'Politika shqiptare nuk i do njerëzit e vlerave', Ilir Kadia: Kam humbur mikun tim! Londo ishte prerja e Dritëro Agollit, ja ku gabova me të

Dashuria e dy vajzave dhe miqësia e fortë, ka ndihmuar poetin Bardhyl Londo, të sfidojë ftohtësinë e mureve të spitalit Onkologjik gjatë dy muajve të fundit. Me Ilir Kadinë, mikun e tij të ngushtë gazetar, bisedat në telefon kanë qenë të gjata. E kush e di sa plane e kafe të lëna pezull, në klubet e tyre të preferuara në Tiranë. Por vdekja e parakohshme, ndërpreu jetën e poetit në moshën 74-vjeçare. E miku i tij, Kadia e përcjell këtë të shtunë gjatë homazheve në Kuvendin e Shqipërisë. U qëndron pranë familjarëve, e duket disi i rebeluar me politikën, ata që ishin të pranishëm këtë të shtunë gjatë lamtumirës së fundit, e të tjerë që nuk mundën të vinin...

“Unë kam humbur mikun tim... Më vjen keq për Shqipërinë! Më vjen keq për këtë vend se, nuk ia di përmasat, vlerat e stërmëdha që ky poet i madh i kombit kishte. Ndryshe, po t’i dinte, këtu do të kishte togje me hire zjarri nga njerëzit që duhet ta gdhinin natën në të ftohtë për të qenë të pranishëm për këtë ngjarje, për mua, të vlerave historike kombëtare, jo vetëm për letërsinë tonë. Ndaj i uroj mikut tim udhë të mbarë drejt parajsës, sepse të, vetëm parajsa është udha!”, thotë ai.

Në politikë Londo ishte për pak vite, pavarësisht dëshirës së tij për të sjellë ndryshime pozitive në kulturë.

“Politika shqiptare nuk i do njerëzit e vlerave të Bardhyl Londos! Ai ishte një dashnor i lirisë, dhe si i tillë nuk mund ta gëzonte atë në këtë politikën tonë, e mbushur e tëra me konflikt. Kemi 30 vjet që njerëzve me vlera si të Bardhyl Londos vetëm jua zvogëlojmë përmasat. Dhe këtë e bën politika, jo populli! Populli, njerëzit e mirë, njerëzit e ndershëm të këtij vendi, shumë shpejt do ta vlerësojnë në të gjitha përmasat që kishte Bardhyl Londo”, shprehet Kadia.

Bardhyl London, miqtë e përshkruajnë si një personalitet që diti ta dojë njeriun. Dashuria e tij e madhe për bashkëshorten, ishte forca e tij, aq edhe dhimbja e tij e madhe pas ndarjes nga jeta...

“Shqiptarët kanë një shprehje shumë të bukur: “ Më thuaj me cilin rri, të të them se cili je”. Bardhyl Londo ishte prerja e Dritëro Agollit dhe si i tillë nuk mund ta donte ndryshe zonjën e tij, Valentinën. Siç e deshi Dritëroi, Sadijen... Në fakt Perëndia e dënoi rëndë kur ia mori Valentinën para vetes. U bënë 8 vjet që atëherë... dhe Bardhyli ishte si jetim. Para se të vija në homazhe kalova në klubet e lagjes dhe deri afër ish Kinema Partizanit ku e pinim një gotë dhe ishte vetmi e madhe!”

Dashuria e pakushtëzuar karakterizonte edhe raportin e Londos me dy vajzat e tij...

“Ishte i jashtëzakonshëm në dashurinë për vajzat. Unë bëra njëherë një gabim. Një gabim të madh. I thashë: Bardhyl, i ri je, 65-vjeç, martohu prapë. Dhe më tha: I lojtur je?! Unë të martohem prapë?! Kjo ishte një shprehje e dashurisë dhe respektit për Valentinën, nënën e dy vajzave të tij dhe për vetë vajzat....

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mbrojtja e Putinit mund të mos mjaftojë! Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Mbrojtja e Putinit mund të mos mjaftojë! Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare