë takimit tonë, që kjo do të jetë një nga çështjet, ku ai do të fokusohet. Po kështu lufta kundër korrupsionit, që është një sfidë e madhe, jo vetëm për Shqipërinë, por për shumë vende. Mirëpres shumë synimin për t'u marrë me një problem kaq të vështirë si korrupsioni. Kam besim se Shqipëria do të zhvillohet shumë mirë, nëse i përdor në mënyrë krijuese potencialet e saj të mëdha.
DW: A ka ndonjë progres në ndërtimin e linjës 400 KV të interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë, të financuar nga Banka Gjermane KfW?
Hellmut Hoffmann: Jam informuar që ka vërtet progres në realizimin e këtij projekti, që është shumë i rëndësishëm, energjia elektrike është shumë e rëndësishme. Shqipëria është një prodhuese e kësaj energjie nga hidrocentralet. Dhe ky është një element i rëndësishëm në strategjinë e saj të ardhshme ekonomike dhe është fare e qartë që Shqipërisë i duhet kjo linjë për të importuar dhe eksportuar energji. Kam mësuar që ka patur vështirësi me këtë projekt, por jam i kënaqur të them që OST, operatori shqiptar i transmetimit të energjisë, realizoi përsëri tenderin për këtë projekt në përputhje me kriteret e bankës gjermane KfW. OST ka marrë oferta nga kompanitë e interesuara të ndërtimit dhe është në fazën e vlerësimit teknik dhe presim që kontratat e ndërtimit të përfundojnë këtët vit dhe puna të fillojë menjëherë brenda këtij viti.
DW: Qeveria gjermane mbetet në këto 20 vjet donatorja më e madhe në marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë. Cili është konteksti i këtij realiteti në marrëdhëniet me Shqipërinë?
Hellmut Hoffmann: Nuk është sekret që Gjermania përbën një element të fortë brenda BE dhe është një forcë e madhe ekonomike. Gjermania ka marrëdhënie tregtare shumë aktive me shumë vende të botës dhe është një eksportuese e fuqishme. Ajo ka shumë interes të mbajë dhe të zhvillojë marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike me partnerë në të gjithë botën, dihet që mirëqënia e saj ekonomike varet nga të pasurit të tilla marrëdhënie me partnerë në të gjithë botën. Për të qënë më specifik: nuk ka ndonjë dimension direkt EURO me Shqipërinë. Por në të njëjtën kohë Gjermania dëshiron të tregojë solidaritet me partnerët rreth saj. Është mirë që Gjermania të ndodhet në një mjedis të qëndrueshëm. Lidhur me Ballkanin dhe veçanërisht me Shqipërinë, kur i drejtohemi historisë, shohim se Gjermania ka patur gjithmonë interest të fortë për këtë rajon. Gjermania ka shumë interes, që Ballkani të ketë stabilitet politik dhe ekonomik. Dhe Shqipëria është një element i fuqishëm në ekuacionin e stabilitetit. Po kthehem në pyetjen tuaj të parë lidhur me pritshmërisë e Gjermanisë nga qeveria e re për të thënë që ne kemi nevojë për partnerë në Ballkan, që janë bashkëpunues dhe konstruktivë, shohim që vitet e fundit ka patur çështje të vështira dhe është shumë e rëndësishme që qeveritë të ndjekin politika konstruktive. Në këtë drejtim Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në vitet e fundit dhe shpresojmë shumë, që kjo do të vazhdojë. Pra bashkëpunimi ekonomik mes Gjermanisë dhe Shqipërisë duhet parë në këtë kuadër të gjerë. Dhe së fundi por jo më pak e rëndësiushme është miqësia historike mes dy vendeve, që luan rolin e vet. Ka shumë aspekte dhe elemente në strategjinë e bashkëpunimit mes Shqipërinë dhe dëshirojmë që kjo të vazhdojë.
DW: Z. Ambasador, ju i keni cilësuar “të shkëlqyera” marrëdhëniet mes dy vendeve. A do të thellohet bashkëpunimi në fushat ekzistuese, apo ka gjasa edhe për fusha të reja? Cilat do të jenë prioritetet gjatë mandatit tuaj si ambassador i RFGJ në Tiranë?
Hellmut Hoffmann: Kur them që marrëdhëniet janë të shkëlqyera dua të them që mes Gjermanisë dhe Shqipërisë nuk ka çështje të vështira të pazgjidhura. Pasi mes vendeve ekzistojnë të tilla çështje. Dhe kjo në vetvete është shumë pozitive. Por duke thënë që marrëdhëniet janë të shkëlqyera, kjo nuk përjashton aspak që mund të dalë ky, ose ai problem. Përndryshe diplomatët nuk do të hynin në punë. Ka biznesmenë gjermanë, që vijnë në ambasadë për të paraqitur dhe zgjidhur problemet, që u dalin.Shpresoj që të jap një kontribut pozitiv në këto marrëdhënie lidhur me reputacionin e Shqipërisë në Gjermani. Mendoj se ka një trashëgimi nga e shkuara, që shumë njerëz në Gjermani, kur përmendet Shqipëria, mendojnë për të shkuarën, diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Duhet punuar për të ndryshuar këtë përfytyrim. Psh, Shqipëria është një vend shumë i bukur nga natyra, që nga Alpet shqiptare deri tek plazhet e Jugut. Shumë pak gjermanë e dinë këtë. Kur erdha për herë të parë në Tiranë, mbeta i suprizuar: nuk e prisja të shihja një qytet kaq të gjallë, ku kanë ndodhur kaq shumë ndryshime, kjo duket, nuk është nevoja të kesh qënë më parë për ta kuptuar. Për të portretizuar këtë vend ashtu si është, në mënyrë realiste është një kontribut i rëndësishëm, të ftojmë gjermanë të vijnë në Shqipëri, të shohin se çfarë ndodh këtu dhe unë do të përpiqem t'u jap një tablo realiste të Shqipërisë, kam një mendje kritike, por dëshiroj të jem edhe objektiv njëherazi, dëshiroj të marr në konsideratë përpjekjeti që bëjnë këtu njerëzit dhe vështirësitëi që u duhet të përballojnë. Nëse më pyesni se çfarë do të bëj si ambasador, kjo është ajo që mendoj për rolin, që unë mund të luaj në marrëdhëniet dy palëshe, një rol ky modest.
DW: Shqipëria shpreson të marrë këtë vit statusin kandidat për anëtarësim në BE, pas tre vitesh rradhazi aplikimi të pasuksesshëm. A mendoni se këtë herë shpresat do të realizohen?
Hellmut Hoffmann: Gjermania është tërësisht në favor të integrimit të Shqipërisë në BE. Gjermania u takon atyre vendeve, që ka disa ide lidhur me ritmin e procesit të integrimit dhe kjo lidhet me atë, që thashë më parë, që Gjermania dëshiron të jetë në një zonë me stabilitet politik dhe ekonomik, kjo ka të bëjë shumë me përvojën tonë historike. Shqipëria është një element i rëndësishëm lidhur me stabilitetin politik të rajonit, që ne e vlerësojmë shumë. Le të shohim, sesi do të shkojnë gjërat në fund të vitit, sesi do të votojnë vendet anëtare të BE.
DW: Shqipëria e fitoi testin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit…
Hellmut Hoffmann: Kjo është e vërtetë. Por statusi është një çështje shumëdimensionale. Kur negociatat e zgjerimit të hapen, une kam besim që kjo do të ndodhë, atëhere duhen plotësuar një sërë procedurash, dosjesh, që kërkojnë shumë punë. Ne, vendet anëtare të BE, kemi formuluar në vite standarte dhe BE ka kuptim, sens, se u përmbahet këtyre standardeve. Kjo është në të mirë të BE dhe vendeve kandidate. Mendoj se kjo ka ndihmuar gjithë ish vendet kandidate, që tanimë janë anëtarësuar, të zhvillohen politikisht, ekonomikisht, është një fakt, që plotësimi i standardeve luajti një rol konstruktiv dhe jam shumë optimist që ky do të jetë edhe rasti i Shqipërisë.
Marre nga Dwelle
(sg/shqiptarja.com)