Kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, u paraqit këtë të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Burime nga SPAK bëjnë me dije se arsyeja është për marrjen ne pyetje për hetimin ndaj tij.

Ai është i marrë i pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike. Më 30 qershor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme e pezulloi Myzyrin nga detyra, ndërsa ai u rikthye në detyrë 3 muaj më pas, më 5 tetor, ditë kur edhe iu komunikuan akuzat.

Struktura e Posaçme e akuzon Myzyrin për një tender me vlerë rreth 2.2 milionë euro në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor me gjatësi 59 kilometra Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit. Tenderi u zhvillua nga ARRSH më 18 shtator 2020, proces në të cilin janë konstatuar shkelje ligjore, të cilat KPP me kryetar Myzyrin i shpërfillën.

Sipas SPAK, ky Komision, në kundërshtim me ligjin favorizoi bashkimin e kompanive “AEK MUNELLA” dhe “DRINI-1”, të cilat fituan tenderin 2.2 milionë euro me dokumente false. Në këtë proces pati ankesa nga operatorë të tjerë, si “KTHELLA”, i skualifikuar nga KPP me arsyetimin se oferta me vlerë më të ulët që kishte paraqitur ishte anormale. Në vendimin për skualifikim, thuhej se autoriteti kontraktor duhej ta refuzonte këtë operator për shkak të “riskut të lartë për mospërmbushjen e detyrimeve kontraktore”.