Hysni Bardhi: Studentët në Vlorë
me ‘97 kërkonin Azem Hajdarin

Hysni Bardhi: Studentët në Vlorë<br />me ‘97 kërkonin Azem Hajdarin
TIRANE- Hysni Bardhi një ekonomist në pension, hesht që prej vitit 2000, për misterin e vrasjes së Azem Hajdarit. Nga vitit 1996, e deri në çastin kur u vra Hajdari, Hysni Bardhi, sindikalisti i orëve të para në lëvizjet e dhjetorit, u shndërrua në njeriun më të afërt të Hajdarit, pikërisht në vitet e vështira, kur atij iu desh të luftojë me çdo mjet për të mbijetuar në politikë, brenda Partisë Demokratike. “Më ka besuar shumë gjëra ato kohë...kam qenë dëshmitar i çasteve shumë të vështira për të, më ka rrëfyer të fshehta që ka ditur vetëm ai, në kohën që familja e tij merrte kërcënime nga më të tmerrshmet, djalin e tij Kirin ma kishte besuar mua. Nëse nuk shkoja ta merrja unë në shtëpi ai nuk dilte me askënd tjetër...”

Hysni Bardhi ka vendosur të flasë pas 14 vjetësh. E ka zgjedhur vetë momentin. Thotë se shumkëçka ku ai ka qenë dëshmitar i dorës së parë po shtrëmbërohet dhe manipulohet. Ka ndjekur në lajme videon që prezantoi Edi Paloka pak ditë më parë dhe thotë se ndjen neveri për manilupimin që ai i bën atij rasti. “Atë person e njoh vetë, e kam takuar në ’97 në Vlorë, ndërsa më kishte dërguar Azemi për të takuar studentët...” Nisur nga ky episod i vitit 1997, ku ai ka qenë dëshmitar, zhvillojmë këtë intervistë të gjatë me të, ku ai flet për njohjen me Azem Hajdarin, atentatet që iu bënë atij, kërcënimet që merrte në shtëpi familja hajdari, kërcënime që Azemi i kishte regjistruar në një kasetë të cilën e kanë dëgjuar edhe dy gazetarët britanik Miranda Vickers dhe James Petifer... Po ashtu ai sjell një varg dëshmish lidhur me lëvizjet e para të dhjetorit, grevat e urisë dhe rolin e një vargu të gjatë politikanësh në këto kohë, si Ramiz Alia,  Sali Berisha, Fatos Nano, Aleksander Meksi, Azem hajdari, Gramoz Pashko, Neritan Ceka,  Bashkim Gazidede, etj, etj...
 
Zoti Hysni, ju thoni se shumë të pavërteta po artikulohen në media sidomos kohët e fundit....
Po.
 
...dhe po manipulohen ngjarjet historike. Më ngacmuat me daljen e fundit të Edi Palokës teksa prezantoi një video për një person të cilin ai e cilësoi si pjesëtar i bandës së Zani Çaushit. Ju thoni se e keni njohur vetë këtë person. Kush është dhe si e keni njohur?
Ka momente të caktuara decizive kur ka persona që i sheh për herë të parë dhe mund të mos i shohësh më, por për atë moment të mbeten në kujtesë dhe janë të paharruar. Dhe unë kam shkuar në Vlorë në emër të Azem Hajdarit, për të takuar grevistët e urisë, të cilët kërkonin Azemin. Dhe kam shkuar unë në vend të Azemit, i dërguar nga ai. Me peripeci mezi arrita deri në Fier dhe kur shkuam tek Ura e Mifolit makina që na çonte u kthye mbrapsht sepse nuk na lejonin ata.

Vjen një Benz i bardhë, me targa të Vlorës, me dy djem brenda, dhe më morën në makinë. Kur shkojmë tek Ura e Mifolit, në të dy krahët e rrugës kishte njerëz me hekura, me drunj, me shkopinj, të cilët kishin bllokuar rrugën. Aty unë shoh një djalë, me një xhup të zi, i cili erdhi me një makinë dhe ndërhyri tek këta që kishin bllokuar rrugën. Me thënë të drejtën atëherë nuk i njihja, kisha dëgjuar për Zani Çaushin, por nuk e njihja si fytyrë dhe bëj lidhjen që paska qenë Zani që rrinte mbi hekura me automatik, dhe ky kërkoi që të lironte rrugën sepse kishin kaluar gazetarë dhe do vinin edhe gazetarë të tjerë.

