I dha PD-në Berishës, gjyqtari Agron Zhukri me 1 miliard lekë pasuri, përballet me bilance negative në vlera të mëdha në KPK

I dha PD-në Berishës, gjyqtari Agron Zhukri me 1 miliard lekë pasuri, përballet me bilance negative në vlera të mëdha në KPK

Agron Zhukri

Gjyqtari i Tiranës, Agron Zhukri u paraqit të mërkurën më 17 prill në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me tre përfaqësues ligjorë dhe u ballafaqua me gjetjet për balanca negative në vlera të mëdha në një seancë dëgjimore që zgjati rreth 5 orë e gjysmë.

Hetimi administrativ për Zhukrin kishte përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë ndërsa gjatë seancës u tha se i ka kaluar barrë prove për burimet e pasurisë. Zhukri pretendoi se i kishte përmbysur gjetjet e KPK-së dhe kërkoi hapjen e hetimit për figurën dhe profesionalizmin.

Në seancë nuk munguan incidentet e batutat. Djali i Zhukrit, i cili ishte njëherazi edhe përfaqësues i tij ishte pozicionuar fillimisht në zonën ku qëndron publiku. Ai ndërhyri në një moment për të dhënë ndihmën e tij në mbrojtje, por iu tërhoq vëmendja nga punonjësit e Gardës.

Agron Zhukri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Emri i Zhukrit u lakua në pranverën e vitit 2022 për shkak të shqyrtimit të konfliktit të brendshëm të Partisë Demokratike për logon e partisë dhe vulën. Zhukri i dha të drejtë grupit të Rithemelimit, ndërsa vendimi u rrëzua më pas nga Gjykata e Apelit, duke u rikthyer çështjen për shqyrtim në shkallë të parë.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Zhukri po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Sipas relatimit, Zhukri nuk ka deklaruar ndonjë pasuri në posedim apo përdorim, ndërkohë që bashkëshortja e tij ka deklaruar disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme.

Ajo ka deklaruar një shtëpi në Tiranë të ndërtuar në vitin 1968 dhe të rikonstruktuar në '96-ën për shumën 2.8 milionë lekë, me burim nga shitja e një trualli në masën 2.6 milionë lekë dhe të ardhurat. KPK konstaton se nuk janë vërtetuar të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga puna në Ambasadën Shqiptare në Romë dhe për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi në shumën 2.4 milionë lekë për investimet e kryera në vitin 1996.

Bashkëshortja e subjektit ka deklaruar dhe ndërtimin e një shtese në vitet 2004-2006 me burim të ardhurat nga pagat, aktiviteti i saj privat, si dhe të ardhurat si ndërmjetëse për disa shoqëri që operojnë në fushën e sigurimeve.

Sipas KPK-së, nuk janë vërtetuar një pjesë e të ardhurave të deklaruara nga aktiviteti privat, si dhe nuk është provuar pagesa e detyrimeve tatimore për të ardhurat si ndërmjetëse. Për rrjedhojë, ka rezultuar bilanc negativ edhe në këtë investim.

Shuli tha se subjekti nuk ka deklaruar pjesën e tij takuese në pasuritë e krijuara gjatë martesës.

Gjyqtari Zhukri deklaroi se banesa në të cilën është kryer investime në vitin 1996 është trashëguar nga i ati dhe se në vitin 1996 ia ka dhuruar bashkëshortes. Ai theksoi se deri në 1995-ën nuk ishte bërë asnjë investim në këtë pronë dhe se në 96-ën është kryer gjithë volumi i punimeve të deklaruara.

Lidhur me vlerën e përfituar nga shitja e truallit e deklaruar si burim, subjekti shpjegoi se ajo pasuri ishte e vjehrrit dhe e kishte shitur për 1.6 milionë lekë, të cilat bashkë me 1 milion lekë të tjera të kursyera ua kishte dhuruar me rastin e lindjes së djalit. Ai shpjegoi se vjehrri kishte ndërruar jetë në vitin 1997 dhe se e kishin pasur të vështirë të siguronin dokumentacion.

Ndërkohë, Zhukri këmbënguli se kishin depozituar dokumentacion zyrtar të mjaftueshëm për të ardhurat nga puna në ambasadën në Romë. Sipas tij, KPK ka konsideruar shitje të truallit dhe jo dhurim nga vjehrri dhe nuk e ka konsideruar këtë vlerë në analizën financiare. “Është vërtetuar se vjehrri ka dhënë 2.6 milionë lekë”, theksoi Zhukri dhe kërkoi që kjo shumë të përfshihej në analizë.

Subjekti sqaroi ndër të tjera se e kishte transferuar këtë pasuri tek bashkëshortja për korrektësi dhe etikë profesionale. “Nuk ka tendencë për mosdeklarim, pasi e ka deklaruar bashkëshortja”, pohoi subjekti dhe këmbënguli se së bashku me të ardhurat e bashkëshortes nga angazhimi si ndërmjetëse me shoqëritë e sigurimeve, rezultonte me bilanc pozitiv për shpenzimet dhe investimet e kryera në atë periudhë.

Në vijim, u konstatuan gjetjet për një investim të kryer nga bashkëshortja në vitin 2003, kur ka blerë së bashku me një shoqëri një pasuri banesë + truall në masën 4.4 milionë lekë ku pjesa e saj takuese ka qenë 2.2 milionë lekë. Kjo pasuri është dhënë për t'u zhvilluar në këmbim të 30% të vlerës ndërtimore, ose nëse vlera e ambjenteve do t'i jepeshin do të ishte më pak se 240 mijë USD, atëherë do të kompesohej me vlerë monetare.

Administratori i shoqërisë ndërtuese ka denoncuar subjektin duke pretenduar se kontrata e nënshkruar ishte realizuar nga një ortak dhe jo prej tij. Po ashtu, administratori shoqërisë ka pretenduar se është shantazhuar nga subjekti duke vendosur në dispozicion edhe korrespodencën e kryer në disa emaile.

Shuli tha se dukej e paqartë se si kontrata ishte lidhur për investimin e një shumë të vogël prej rreth 2.2 milionë lekësh dhe përfitimin e një vlere rreth 26 milionë lekë, 13 herë më të madhe. Sipas KPK, duket se nuk është deklaruar investimi real që sipas Shulit duhet të ketë qenë në masën 70 mijë USD, vlerë për të cilën është konstatuar pamundësi financiare.

Subjekti deklaroi se kontrata ishte nënshkruar nga një prej ortakëve që përfaqësonte shoqërinë ndërtuese. Ai shtoi e kshte pasur konflikte mes administratorin dhe ortakun e asaj shoqërie, të cilët e kishin zgjidhur me pajtim.

Zhukri tha se bashkëshortja kishte pasur në vijim konflikte gjyqësore me denoncuesin, dhe këmbënguli se kjo situatë nuk mund të ishte pjesë e procesit të rivlerësimit të tij. Ai e cilësoi denoncimin si shfryrje të një mellfi dhe pretendoi se kishte qenë administratori i asaj shoqërie që e kishte intimiduar dhe jo e kundërta.

“Nuk kam bërë denoncim ndaj tyre. Ata kanë bërë ndaj meje, dhe kanë kryer veprime të jashtëligjshme. Këta njerëz tentojnë të më intimidojnë në mënyrën më të keqe të mundshme dhe provat e tij janë kundër tij”, tha Zhukri duke e cilësuar emailin absurd.

Lidhur me vlerën e pasurive të përfituara, Zhukri solli në vëmendje faktin se porositja ishte kryer në 2003-in duke investuar 2.2 milionë lekë, ndërkohë që pas 16 vitesh, kur kishte përfituar pasuritë, ato kishin një vlerë më të madhe për shkak të rritjes së çmimit të tyre. “Veprimi juridik është brenda logjikës ekonomike, duke konsideruar kohën e kryerjes së veprimeve”, tha ndër të tjera Zhukri dhe këmbënguli se vlera e investimit ishte 2.2 milionë lekë, shumë që sipas tij duhet të përfshihet në analizën financiare.

Nga analiza financiare paraprake e KPK ka rezultuar pamundësi edhe për pagesat e kryera në vitin 2003 nga bashkëshortja e subjektit për blerjen e një apartamenti në Qerret, kur ka rezultuar me bilanc negativ në masën rreth 11 milionë lekë. Prenotimi është deklaruar në vitin 2004. Subjekti ka shpjeguar se për këtë pasuri është paguar shuma 43 mijë euro, ndërkohë që në kontratë përcaktohet shuma 55 mijë euro.

Zhukri tha se këtë pasuri e kishte poseduar prej korrikut të vitit 2004 dhe se ishte e provuar se bashkëshortja kishte paguar shumën 43 mijë euro, vlerë për të cilën tha se duhet të konsiderohet si shpenzim në analizën financiare.

Sipas KPK, bashkëshortja e subjektit është gjetur në pamundësi dhe për pagesën e një pjese të çmimit të dy apartamenteve të Tiranë, të blerë për 280 mijë euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie janë deklaruar një kredi në vlerën 180 mijë euro dhe pjesa tjetër nga pagat e të ardhurat nga aktiviteti dhe bashkëpunimi me agjencitë e sigurimeve në cilësinë e ndërmjetëses. Sipas Komisionit, ka rezultuar balancë negative në analizën e kryer për shlyerjen e pjesës së pambuluar nga kredia.

Relatorja Shuli vijoi se familja e subjektit ka rezultuar në pamundësi për një gjendje cash në shumën 7500 euro; për blerjen e një trualli 75 m2; për blerjen e një automjeti në vitin 2002 për çmimin 1.5 milionë lekë; për një makinë tjetër të blerë në 2006-ën.

Megjithëse bashkëshortja e gjyqtarit Zhukri ka deklaruar të ardhura nga aktiviteti privat agjenci udhëtimesh në vlerën totale 35 milionë lekë, nga hetimi administrativ ka rezultuar se qarkullimet e vërtetuara kanë qenë më masë më të vogël.  Ndërsa për të ardhurat e petenduara nga ndërmjetësimi me kompanitë e sigurimit është konstatuar se nuk janë vërtetuar.

