Pas kritikave të shumta publike me të cilat u përball pas publikimit të një video ku denigrohej figura e nënës së 15-vjeçarit të dhunuar nga policia pse theu karantinën, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu është takuar me Zaida Çobon, nënë e të miturit.

Pas ndjesës publike që bëri pas shfaqjes së videos,Veliu i ka kërkuar dhe ndjesë personalisht zonjës Çobo, duke u shprehur se komenti i tij në lidhje me videon nuk ishte si qëllim të fyente familjen e saj dhe as të justifikonte veprimet e policisë që dhunoi të miturin.

Në takimin e zhvilluar ditën e sotme mes Ardi Veliut dhe Zaida Çobos, ishte e pranishme dhe zëvendësdrejtorja e Përgjithshme Aida Hajnaj.

"Sot u takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike. Dëshiroja që ndjesën time publike t'ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj. Përfitoj nga rasti ta përsëris edhe njëherë që jam i keqardhur për komentin tim dhe shpresoj që të jetë kuptuar nga të gjithë që ato fjalë nuk kishin qëllim fare të justifikonin policin (i cili është pezulluar menjëherë pas ngjarjes).  Po ashtu nuk më ka shkuar kurrë mendja të lëndoj zonjën apo familjen e saj me atë koment. Ndjesë edhe njëherë!" - u shpreh Veliu pas bisedës me zonjën Çobo.

Po si ishte ngjarja? Gjatë raportimit të Ardi Veliut në Komisionin e Sigurisë lidhur me dhunën e policit ndaj 15-vjeçarit,  gjatë kohës që pranoi shkeljen e kryer nga efektivi nxori dhe një video ku sipas tij tregonte se kujdesi duhet në familje, pasi nëna e të miturit promovon në facebook armët e zjarrit. "Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë" tha Veliu teksa tregon videon.

I menjëhershëm ka qene reagimi i nënës së 15-vjeçarit,  Zaida Çobo duke përgënjeshtruar Veliun. Ajo tha se pamjet e saj me pistoletë në dorë janë publikuar në rrjetin e saj social Facebook gjatë xhirimeve të filmit “Dashuria s’mjafton" ku ajo ka pasur një rol.  

Pas reagimit Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka kërkuar ndjesë publike për veprimin e tij dhe sot ia ka shprehur këtë ndjesë personalisht nënës së 15-vjeçarit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:00
Pas takimi personal me Ardi Veliun, Zaida Çobo tërhiqet nga padia për cenim imazhi

Pas takimit që zhvilloi me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, Zaida Çobo, nëna e të miturit të dhunuar nga policia dhe publikimit të një video false se ishte me armë, është tërhequr nga padia për shpifje dhe cenim imazhi të saj që bëri kundrejt Ardi Veliut.

Në një prononcim për Report Tv, Çobo shprehet se është tërhequr nga padia ku Veliu i nxori video me armë false në Komisionin e Sigurisë.

Në padi Çobo kërkoi 1 mln lekë dëmshpërblim, por pas ndjesës publike dhe personale të marrë nga Ardi Veliu, ajo është tërhequr nga padia.

"Arsyeja e tërheqjes vjen pasi jam e surprizuar nga veprimi i drejtorit Ardi Veliu pasi pavarësisht se më kërkoi një takim dhe më kërkoi falje fakti që ai e beri dhe publike më çliroi akoma më shumë nga ky moment i vështirë që kam kaluar. Ndihem e gëzuar që kërkoi ndjesë për atë çka bëri dhe ndihem më mirë tani që ai keqkuptim është sqaruar me drejtorin Veliu", tha Çobo për Report Tv.

Megjithatë Zaida Çobo sqaron për Report Tv se nuk tërhiqet nga padia për dhunimin e djalit të saj 15-vjeçar nga policia pse theu karantinën.