‘I dashur’ armik apo ‘i urryer’ kundërshtar

‘I dashur’ armik apo ‘i urryer’ kundërshtar

Sali Berisha dhe Edi Rama

Kultura e konsensusit ose e respektit në politikë vazhdon të jetë e huaj në Shqipëri. Jo se politikanët tanë nuk e dinë se: në demokraci, kundërshtari s’është armik, pasi këtë e përsërisin shpesh ndaj të huajve, të cilët duam apo s’duam, kanë shumë peshë në proceset e zhvillimit tonë. Mbase mund të jemi i vetmi vend në Evropë, që kremtojmë dy data Çlirimi nga pushtuesit fashistë; teksa jo pak herë, politikanët tanë të dy krahëve, ende duket sikur identifikohen me forcat politike të kësaj lufte!! Në kohët tona, qeveria e PD-së u pengua nga opozita e PS-së, thjesht të mos e kishte mundësinë të identifikohej me procesin e integrimit, pasi socialistët bllokuan tre ligjet e njohura që na kushtëzonin në BE. Përfaqësuesit demokratë ja kthyen edhe më shëmtuar në Bruksel…

Ndarja në vend është aq e madhe saqë nëse figurat vlerësohen nga njëra palë do të hidhen poshtë sakaq nga tjetra. Por a është vërtetë një e tillë ndarje apo bëhet që të jetojë politika? Marrëveshja politike Rama-Berisha e vitit 2008 na tregoi se kinse sherri i politikanëve është në dukje. Kjo marrëveshje po ndikon sot e kësaj dite në të gjithë konfigurimin politik të vendit dhe paçka pasojave të saj, kur vjen puna për ta hedhur poshtë, PS dhe PD nuk ndihen, sepse tek e fundit është tandemi që drejton vendin dhe nuk mund t’i lerë fushë të lirë askujt prej forcave të tjera politike shqiptare. Në këtë rast, armiku bëhet “i dashur”, kurse kundërshtari “i urryeri” i nevojshëm. Njësoj kur kemi pasur presione nga ana e autoriteteve të huaja, siç ndodhi me Reformën në Drejtësi, të 140 deputetët shqiptarë ngritën kartonin e gjelbër të aprovimit.

Brukseli, duke e njohur këtë logjikë, shpesh na ka treguar indirekt (dhe jo vetëm ne) se shembulli i integrimit të Sllovenisë dhe Kroacisë në BE është një rrugë që duhet ndjekur. Dhe, realisht në këto vende nëse nuk do të ishte konsensusi politik në parlament, atëherë do të ishte e vështirë që të integroheshin. Kur mendon se çdo reformë me peshë, që do na kërkohet këtej e tutje kërkon mbështetje të gjerë politike, atëherë e kupton qartë këtë logjikë. Kuvendi është institucioni më i lartë, ku do të duhet të kalojnë ligje, por nga ana tjetër duhet të kultivosh kulturën e debatit dhe sidomos të mënyrës së shikimit të problematikave në komisionet dhe depërtimin në ligje, ashtu si duhet ditur si do të adresohen problemet. Në konceptin tonë politologjik-sociologjik të “Kompleksit të Rozafës”, ne zhbëjmë paraardhësit dhe nuk vlerësojmë asgjë të tij,  ndërkohë që reformat kërkojnë vazhdimësi dhe jo rikthime nga fillimi, siç ndodh rëndom tek ne. Partia Socialiste në mandatin e tretë do duhet të krijojë mundësi për opozitën që të shprehet dhe të bashkëpunojë, ashtu si duhet që në të ardhmen, kur të mos jetë në pushtet: të përshfaqë aftësinë për asistencë dhe ndihmë në bërjen e ligjeve.

Për fat të keq të dëgjosh debatet në komisionet parlamentare, ku deputetët kalojnë në ofendime të frikshme ndaj njëri-tjetrit apo punimet plenare (qoftë edhe brenda një force, rasti i PD-së), arrin të kuptosh se koncepti i armikut është i rrënjosur në psikologjinë e shumë individëve, kur flitet për mbijetesën e tyre politike. Në këtë frymë, narracioni i Berishës mbushur me shumë simbolika arkaike degjeneruese, fjalë fyese urbaniste përcillen pa asnjë filtër nga ndjekësit e tij. Basha, pasardhësi i tij ka marrë fyerjet më të mëdha. Rama ka provuar në kurriz shumë nga qesënditë e ish-kryeministrit Fatos Nano dhe talljet e tij (Nano e bëri edhe më të ashpër me ministrat e vetë), ashtu si vetë nuk ka lënë pa denigruar në parlament në shumë momente opozitën e vendit. Përqeshja pasens e Palokës, Vokshit dhe e shumë të tjerëve ka qenë shpesh e hidhur, ashtu si ofendimet e këtyre ndaj palës tjetër, përfshirë dhe kryeministrin ka qenë shumë e ulët.   

Megjithatë, ky nuk është rasti i Shqipërisë sepse edhe në vende të tjera, madje me demokraci më të madhe se ne kundërshtari jo pak herë është armik. Ajo që ndodhi me turmën në Kongresin e SHBA-së të bën të besosh se për demokracinë kanë ardhur ditë të këqia. Vetëm se dallimi është që janë institucionet e pavarura që ndihmojnë ekuilibret. Është sistemi i Drejtësisë në SHBA që shpesh vendos pikat mbi “i”. Ndërkohë që janë vetë kundërshtarët politikë që gjejnë mënyrat të mos i kalojnë caqet, sepse në të ardhmen do e kenë ata rradhën. “Ndër aspektet më pak të studiuara të politikës demokratike janë ritualet, praktikat dhe zakonet e krijuara gjatë viteve, për të parandaluar konkurrencën të bëhet shkatërruese për vetë sistemin demokratik. Këto praktika – nga rregulloret në lidhje me shpenzimet e fushatës dhe reklamat deri te ndalimet e shpifjes, zakonet e mirësjelljes në debat dhe rregullat legjislative të rendit – janë zhvilluar nga vetë konkurrentët demokratë për të parandaluar shkatërrimin e siguruar reciprokisht”, shkruan tek shkrimi “The Politics of Enemies”, autori Michael Ignatieff për “Journal of Democracy”.

Në të njëjtën logjikë, autori shtjellon edhe faktin që atje ku partitë politike janë të financuara dhe të organizuara mirë, mund të mbështeten në shoqërizimin e kandidatëve të mundshëm në ritualet e kufizimit, por aty ku partitë janë të dobëta, socializimi politik do të jetë i dobët dhe ka më shumë gjasa që “aktorët politikë të mendojnë për veten jo si nëpunës publikë të mundshëm me përgjegjësi ndaj sistemit demokratik, por thjesht si sipërmarrës në luftën për pushtet “, vazhdon i lartpërmenduri, (Ibid).

Me pak fjalë, ka një lloj “stisje” që është e detyruar dhe kjo përbën atë që njihet si kultura e Rregullave informale të angazhimit të demokracisë. Ato mund të përshkruhen më së miri si një kod i civilizimit hipokrit. Këto rregulla synojnë të përcaktojnë se sa larg mund të shkoni në konkurrencën politike, qoftë edhe në një fushatë zgjedhore apo në një dhomë legjislative (Ibid).

Dhe, ekuilibri vendoset nga sensi i mbledhur prej përvojës, pasi në demokracitë e konsoliduara ka rregulla të pashkruara por edhe kode, që nuk kalohen apo edhe nuk lejohen. Qëllon që konkurrentët mund të dinë diçka diskredituese për një kundërshtar, por zgjedhin ta mbajnë atë në heshtje jo për shkak të mendjes së lartë, por bazuar në llogaritjen se diçka diskredituese mund të gjendet ose të shpiket edhe rreth tyre, argumenton Ignatieff.

Është niveli që paraqesin kandidatët që e bën fushatën të bukur, por në demokracinë tonë dhe këtë po e shikojmë edhe në këto zgjedhje, s’kemi përballje të kandidatëve që mund të na tregojnë se ku i çojnë dhe sa të realizueshëm janë projektet e tyre. Në vend të kësaj, kemi kandidatë, të cilët nuk lënë gjë pa thënë kundër njëri-tjetrit, siç po ndodh me dy anët e PD-së dhe helmin ndaj Velisë apo cinizmin e këtij të fundit ndaj kundërshtarëve, që për hir të së vërtetës nuk i përmendin as edhe një kontribut për qytetin. Ushqimi vjen nga gjuha e ashpër dhe fyese e artikuluar nga Rama, që i etiketonte pak orë më parë “buzëhollë” kritikët e këngës së tij, ashtu si Berisha që ka një regjistër shumë të pastër dhe inovativ fyerjesh për kundërshtarët. Pasojat dihen kjo kinse armiqësi, sepse është vetëm sa merret pushteti, bën largimin e votuesve të mundshëm, të gjithë krahëve nga kutia e votimit.

Po pse vallë kjo egërsi tek ne? Mbase rrënjët janë më të thella, por historia ka inerci të frikshme tek ne: Nga 33 kryeministra që ka pasur në gati 110 vite shteti shqiptar, pothuaj një e treta e tyre janë vrarë në rrethana të ndryshme lidhur me postin apo jo. Kurse nga rreth 65 Ministra të Brendshëm që ka shteti shqiptar: bilanci është i frikshëm 8 të vrarë në rrethana të ndryshme qoftë në detyrë apo jashtë saj. Tetë të tjerë të pushkatuar si armiq politikë, pesë të dënuar me vdekje dhe 3 janë dënuar për genocid, ndërkohë që 20 ministra të brendshëm janë arrestuar (Qafoku, 22). Mbase kjo frymë e krijuar ndër dekada mund të konsiderohet si mënyrë perceptimi tek ne, kur ngjitesh në politikë, ku kundërshtari shihet si armik i mundshëm. Anipse sensi i integrimit kërkon që reforma e cila niset nga një parti politike, mbetet të vazhdohet nga një parti tjetër politike.

Dallimi është nga mënyra e përmbyshjes së detyrave, jo nga masa e baltës që hedh për kundërshtarin. Dhe, epilogu i zgjedhjeve është klasik. Rezultati i zgjedhjeve jep relaksimin. Rituali i fitores është t’i japësh dorën kundërshtarit, kurse fituesi të tregohet i ndershëm duke i siguruar të gjithë se: tani do të kërkojë t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët, qoftë ata që e votuan dhe e kundërta. “’Hipokrizia’, respekti që vesi i kushton virtytit, bëhet një zgjidhje e nevojshme për problemin e ruajtjes së konkurrencës nga rrezikimi i kundërshtarëve dhe demokracisë në tërësi”, shkruan Ignatieff, por duke na treguar se “armiku” disa herë kthehet ‘i dashur’ dhe kundërshtari s’është më i urryer.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë