HONG KONG- Liderë të studentëve protestues në Hong Kong kanë paralajmëruar protesta të reja, edhe më agresive në thirrjet e tyre pro-demokracisë. Ata i kanë dhënë afat deri në mesnatë kryeministrit Cy Leung të largohet nga vendi, pasi në të kundërt do të intensifikojnë veprimet e tyre, përfshi këtu pushtimin e disa ndërtesave të rëndësishme qeveritare.
 
Lester Shum, zëdhënës i Federatës së Studetëve tha për gazetarët se nuk ka asnjë vend për dialog me shefin e ekzekutivit Leung, pasi ai urdhëroi policinë të hedhë gaz lotsjellës ndaj demonstruesve gjatë fundjavës. Përfaqësuesi i studentëve tha dhe se mirëpresin mundësinë për të folur me një zyrtar kinez të qeverisë.
 
Mijëra aktivistë, kryesisht studentë, i bënë thirrje për të disatën herë Pekinit të heqë dorë nga planet e saj, teksa Kina festonte Ditën e saj Kombëtare. Përkundrejt atmosferws festive, ka pasur një ndjenjë nervozizmi pasi turma u mblodh në një demonstratë, e cila është thënë se do të jetë më e madhja, pas 5 ditë protestash intensive. Disa prej protestuesve tejkaluan rojet e sigurisë për t’iu afruar Leung, i cili mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit, por nuk arritën.

protesta hong kong
protesta hong kong
FOTO të tjera
 
Këto protesta janë cilësuar si më të këqijat në Hong Kong, që kur Kina rimori sundimin e ish-kolonisë britanike në vitin 1997. Kjo paraqet edhe një nga sfidat më të mëdha politike për Pekinin, e përçarë nga protestat pro-demokracisë. Protestuesit këmbëngulin që Kina të tërheqë planet e saj për zgjedhjen e udhëheqjes së Hong Kongut në 2017-ën.

Kina feston Ditën Kombëtare. Në Hong Kong protesta për Demokraci.

Ndërkohë që në Hong Kong zhvillohen mitingje të mëdha pro-demokracisë, udhëheqësi i rajonit, Cy Leung u ka bërë thirrje protestuese të mbështesin reformat zgjedhore të përcaktuara më herët nga Pekini.

Ashtu siç ishte planifikuar, dita e sotme nisi me një ceremoni për ngritjen e flamurit që shënon edhe Ditën Kombëtare të Kinës Komuniste, kjo pavarësisht protestave të vazhdueshme që kanë pezulluar të gjitha aktivitetet në rrugët kryesore të qytetit.

Ndërkohë që mijëra demonstrues që kërkojnë votë universale, qëndrojnë në rrugët e Hong-Kongut duke ushtruar presion ndaj qeverisë së Pekinit, e cila i quan veprimet e tyre të paligjshme. Udhëheqësit e protestës studentore kishin vendosur një afat deri të martën për një takim me udhëheqësin Leung, por kjo nuk u realizua.
 
Përkundrazi, duke folur në Ditën Kombëtare, Leung tha se Hong Kongu duhet të punojë me Pekinin, si të vetmen mënyrë për të shënuar progres. Nga ana tjetër, protestuesit janë zotuar se do të zgjerojnë protestat e tyre deri sa udhëheqja kineze të vendosë për reforma të tjera zgjedhore.
 
Kina sundon Hong Kongun me një formulë të tillë “një vend, 2 sisteme”, sipas së cilës ish-kolonia britanike gëzon deri diku një shkallë autonomie në territorin e Kinës.
 
Redaksia Online
(e.n/a.h/shqiptarja.com)