Nuk pranonin të lironin rrugën. Në këtë moment doli njëri nga këta djemtë që ishte në makinë, bashkë me këtë djalin me xhup të zi dhe i bindi që të kalonim sepse ne nuk ishim njerëz të dyshimtë, duke qenë se unë shkoja dhe te studentët për t’i takuar. Dhe këtë e kam të fiksuar. Absolutisht, ky person, nuk ka qenë në bandën e Zanit, por ka qenë aty për të liruar rrugën. Kur shkova në Vlorë, nuk munda të hyj te studentët sepse arrita në orën 12. Në 12 deri në 12 e gjysmë kishin mitingun tradicional përpara Fakultetit, kallaballëk shumë i madh. Prita jashtë sa mbaroi mitingu dhe më pas shkova e hyra brenda.

Atj takoj Frrok Çupin dhe Martin Lekën të cilët kishin mbaruar punë sepse kishin mbërritur para meje, dhe ishin gati duke dalë. Takova studentët, lashë përshtypjet e mia në emër të lëvizjes sonë dhe të Azemit në bllokun e shënimeve të grevës dhe dola e u ktheva në Tiranë. Rrugës për në Tiranë, pashë të kalonte edhe Frrok Çupi bashkë me Martin Lekën. Unë kam qenë në rrugë pa u ngjitur te Qafa e Koshovicës, pranë disa lokaleve, pasi kishin ikur disa njerëz nga furgoni për të pirë kafe. Në këtë kohë kalon Frroku me një makinë Trajl, ngjyrë blu e errët, dhe kur kalon ma bën me dorë.  Madje Frroku atë ditë, gjatë rrugës, duke qenë se e ndiqnin, ka ndërruar edhe makinën dhe ka zbritur nga Trajli e ka hipur në një makinë veturë me të cilën ka ardhur në Tiranë. Kurse unë kam ardhur mbas tij.

Pra, kjo më bëri habi. Si mund të arrihet deri këtu, në këto shtrembërime, pasi janë gjëra reale, të para nga njerëz, të vërtetuara.
 
Juve ju thanë që ai ishte punonjës i policisë në atë kohë?
Jo, nuk më thanë që ishte polic, por unë pashë veprimet që bëri, që ngulte këmbë që të lirohej rruga sepse ishte civil, me një xhup të zi. Pra, ai debatonte me Zanin për të liruar rrugën dhe jo për t’iu bindur Zanit për të bllokuar rrugën. Kjo është e gjithë ajo që unë kam të fiksuar. Debatoi me Zanin për të liruar rrugën.
 
Ju më thatë se shkuat atje si i dërguari i Azem Hajdarit.
Po.
 
Çfarë ju lidh me Azem Hajdarin, si jeni njohur?
Lidhja me Azemin është e hershme, që në lëvizjen e dhjetorit, kur studentët filluan lëvizjen e cila s’ka qenë asnjëherë lëvizje e manipuluar ashtu siç thonë sepse unë kam jetuar me të atëherë, ishim në qendër të lëvizjes. Atje e njoha Azemin.
 
Çfarë pozicioni kishit në atë kohë ju, me çfarë merreshit?
Atëherë ne ishim banorë, qytetarë të Tiranës, të cilët mbështesnim lëvizjen studentore. Pasi studentët shkuan dhe bënë takimin me Ramiz Alinë, u kthyen në Qytetin Studenti. Atje kam një moment sepse i kam jetuar ato situata. Në takimin me studentët, Ramiz Alia (është dhënë dhe në televizor disa herë), që kur studentët kërkojnë si do të bëhet për pluralizmin se ju e pranoni këtu, por në fund të fundit jeni një, pavarësisht se jeni president, por ligji nuk e lejon, pra janë struktura të tjera të cilat mund të të kundërshtojnë nesër. Dhe Ramizit aty, nuk e di i shpëtoi, por tha jo, se ne pluralizmin e kemi vendosur paradite në mbledhjen e plenumit të KQ.