Ndërkohë, janë konsideruar të ligjshme dhe janë përfshitë në analizën financiare të ardhurat nga dhënia me qira e një banese, bazuar në katër kontrata qiradhënieje.

Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar një pamundësi në shumën 21 milionë lekë për periudhën para vitit 2003 dhe 72 milionë lekë për vitet në vijim.

Gjyqtari Zhukri i kundërshtoi konstatimet e Komisionit për gjithë pamundësitë financiare. Sipas tij, ishte vërtetuar se të ardhurat e bashkëshortes të deklaruara si të përfituara nga aktiviteti I saj privat dhe nga ndërmjetësimi me shoqëritë e sigurimeve, janë të ligjshme, si dhe kërkoi që të përfshihen në analizën financiare.

Ai solli në vëmendje të Komisionit se vlerat nga aktiviteti privat kishin qarkulluar në llogaritë bankare të shoqërisë dhe ishin paguar tatimet përkatëse. Sipas tij, çdo vit kishin pasur bilanc pozitiv dhe tepricat përfaqësoheshin nga gjendja e llogarive bankare.

Zhukri pretendoi se bashkëshsortja kishte përfituar mbi 10 milionë lekë të ardhura si ndërmjetëse me shoqëritë e sigurimeve. Sipas tij, pagesat e tatimit në burim bëheshin nga shoqëritë, në bllok për të gjithë agjentët me të cilët bashkëpunonte.

Sipas subjektit, analiza financiare e KPK del me rezultate negative pasi është e parcelizuar dhe sipas tij, mbetet e paqartë se përse të ardhurat e gjeneruara në kohë nuk janë konsideruar. “Ju konstatoni pamundësi pa i konsideruar të gjitha provat. Nuk ka mosdeklarim të burimeve, por është i gabuar qëndrimi juaj,” tha Zhukri dhe shpjegoi në vijim mbi shpenzimet e shkollimit të fëmijëve.

Ai konstatoi se pasuritë e familjes së tij janë në vlerën 61 milionë lekë, ndërsa të ardhurat kapin shifrën e 221 milionë lekëve. Sipas subjektit, duke konsideruar edhe gjithë shpenzimet në vite, bilanci pozitiv për gjithë vitet mbetet në vlerën e 28 milionë lekëve.

Komisioni ka konstatuar se shoqëria e bashkëshortes së subjektit ka lidhur kontrata me instituciuonet publike, duke ngritur dyshimet për konflikt interesi në dukje. Po ashtu, Shuli vërejti se subjektit i është kërkuar të japë shpjegime nëse ka shqyrtuar çështje me palë shoqëritë e sigurimeve me të cilat është deklaruar se ka bashkëpunuar si ndërmjetëse bashkëshortja.

Zhukri këmbënguli se nuk mund të gjendej në kushtet e konfilktit të interesit për arsye të nënshkrimit të kontratave prej bashkëshortes me disa institucione publike. Ai konstatoi se çështjet administrative me palë institucionet publike gjykohen prej gjykatave administrative dhe jo asaj civile, ku ai ushtron detyrën.

I pyetur nëse kishte gjykuar ndonjë çështje me palë shoqëritë e sigurimeve më të cilat kishte bashkëpunuar bashkëshortja në cilësinë e ndërmjetëses, subjekti tha se nuk i kujtohej për momentin, por ai shtoi se edhe nëse do të kishte gjykuar, nuk mund të gjendej në kushtet e konfliktit të interesit. Ai argumentoi se bashkëshortja nuk ishte e punësuar në ato shoqëri, por ndërmjetësonte në gjetjen e klientëve të cilët dhe i mbronte, e rrjedhojë nuk mund të konsiderohej se kishte konflikt interesi.

Në përfundim, subjekti kërkoi që të konsiderohen shpjegimet e tij pretendoi se arrin nivel të besueshëm për pasurinë dhe kërkoi hapjen e hetimit për dy kriteret e tjerë të rivlerësimit. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 19 prill, në orën 09:45./reporter

Shënim/ Titulli origjinal: Gjyqtari Agron Zhukri përballet me bilance negative në vlera të mëdha

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • dritan: 18/04/2024 13:37

    Arestohen per nje cigare ashash dhe keta kriminel lihen te lire.....

    Përgjigju
  • Ledina: 18/04/2024 13:19

    AGRON ZHUKRI-NJE NJERI I URRYER BREZ PAS BREZI!

    Përgjigju
  • Tori: 18/04/2024 09:58

    Një biszesmeni në Koplik i sekuestrohen pasuria që mund ta ketë me mund dhe djersë! Dhe këtij hajduti ti konfiskohet pasuria që e ka pa mond.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

Raste suksesi, njerëzit që u bënë të pasur mbi moshën 40 vjeç

Raste suksesi, njerëzit që u bënë të pasur mbi moshën 40 vjeç