Fitorja 3-2 e Interit në Derbin e Italisë kundër Juventusit ka shkaktuar polemika të forta në lidhje me gjykimin e ndeshjes. Arbitri Federico La Penna është në bankën e të akuzuarve për shkak të kartoni të dytë të verdhë (i kuq) në dëm të mbrojtësit të Juventusit, Piere Kalulu, për një faull që nuk ekzistonte në dëm të Bastonit, pasi siç e pranoi edhe shefi i gjyqtarëve në Serie A, Gianluca Rocchi, mbrojtësi zikaltër kishte simuluar.
Gjyqtari Federico La Penna rrezikon një muaj pezullim, ndërsa ai ka denoncuar në polici gjithë kërcënimet me jetë që i kanë ardhur pas ndeshjes që ka shkaktuar shumë polemika.
Në lidhje me këtë duel ka reaguar edhe Roberto Saviano, gazetari dhe shkrimtari që ka studiuar me detaje funksionin e mafies në Itali. Saviano, në kanalet e komunikimit, ka ngritur akuza të rënda në drejtim të presidentit të Interit, Giuseppe Marotta. Sipas tij, për sa kohë Marotta të jetë në sistem, Serie A do ketë sfida të manipuluara.
"Për sa kohë që ky njeri (Marotta) ka një rol në futbollin italian, të gjithë do të ndihen sikur liga është e manipuluar". Ai më pas shtoi: "Zemërimi i Chiellinit (drejtues i Juves) dukej si ndjenja e dikujt që e di se si funksionojnë gjërat me Marottan", kjo pasi Marotta nga 2010 deri në vitin 2018 ka qenë pjesë e Juventusit si Drejtor i Përgjithshëm.
Megjithatë, ai sqaroi se: "Ky nuk është një sulm ndaj atletëve dhe tifozëve, të cilët janë viktimat e para të një sistemi që nuk është plotësisht transparent . Për sa kohë që dinamika të caktuara mbeten të paprekshme, kampionatet nuk do të jenë kurrë vërtet normale."
Saviano vazhdoi më pas: "Historitë e infiltrimit të Ndranghetas në futbollin e organizuar nuk janë fantazi baresh. Ato kanë përfunduar në sallat e gjyqit, në dokumente, në hetime. Lidhur me marrëdhënien me Interin, pika qendrore përmbahet në një pasazh specifik të një urdhri gjyqësor. Gjykatësi shkruan: "Hetimet e kryera kanë nxjerrë në pah se klubi i Interit ishte në një situatë nënshtrimi nga anëtarët e 'Curva Nord', duke përfunduar në mënyrë efektive duke i ndihmuar ata, megjithëse me ngurrim", shkruan mes të tjerash Saviano.
Përtej Adriatikut duket se gabimin e arbitrit Federico La Penna nuk e shohin si një gabim njerëzor, por si pjesë e një sistemi që drejtohet nga njerëzit me pushtet politik dhe ekonomik.
Komente







