FIER- Katër persona janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Fierit, mes tyre është Arben Voja, aktualisht drejtor i Spitalit të Fierit, i cili më herët ka drejtuar Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në këtë qytet. Arrestimet erdhën pas një hetimi për tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 44 mijë metrash katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës. Voja dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, toka shtetërore është kaluar në pronësi private përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas i është shitur investitorit Halil Gashi për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Masat e sigurisë arrest me burg janë ekzekutuar dhe për Dilaver Shyti, ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas; Fjorelo Bida, punonjëse e Kadastrës; dhe Anila Haxhiu, notere. Ndërsa për Arbina Jaupajn, gjithashtu punonjëse e Kadastrës, është caktuar masa detyrim paraqitjeje, si dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit, me bllokimin e pasaportës.
Personat e arrestuar janë marrë në pyetje nga specialistët e Krimit Ekonomik në ambientet e Drejtorisë se Policisë Fier dhe më pas janë shoqëruar në dhomat e paraburgimit.
Prokuroria ka sekuestruar edhe sipërfaqen e tokës, e cila rezulton në pronësi të Halil Gashit. Sipas burimeve, ky i fundit nuk është vënë nën hetim, pasi nuk ka pasur dijeni për tjetërsimin. Masat e sigurisë janë kërkuar nga prokurori Leonard Suçi dhe janë miratuar nga gjyqtari Noel Veizi.
Ky është vetëm hetimi i fundit që prek Kadastrën e Fierit për këtë vit. Vetëm dy muaj më parë, në shtator 2026, gjykata la në burg dy ish-drejtues të tjerë të Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj, së bashku me ish-specialistin Piro Çela. Ata u hetuan për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, pasi dyshohet se lejuan tjetërsimin e mbi 1,100 hektarëve tokë në zonën e Semanit në favor të ndërtuesve dhe përfituesve privatë. Gjatë hetimeve të shtatorit u sekuestruan sipërfaqe të mëdha toke dhe shuma të konsiderueshme parash (mbi 700 mijë euro).
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Drejtori i Spitalit të Fierit, Arben Voja, i arrestuar sot me urdhër të Prokurorisë së Fierit për ‘shpërdorim detyre’ në kohën kur drejtonte Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në këtë qytet, pas një hetimi për tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 44 mijë metrash katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës, ka pasur një karrierë të gjatë në postet drejtuese, por edhe probleme të mëparshme me drejtësinë.
Arben Voja është një zyrtar publik dhe drejtues institucional në qytetin e Fierit, i njohur për disa funksione të ndryshme në administratën publike.
Voja është përballur më herët me hetime nga Prokuroria e Fierit, kur ishte në krye të Agjencisë së Mjedisit dhe Kadastrës. Në dhjetor të vitit 2025, organi i akuzës njoftoi për përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të tij dhe 6 punonjësve të tjerë, për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Çështja lidhej me shkelje në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore.
Po ashtu, në maj të vitit 2023 kur ishte në krye të Kadastrës së Fierut, Voja është kallëzuar në SPAK nga Kadastra e Shtetit. Në kallëzim, Agjencia shtetërore e Kadastrës në Tiranë, theksonte se drejtori i Fierit dhe specialistja Shpresa Gjikondaj akuzoheshin për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh me një dëm ekonomik për shtetin shqiptar prej 9.5 milionë lekësh të reja.
Lidhur me këtë denoncim, reagoi asokohe edhe vetë drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dallëndyshe Bici e cila theksonte se kushdo që përpiqej të përfitonte në mënyrë të paligjshme nga detyra në Kadastër, do të hetohej nga prokuroria.
Pas më shumë se katër orësh marrje në pyetje nga prokurorët, drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, është dërguar në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Fierit.
Voja u arrestua me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, lidhur me tjetërsimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës. Sipas dyshimeve, prona është kaluar në pronësi private dhe më pas u është shitur investitorëve të një projekti fotovoltaik.
-
Keta parqet diellore do u hane koken shume personave.
Përgjigju -
Nami vetem vjedhin Rilindasit, o njerez jepini dërrmën kësaj partie hajdute dhe mediave qe mbështet këtë kaste politike qe po drejton dhe vjedh shqiptaret prej 13 vjetësh. Bravo Shqiptarja jeni media me e pavarur
Përgjigju-
Sa per dijeni , ata qe perfituan nga kjo vjedhje jane te djathte. Fieri i njeh mire.
-










Komente
Komento