Kryeministri Edi Rama pasditen e sotme vizitoi familjen Çupi që është zhvendosur në shtëpinë e re në Kamëz pas tërmetit tragjik në Thumanë. Aleks Çupi arriti që të shpëtonte nga tërmeti, ndërsa humbi babanë, nënën dhe vëllanë që kishte ardhur nga Anglia për fejesën e tij. Rama u shpreh se Aleksi me të fejuarën Klarën, me besim e kurajo dhe me mbështetjen e pakursyer të qeverisë do ta vazhdojnë së bashku rrugën e jetës, duke ndërtuar familjen e tyre të re dhe kujtuar gjithnjë ata që s’janë më. Gjatë bisedës Rama tregoi sakrificën e të gjithë stafit dhe ministreve, ndërsa bëri disa batuta. Aleksi ndodhet në karrocë, por fatmirësisht shpëtoi nga tërmeti tragjik.
Biseda e kryeministrit Edi Rama me Aleksin
Rama: Ngushëllime për humbjet. Më e keqja kaloi
Aleksi: Po, po kaloi
Rama: Ku e ke problemin?
Aleksi: Vetëm të këmba, nuk kam forcë
Rama: Nuk ka problem afatgjatë?
Aleksi: Jo, jo vetëm vënia në lëvizje
Rama: Shyqyr që paske gjithë këta njerëz
Aleksi: Po, po jemi shtëpi e madhe. Duhet ta kthejmë dhimbjen në forcë, cdo gjë është e shkruar
Rama: Po cfarë thonë këta mjekët tani
Ogerta Manastirliu: Duhet ta ndjekë me fizoterapist. Aleksi ka pasur një problem shumë më të madh në mëlçi, por e kaloi pa ndërhyrje
Aleksi: Më thonin se do ta futesha në sallë
Ogerta Manastirliu: Traumën e kaloi, tani rikuperimi dhe kalimi në normalitet
Rama: Shtëpia më duket e mirë
Aleksi: Po, po, shumë mirë
Rama: Ta gëzoni dhe të keni vetëm momente të mira, qofshi me kaq
Familjarët: Ajo është e fejuara
Rama: E pashë, e pashë, nga mënyra si i rri në këmbë është me fat
E fejuara e Aleksit: Edhe në jemi me fat që e fali Zoti
Rama: Faleminderit për fjalët e mira, i pëlqejnë të gjithë. Ne këto punë kemi. Në këto kushte është shumë e rëndë dhe gjendesh pranë diçkaje e që se pranon dot dhe të merr përpara dhe
maksimumi që mund të bësh është të qash hallin që mund të qahet, pastaj cfarë mund të thuhet? Por këto gjërat e tjera të mos mungojnë. Brenda datës 15 dhjetor familjet që e kaluan më keq se të tjerat do të ishin në banesa. Kemi edhe nesër edhe pasnesër edhe mbaron. Të hënën do të çoj dhe atë Kristiano Ronaldon në shkollë, dhe jeta vazhdon. Pastaj janë gjithë ato shtëpi për të rindërtuar. Ata që humbën shtëpinë nuk humbën njeri e kanë më të lehtë se ata që humbën njerëzit. Njeriu është bërë që mund të harrojë të keqen. Kur përballesh me humbjen e njeriut thua “ore i kam fal të gjitha. I fal të gjitha vetëm që mos të më ikë njeriu që kam”. Mirëpo njerëzit harrojnë, kështu është bërë kjo jetë.
(E fejuara e Aleksit qeras Ramën dhe të pranishmit me karamele)
Rama: Nuses së shtëpisë nuk ia kthejmë, të trashëgoheni!
Rama: Ka pasur qenë një Tajar Baçova që kishte një ari te cirku edhe kur ishim të vegjël shkonim e shikonim me arin Silva, ashtu jam bërë unë. Ngela në TV. Gerta (Ogerta Manstirliu) shikoni si është bërë...të gjithë, por të gjithë në detyrën e vet, nuk janë të gjithë te kutia e TV-së
I afërmi i familjes Çupi: Ti je kryetari i shtëpisë, ty të takon
Rama: Padrejtësisht duket sikur të tjerët rrinë edhe ngrohen në shtëpia. Por atë Belindën (ministrja Belinda Balluku) e detyrova unë me shkuar në shtëpi, flinte në makina dy orë. Ministrja e Mbrojtjes sa ka lindur fëmijën edhe rrugë. Nuk po flas për heroizma por të gjithë kanë bërë maksimumin. Se në këto kushte, unë kur ishte momenti i parë thash o Zot më ndihmo ta përballojmë këtë situata. Nuk e kam menduar që për 10 ditë do të ikte problemi kryesor. Ku i ishte shkuar mendja me i marrë me i fut në hotele me 5 yje dhe shtëpia me qira. Kemi gjet një mundësi me i bërë shpejt shtëpitë, fantastike, 100 herë më të mira dhe që nuk pyesin për erë, shi dhe tërmet.
Rama: Sa kohë keni që jeni njohur?
Aleksi: Me gocën?
Rama: Po me gocën, me kë me mua?
Aleksi: Kemi 4 vite
Rama: E paskeni menduar gjatë...
Aleksi: Po gjërat e mira vijnë avash avash
Rama: E fejuara është punonjëse police?
E fejuara e Aleksit: Po, jam te komisariati 6-ta
Rama: Po ishit bashkë kur ndodhi kjo?
Aleksi: Jo...
Rama: Apo jeni kështu, derisa të martoheni...Se ai tjetri atje, thoshte u fejova, ra tërmeti dhe nuk kam ctë bëj
I afërmi i familjes Çupi: Ishte përgatitur për fejesën, erdhi vëllai nga Anglia, ky nga Greqia, ndodhi kjo dhe tani do ta kthejmë në forcë
Rama: Histori e papame, film me e bo dhe nuk e bën dot
I afërmi i familjes Çupi: Jemi shumë fëmijë dhe jemi shpërndarë, kemi qenë dhjetë, 6 çuna dhe 4 goca
Rama: Kanë qenë burra dhe gra ata, nëna ime e nënta, se gjyshi donte gocë dhe nuk pranonte çun. Gjyshja nisu për maternitet dhe kthej me çun, ai thoshte vijojmë punën. 9-të në 14 vite, bam bam bam bam. Heroina....
I afërmi i familjes Çupi: Unë i kam thënë 5 ose 6-të
Rama: Ka ndërruar koha. Tani janë akoma gjyshet, por kur të bëhen këto gjyshe dhe të vijnë ato tjerat mbrapa, policia pas 20 vitesh, pastaj një edhe ta firmosësh edhe ta mbash në krah, cfarë flet...Gjyshja ime thoshte se vdekja zgjedh, për një të keq merr pesë të mirë.
I afërmi i familjes Çupi: Ne themi se edhe hasmit mos i pafshim këtë tragjedi.
Rama: Të jeni mirë dhe i marrtë 2019 me vete dhe mos kthehtë kokën. Nuse mbaje mirë, por shtyje përpara, se mos i duket karroca si kolltuku i mretit, se nga zona e mretit është ky. Për cfarë të kesh nevojë na bëj një zile (i thotë Aleksit).