TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka kërkuar ndjesë publike për veprimin e tij i cili nxori videon me armë të nënës së 15-vjeçarit që u rrah nga policia pse theu karantinën.

Në përgjigje edhe të akuzës së PD-së, ku kërkuan shkarkimin e tij, Veliu tha se nuk shprehu siç duhet atë që kishte qëllim të thoshte, megjithatë sipas tij, puna që ai bën flet më shumë se fjalët që thotë. Veliu thekson se kjo deklaratë e tij nuk duhet të përdoret me qëllim përbaltjen e punës së gjithë uniformave blu, siç demokratët bënë në deklaratën e fundit.  

"Jam i keqardhur që Policia e Shtetit bëhet rregullisht shënjestra e atyre që kurrë nuk e thanë një fjalë motivuese për të dhe sot përsëri e njëjta gjë.  Ndërkohë që ne jemi organizata më rigoroze në goditjen e fenomeneve brenda vetes, mjafton që një punonjës i ynë të bëjë një gabim dhe megjithëse ndëshkohet në radhë të parë prej nesh, prapëseprapë goditja vijon ndaj Policisë së Shtetit.  Sot unë jam vënë personalisht në shënjestër dhe më vjen keq për deformimin që po i bëhet realitetit të ngjarjes për të cilën fola dhe vetë qasjes sime ndaj saj.  Së pari, fjala ime nuk mund të nxirret nga konteksti siç po bëhet.  Së dyti, kam bërë një ilustrim të idesë se nuk mundet të fajësohet gjithnjë e vetëm punonjësi i Policisë duke u kapur pas një fotoje të rastit, pa konsideruar tërë kontekstin e një situate.  Së treti, kam sqaruar se punonjësi në fjalë është pezulluar dhe ka nisur hetimi disiplinor dhe penal për të.  Së katërti, unë po komunikoja hapur me deputetët, një shqetësim që është i mbarë punonjësve tanë, për demonizimin që i bëhet figurës së Policit të Shtetit dhe nuk doja të thosha më shumë se kaq.

Por në fund dëshiroj t'u them të gjithë atyre që po e gjykojnë me ngut këtë "krim" të radhës, se nëse nuk kam arritur dot ta sqaroj si duhet atë çka kisha qëllim, kjo nuk mjafton për të më gjykuar me qëllim.  Këtë detyrë e kam mbajtur dhe do ta mbaj deri në fund me nder dhe puna ka folur e do të flasë për mua dhe Policinë e Shtetit më mirë se sa fjalët tona.  Ndjesë nëse kam krijuar një  keqkuptim me komentin tim dhe besoj se kushdo që do të gjykojë pa paramendim dhe pa e menduar edhe këtë si rastin e radhës për të baltosur Policinë e Shtetit, do të gjejë arsye për ta pranuar ndjesën time", shprehet Veliu.

Po çfarë ndodhi që kjo ngjarje u rikthye në qendër të vëmendjes së mediave dhe akuzave politike? Në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, deputetja Elena Xhina  e pyeti për dhunën e policit ndaj 15-vjeçarit, Veliu nxori një video ku pranon shkeljen e efektivit, por deklaron se kujdesi duhet në familje, pasi nëna e të miturit promovon në facebook armët e zjarrit. "Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë" tha Veliu teksa tregon videon.

Nëna e djalit Zaida Çobo përgënjeshtroi Veliun duke deklaruar se pamjet e saj me pistoletë në dorë janë publikuar në rrjetin e saj social Facebook gjatë xhirimeve të filmit “Dashuria s’mjafton" ku ajo ka pasur një rol. Nga ana tjetër, nëpërmjet ish- deputetes Oriola Pampuri, ky është një skandal dhe kërkon shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shtetit Ardiu Veliu. "Ardi Veliu duhet të shkarkohet! Justifikoi dhunën policore ndaj të miturit, duke përbaltur me sajesa kriminale nënën e tij. Është fytyra sadiste e pushtetit kriminal që u ble nën kërcënimin dhe dhunën e parave të pista.

Raportimi i plote i Ardi Veliut ne Komision