/ATSH/.- Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se avancimi i partneritetit publik-privat është prioritet dhe i domosdoshëm si për nivelin qendror, ashtu edhe për atë lokal dhe se duhet të ofrohen kushte të mira për bizneset që shprehin gatishmërinë për të investuar në pajtim me ligjet dhe programin zhvillimor të qeverisë së Kosovës.
Sipas KosovaPress, këto komente Hoti i bëri në takimin e komitetit për partneritet publik-privat. Gjatë takimit u prezantuan projekte të rëndësishme të nivelit qendror dhe atij lokal, që kanë të bëjnë me partneritetin publik-privat.
Këto projekte mundësojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe ofrimin e shërbimeve më të mira dhe efikase për qytetarët e Kosovës dhe me to mundësohet edhe kursimi i buxheti të shtetit.












