Shuhet poeti i dy kohëve, miqtë rrëfejnë Bardhyl London, nga diktatura si kryetar i Lidhjes e përfshirja në politikë deri në vitet e fundit, që përjetoi dhimbjen e humbjes së bashkëshortes

Poet i dy kohëve, publicist, e një zë intelektual që tentoi të zbuste politikën me qytetari, zemra e  Bardhyl Londos reshti së rrahuri këtë të premte...  Poeti u shua në moshën 74-vjeçare. Mes mureve të spitalit Onkologjik, ku kaloi muajt e fundit të jetës, pranë i qëndruan familjarët. Ndërsa telefonatat e gjata me miqtë e bënin të shpërqendrohej nga dhimbja.

“Është një humbje e madhe jo vetëm për letërsinë, jo vetëm për shkrimtarët por edhe për botën intelektuale në tërësi. Bardhyl Londo nuk i përkiste vetëm letërsisë por edhe jetës qytetare. Ishte një zë i parë në letërsi. I takonte brezit pas Kadare që vendosi të refuzonte retorikën e mëparshme dhe të hynte në kërkim të një mënyre tjetër të vjershëruari. Duhet thënë që Bardhyl Londo i qëndroi besnik poezisë prej fillimeve deri në fund të jetës së tij. Nuk tentoi të kalonte në prozë përveç rasteve kur u mor me publicistikë”, thotë Shaban Sinani.

E folura e tij me ton të butë, sikur donte të përkëdhelte raportet njerëzore njësoj si poezinë, mbetet në kujtesën e miqve. Por qetësia e tij, është edhe e qytetarit përmetar, që e mbështillte vendlindjen me përjetësi letrare e vëmendje besnike.

“Ai e kultivonte fjalën shqipe me një dinjitet dhe me një origjinalitet të jashtëzakonshëm. Kjo ndoshta edhe pse ishte përmetar. Ku fjala ka një traditë qindra vjeçare që nga këngët e popullit deri tek vëllezërit Frashëri. pavarësisht se kishte ardhur në Tiranë diku mbas viteve ’80, ai e ndjente veten përmetar dhe të lidhur me atë komunitet. Dhe jo thjesht me komunitetin, sa i përket njerëzve por edhe me trashëgiminë e tyre”, thotë Tole.

Në të dy sistemet, poezia e tij qëndroi kryelartë në panteonin e letërsisë.

“Shkroi poezi në të dyja periudhat. Është ndër rastet e pakta të brezit të viteve ’70 që nuk e braktisën letërsinë edhe në vitet e mëvonshëm. Jo vetëm që nuk e braktisi poezinë Bardhu por në vëllime si “Shën Shiu” , krijoi një poezi me një frymë shumë më të gjerë dhe me një hapësirë shpirtërore poetike dhe estetike të pakrahasueshme me periudhën më përpara. Mund ta quajmë këtë një sfidë të vetvetes. Një sfidë të poezisë që kishte krijuar më përpara. Është poet i botës së brendshme”, vijon Sinani.

Në fillim të viteve ’90 tentoi që t’i sfumojë ngjyrimet e ashpra politike në vend, por rezistenca e monopolizimit të pushtetit binte ndesh me perspektivën e tij.

“Unë besoj që ajo pjesë e jetës së Bardhyl Londos që lidhet me politikën është më shumë një shërbim pozitiv i tij në politikë. Një përdorim pozitiv i gjithë çfarë përfaqësonte. Për ta bërë politikën më të butë më të balancuar se sa një gjë që ishte në vokacionin e Bardhyl Londos. Është pjesë periferike e tij, por për aq kohë sa qëndroi në politikë qëndroi për ta zbutur atë”, thotë Shaban Sinani.

“Ai në politikë hyri si personalitet i kulturës, sepse  ishin ca vite kur politika ishte më e ndërgjegjshme për rëndësinë që kishin personalitetet e kulturës dhe mendimi i tyre në politikë. Që po ta shikosh sot është trishtuese niveli përfaqësues i elitës intelektuale të vendit dhe në atë periudhë Bardhi më kultohet shumë mirë, që megjithëse skena politike ishte e nxehtë ai në krye të komisionit të edukimit   ka mbështetur  të gjitha nismat dhe propozimet që i krijonin mundësinë si artistëve me nismat që lidheshin me artin apo trashëgiminë kulturore”, deklaron Vaso Tole.

Kështu që edhe në atë qasje që pati me politikën ,ai ishte gjithmonë brenda vetes. Se në çdo rast, sado që ti shtosh tituj, më i rëndësishëm se sa deputet, kryetar komisioni etj, më i rëndësishëm se çdo gjë është emri i Bardhyl Londos.

Në retrospektivë, gjatë diktaturës, ka qenë një nga figurat kyçe të letërsisë e medias.

“E kam njohur kur drejtonte Lidhjen e Shkrimtarëve, gazetën Drita, gazetën Nëntori Ishte njeriu me të cilën ne komunikonim për të kërkuar një hapësirë në këto tribuna që kanë qenë më të lirat në atë periudhë”, thotë Shabani

“Dhe Bardhin e çmojnë shumë edhe gjatë kohës që ai ishte kryetar i Lidhjes se ai pati një karrierë të gjatë si kryeredaktor i “Dritës” dhe kryetar i Lidhjes . Pikërisht në ato momente kur metoda e realizmit socialist ishte bërë një hallkë shtrënguese sa i përket lirisë krijuese. Bardhi jo vetëm si autor që u përpoq të shpërthente me lirikat e tij dhe me poezinë e tij diku nga fundi i viteve ’80 deri në fillimvitet 90.

Krijoi një klimë mbështetëse për shumë nga poetët që sot janë autoritete të rëndësishme. SI kryetar i Lidhjes ka qenë drejtues liberal, dhe sot na vjen keq që ajo organizatë nuk është më pasi mund të ishte përshtatur. Bardhi në mënyrë të veçantë, Xhevahir Spahiu patën një kontribut të veçantë në atë periudhë”, thotë Tole.

Si poezia, dashuria për familjen ishte kolona e shpirtërore. Humbja e bashkëshortes Valentinës pak vite më parë, ishte një goditje, një dhimbje e madhe me të cilën poeti duhet të bashkëjetonte...

“Ne e dinim që ai kishte një dobësi për familjen. AI ka shkruar vargjet më të bukura për dashurinë sepse kishte ndërmend në të gjitha ato vargje bashkëshorten e vet, të ndjerën Vali e cila është ndarë para disa vitesh nga jeta dhe kjo ka qenë një nga brengat dhe trishtimet e mëdha të Bardhylit. Pasi edhe zonjën Vali e mori jeta në moshë shumë të re. Dhe vetëm ai mund ta shpjegonte se si ndihej për këtë humbje, pavarësisht se kishte mbështetjen  e plotë të familjarëve”.

Por ai arriti të ruajë profilin e një njeriu të ditur të një njeriu human, të një familjari të denjë. Dhe emri i Bardhyl Londos si krijues do të jetojë gjatë krahas emrave të mëdhenj të artit dhe kulturës shqiptare.

Homazhet për poetin do të mbahen nesër në Kuvendin e Shqipërisë nga ora 10.00 në orën 12.00.

 

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë