Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur të pafajshëm  ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi, i cili ishte vënë nën akuzë nga SPAK për veprën penale të "refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive dhe interesave private".

SPAK kishte paraqitur çështjen për gjykim pranë GJKKO-së, duke kërkuar ndëshkimin e Selimit me pretendimin se ai kishte shkelur detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë dhe interesave private. Çështja u shqyrtua me procedurë të zakonshme dhe në përfundim, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Rudina Palloj dhe vendosi deklarimin e pafajshëm të të pandehurit.

Sipas vendimit të gjykatës, "fakti penal objekt akuze nuk provohet se ekziston si i tillë", duke rrëzuar kështu akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.

Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet procedurale dhe gjyqësore të mbeten siç janë kryer, ndërsa palët kanë të drejtë ankimi në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.

Njoftimi i plotë:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Shkëlzen Selimi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a/2 të K.Penal.”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, me vendimin Nr. 48, datë 07.07.2025 vendosi:

1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Shkëlzen K. Selimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, pg 2 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja a) të Kodit të Procedurës Penale, pasi fakti penal objekt akuze nuk provohet se ekziston si i tillë.

2. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit për evidentimin e shpenzimeve të hetimit, dhe ato gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës për evidentimin e shpenzimeve gjyqësore, në referim të nenit 393 të K.Pr.Penale, mbeten siç janë kryer.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.