I lodhur, i fikur si një fund stuhish

I lodhur, i fikur si një fund stuhish

Kur para dy vjetësh Londo më solli dorëshkrimin e tij me titull “Prill i hidhur”, gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte vargu i famshëm i Eliotit: “Prilli, më i egri i muajve”, dhe s’di pse pata një parandjenjë jo të mirë. Ishim ulur në Kafe Europa si dikur.

E kisha përballë. I dobësuar, i plakur para kohe, pa kurrfarë entuziazmi, me një zë gati të shuar, më tha se bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë kohë më parë dhe se jetonte tani me njërën nga dy vajzat. “I lodhur, i fikur si një fund stuhish”, – do ta lexoja më vonë këtë varg në poezinë në dorëshkrim, me të cilën kishte pagëzuar vëllimin “Prill i hidhur”.

Ishte operuar dy herë, por shqetësimet ende i kishte, gjithsesi. Dukej sikur i kishte thënë lamtumirë kësaj bote dhe kjo më trishtoi së tepërmi. U ndamë shpejt, sepse mezi po qëndronte në karrige dhe m’u lut që librin t’ia bëja siç dinte “Onufri” t’i bënte dhe fytyra iu ndriçua nga një buzëqeshje.

Me London kishim bashkëpunuar çerek shekulli më parë me vëllimin “Kur perënditë ndaluan vetëvrasjen” dhe ajo që më kishte mbetur në mendje ishte mirënjohja e tij, krejt tjetër nga sivëllezërit e tij. Ndaj ishte gëzim bashkëpunimi me të. Ishte kohë e vështirë për librin në këto dy vite për shkak të pandemisë, por me sa kuptova nuk është se u shqetësua fort kur preku me dorë librat.

Dukej që i kishte pëlqyer dhe ky fakt më bëri të ndihem mirë. I mësuar prej kohësh mes autorit dhe librit të tij, botuesi e di mbase më mirë se cilido këtë lidhje të shenjtë të autorit me shpirtin e tij, tashmë në formën e një libri. Por nuk është se iu gëzua shumë këtij libri.

Sëmundja e rëndë ia ndërpreu në mes. Kur nga Fieri më lajmëruan se kishte fituar çmimin “Harpa”, e mora në telefon dhe doja ta gëzoja. Jam në spital, më tha. Nuk çohem dot. Shkova vetë në Fier dhe u shpjegova të pranishmëve që poeti ishte shtruar me një sëmundje të rëndë.

Po vinte radha e çmimit të Ministrisë së Kulturës. Ishte hera e parë që prisja me njëfarë padurimi vendimin e jurisë dhe të gjithë anëtarët kishin votuar për London. Mbase ishte gëzimi i fundit që do të merrte nga kjo botë. Dhe përsëri mungoi ta marrë çmimin. Sa e padrejtë është shpeshherë jeta. Por për shkrimtarët, gjithsesi, ka një ngushëllim. Sepse e shkruara mbetet dhe varësisht talentit, rëndësisë, kontributit krijimi i tyre kalon brez pas brezi, duke zënë vendin në memorien tonë kulturore.

I tillë ishte Bardhyl Londo. Lamtumirë, i dashur mik! Ke lënë pas një emër dhe vepër të bukur!

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dhuratë e hidhur për Krishtlindje? Armando Broja mund të shkarkojë Guardiolën! Liverpool e Chelsea luajnë për 'Boxing Day'

Dhuratë e hidhur për Krishtlindje? Armando Broja mund të shkarkojë Guardiolën! Liverpool e Chelsea luajnë për 'Boxing Day'