Pra, para se të shkonte në takim me studentët, Ramiz Alia kishte marrë masat që, nëse s’do të kishte rrugëdalje tjetër do të pranonte pluralizmin, pra, e kishte marrë ok nga KQ. U kthyen studentët. Unë kam qenë natyrisht ne Qytetin Studenti. U kthyen studentët të gëzuar dhe çuditërisht të nesërmen zbarkuan aty Meksi, Zogaj, Imami, Pashko, me lista në dorë për të formuar Partinë Demokratike. Një analizë po të bësh se të çon logjika të mendosh se kur është lejuar pluralizmi janë bërë dhe përpjekjet se kush do ta marrë partinë. Mbasi mbaroi, u krijua Partia Demokratike, faktikisht kam qenë aktivist në të atëherë sepse desha që të përmbysej ai sistem. Kjo ishte periudha e organizimit të PD. Mirëpo, unë me disa shokë të mi, punonjës të ndërmarrjeve të ndryshme të Tiranës, si Poligrafiku, Elektroteknikja, Fabrika e Bukës etj., ishim një grup që mendonim të ngrinim Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
 
Në cilën ndërmarrje punonit ju?
Unë kam qenë ekonomist në Ndërmarrjen e Ndërtim Minierave.
 
Pra, donim të ngrinim Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Ne i bënim mbledhjet këtu sipër ku ka qenë Debatiku që i thoshin, sepse na ndiqnin, kishim edhe atë frikën e Sigurimit dhe në datën 17 janar të 91-shit, kemi qenë sipër stadiumit tek ata stolat. Duke qenë se ne bënim këto lëvizje por ishim të pambrojtur, menduam që ne ta bëjmë de facto krijimin e sindikatave dhe menduam t’i vëmë emrin BSPSh, sepse kështu e kishte edhe Kosova, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ndërsa ne Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.


Atë ditë bëmë me dorë në fletë formati, tre shkresa me të njëjtin tekst, ku një ia dërgonim ministrit të Brendshëm, një ia dërgonim ministrit të Drejtësisë dhe një presidentit Ramiz Alia, duke bërë me dije se kemi formuar Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe në fund firmosëm të shtatëmbëdhjetë. Që këtu ne filluam të bëjmë organizimin për Sindikatën. Në reformim e sipër ngjarjet evoluan, studentët hynë në grevë urie për të hequr emrin e Universitetit “Enver Hoxha”. Në datën 19 shkurt, nja 6-7 shokë që ishim ne në drejtimin e kësaj lëvizjeje që kishim nisur, bëjmë një thirrje për një aktiv në sallën e bibliotekës së Pallatit të Kulturës. U mblodh, si atëherë që mblidheshin njerëz plot, dhe atje bëmë thirrje që gjithë populli i Tiranës të dilte në protestë...

Dhe filluan televizioni dhe radiot duke bërë njoftimin që një grup i paidentifikuar ka bërë thirrje për një protestë në Qytetin Studenti. Kjo thirrje është e jashtëligjshme. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve që të kthehen në punë dhe të mos shkojnë në protestë sepse është e jashtëligjshme.
Mirëpo atë ditë në Qytetin Studenti, jo vetëm Tirana, por kishin ardhur nga Durrësi, nga Kavaja, nga Shkodra, nga Laçi, pra u mbush Qyteti Studenti plot e përplot. Ihste e pabesueshme.

Unë e kam parasysh sepse qëndroja në tarracën e Godinës nr. 4 të Qytetit Studenti, bashkë me një shokun tim. Me atë sasi njerëzish, me atë revoltë të brendshme, me ato parulla ishte një gjë që nuk mund ta përshkruash dhe në kohën që po vazhdonte protesta vjen një grup i punonjësve të Uzinës së Traktorëve, me të cilët ishte edhe Rajmonda Bulku. Unë zbres nga tarraca në katin e katërt se katër katërshe ishte godina, dhe i kërkojmë Rajmondës që t’i bënte një thirrje turmës, grave dhe vajzave, që të mblidheshin poshtë te fusha e sportit, dhe të organizuara të shkonin para Presidencës dhe t’i kërkonin Ramiz Alisë që të hiqte emrin e Universitetit që djemtë dhe vajzat të dilnin nga greva e urisë. Këtë thirrja ta bënin si nëna, si motra të këtyre djemve dhe vajzave.
 
Pse pikërisht Rajmonda Bulkun, ngaqë ishte aktore dhe ishte e njohur?
Sepse ishte një aktore me zë, me të gjitha, ka gjëra që kur të vjen momenti për t’i shfrytëzuar nuk mund të mendosh se si do t’i organizosh, pra do të merresh me atë që duhet për momentin.
 
Ndërkohë ju nuk ishit njohur akoma me Azemin, pra nuk ishit bërë njeriu i besuar i tij...?
Me Azemin kisha njohje, por nuk kisha marrëdhënie të ngushta sepse Azemi edhe në grevë urie nuk ishte futur sepse ishte kryetar i partisë dhe merrej me organizimin e partisë. Unë isha me sindikatën. Kishim njohje, por jo bashkëveprim.
 
Çfarë ndodhi me protestuesit më tej?
Pasi Rajmonda u bëri thirrje grave dhe vajzave dhe këto u nisën poshtë, erdhi momenti që të lëvizte dhe turma. Dhe kjo gjë bëhej shumë kollaj sepse turma ka një veti që shumica e njerëzve në tubime të tilla, mjafton të kesh 10-15 veta afër që t’i shpërndash për t’i dhënë drejtimin dhe e gjithë turma është unikale, e mirorganizuar, për t’u drejtuar andej nga i jep drejtimin. Dhe u nis edhe turma mbas grave. Kur u futëm te Liceu Artistik, që del te Kryeministria, qëllimi ishte, që ne të hynim në Bllok (e kishim inat atë Bllok), por të hynim në Bllok pa bërë asnjë shkatërrim.

Kishim ndërmend vetëm të nxirrnim nga Blloku këta bllokmenët që për 40 e sa vjet na kishin marrë shpirtin. Kur kemi arritur te Radio-Televizioni që është rruga që zbret për tek Piramida, aty u përplasëm me forcat e Gardës, të ndërhyrjes së shpejtë, të policisë. Ushtarët të veshur me uniforma kishin rrethuar me tela me gjemba, blindat afër bulevardit, me qen, me fishekë manovre, armë të mbushur me fishekë manovre me kripë, që të përcëllonin kur të binin. Dhe qe një përplasje goxha e madhe dhe ne nuk arritëm dot të futeshim brenda në Bllok. Atëherë e kthyem turmën për nga Piramida për të dalë në shesh.

Pjesa tjetër që ishte në rrugën e Elbasanit, i ra nga ura e rrugës së Elbasanit, dhe dolën në shesh. Një pjesë nga Ministritë, pjesa tjetër vinte nga Ushtari i Panjohur, dhe u kryqëzuam në Sheshin Skënderbej. Aty për aty u mendua që të rrëzohej busti i Enver hoxhës. Nuk donim të dilnim bosh. Pra, diçka të bënim sot meqë ishte ajo lëvizje, ai mllef që u krijua. Aty kishin vënë njerëz duke ruajtur, por unë kam bindjen që ajo ruajtje ka qenë e momentit, mund të jetë bërë shumë pak para se të shkonim ne, sepse e gjithë vëmendja e pushtetit të kohës ishte për mbrojtjen e Bllokut. Bile, ka ardhur atë natë nga Elbasani edhe një togë me ushtarë të përgatitur në përforcim të Gardës për të ruajtur Bllokun dhe atë urdhrin e lëvizjes së trupave e ka firmosur Komisari i Brigadës së Elbasanit.

Si quhej?
Baki Shehu, i cili më vonë, pas marrjes së pushtetit, u bë zëvendësministër i Mbrojtjes por u bë edhe deputet më vonë. Nejse, pak rëndësi ka kjo lëvizje e tij.
Di të them se aty ka pasur persona edhe që e mbronin bustin. Unë kam dëgjuar edhe zëra aty që flisnin me radio, ata që ishin si drejtues, që kërkonin urdhër për të hapur zjarr drejt turmës. Mirëpo ky urdhër nuk u vinte.
 
