Një peshkatar është shpëtuar pasi kaloi 15 ditë i bllokuar rreth 100 metra nën tokë, në një gropë të mbushur me ujë.

Erasto Crisanto Valdez u zhduk më 23 korrik, ndërsa peshkonte me të atin në një pus (cenote) në San Francisco La Paz, Meksikë.

Pas më shumë se dy javësh pa asnjë gjurmë, ekipet e shpëtimit e konsideruan 31-vjeçarin të vdekur dhe ishin “të përgatitur të gjenin trupin e tij”

Por, ndodhi e kundërta. Sipas raportimeve, Erasto kishte mbetur i bllokuar në një shpellë, në një xhep ajri më shumë se 100 metra nëntokë.

Ai u gjet të enjten nga një ekip ndërkombëtar eksploruesish nga Meksika, Gjermania, SHBA-të dhe Republika Domenikane, pasi kishte përballuar për javë të tëra të ftohtin dhe lagështinë në errësirën e shpellës.

Eksploruesi meksikan Carlos Jiménez e përshkroi zbulimin si një mrekulli, duke thënë se “Zoti kishte plane të tjera” për këtë njeri me fat.

Në një intervistë për NMás, Erasto tha: “Faleminderit Zotit që më dha një mundësi tjetër për të jetuar dhe që më lejoi të shoh përsëri fëmijët dhe familjen time. “Ishte një mrekulli, një mrekulli e pabesueshme.”

Pas zhdukjes së tij, operacioni i kërkimit nisi menjëherë, por pa rezultat. Gjashtë ditë pas nisjes së kërkimeve, ekipet e shpëtimit gjetën shtizën e peshkimit të Erastos.

Valdez u dërgua në spital pasi më shumë se dy javë pa ushqim e kishin bërë të kalonte në dehidratim të rëndë.