Kush mund ta jepte atë urdhër?
Atë urdhër mund ta jepte ministri i Brendshëm, që ishte Hekuran Isai. Sepse asnjë forcë, ushtarët, oficerët e thjeshtë, të Gardës, nuk mund të hapin zjarr në raste të tilla pa marrë një urdhër nga organi epror komandues. Këto janë të njohura. I kam mësuar edhe më vonë në përplasjet ose takimet që kam pasur me Ministrinë e Brendshme. U rrëzua busti. Në rrëzimin bustit nuk ka qenë një individ, kanë qenë shumë njerëz.

Problemi ishte se ai nuk po binte dhe meritën më të madhe e ka një djalë, i cili kur u afruan njerëzit, hipi në kurriz të tyre dhe arriti që t’i hidhte litarin te gishtat. Bile atë djalin e morën dhe dënuan me 2-3 muaj burg, pastaj e liruan. U rrëzua busti. E morën bustin pastaj te Qyteti Studenti, i këputën kokën me vare, e ngarkuan në autobus, erdhën prapë në qendër dhe në rrugën e Kavajës vjen një togë me ushtarë nga Komisariati i 21 Dhjetorit dhe e lamë autobusin e ikëm. Kështu mbaroi ajo ditë, pa incidente. U rrëzua busti, qe një jehonë shumë e madhe...
 
Kujt iu faturua ky aksion atëkohë? Më vonë politika e ka përdosur si i ëhstë dashur këtë moment...
Duhet theksuar një detaj këtu. Për çudi atë ditë, në orën 4, një lider i PD, anëtar i kryesisë, nga Durrësi ka bërë një deklaratë ku thotë: “Partia Demokratike distancohet nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës”. Kjo është e shkruar edhe në shtypin e kohës të nesërmen e të pasnesërmen edhe në periodik edhe në gazetën e ditës. Mirëpo, meqenëse ne s’hymë në Bllok atë ditë, përsëri më 21 shkurt, u nisëm për te Blloku. Vijmë dhe qëndrojmë ku është sot Parku Rinia, Tajvani, që te Shallvaret e deri te Hotel Dajti, ishte kreu i turmës rresht dhe turma e gjithë mbrapa ishte deri në shesh.

Në krahun tjetër të Lanës, qoftë në rrugën “4 Shkurti”, në rrugën “Vaso Pasha”, te bulevardi, te Hotel Dajti në anën tjetër të urës, ishin blindat, ushtarët të armatosur me skafandra, dhe ishin dy palë në heshtje përballë njëra-tjetrës. Një kohë e zymtë dhe prisnim nga momenti në moment që mund të shpërthejë. Do të sulmojë turma dhe do të kishim një përleshje. Në këtë kohë pati edhe një tronditje, sepse brenda Bllokut pati një breshëri armësh, 4-5 të shtëna automatiku. Pati edhe mendime: jo vranë Ramiz Alinë, jo bënë kështu e jo ashtu, por që nuk kishte shumë rëndësi kjo, vetëm momenti i tronditjes.

Në këtë kohë vjen Neritan Ceka bashkë me një deputet të PD, nuk e mbaj mend tani atë personin e dytë, dhe i bën thirrje turmës që të kthehej mbrapsht. Askush nuk mund të dilte dhe t’i thoshte turmës mos u kthe, sepse ishim të jashtëligjshëm. Pra, ai publikisht i thirri turmës që të kthehej mbrapsht. Ne kishim edhe një farë jo tulatje si të thuash, por si një farë ndikimi nga veprimet e PD, sepse ishin njohur shpejt si opozitë indirekt, për të ndryshuar sistemi.

Tërhiqet turma dhe u kthye përsëri në shesh. Dhe në shkallët e Muzeut Kombëtar, me megafon, Neritan Ceka ka thënë: “Kthehuni, Ramiz Alia është gjallë, nuk e ka gjetur gjë, dhe mos bini pre e demokratëve”. E ke të incizuar në televizione, me sekuenca filmike, që edhe unë dy herë e kam parë të dhënë, por kam qenë prezent aty, atë ditë kur ai e ka thënë me megafon në shkallët e Muzeut Kombëtar. Mbasi mbaroi kjo situatë pastaj, ne vazhdonim me organizimin e sindikatave, Partia Demokratike nga ana tjetër bënte ngritjen e strukturave në rrethe dhe ne ngrinim sindikatat.
 
Shkrimi u publikua sot (07.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore