Me një karrierë të shkuar si komando në Irak dhe Afganistan, 22 vjet më parë, Erzen (Hamza) Uka, u ngujua të hënën, së bashku me Julian Cumrakun, duke i rezistuar për 12 orë rrethimit nga forcat elitë të Policisë së Shtetit, në Orosh të Fushë Arrëzit.
Lidhjet me ekstremizmin islamik, e kishin vënë prej kohësh nën vëmendjen e autoriteteve. Që prej 2007-ës, Uka ishte në survejim nga Antiterrori dhe konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë.

Në prill 2019, a arrestua për të njëjtat dyshime të prirjeve radikale, pasi edhe në rrjetet sociale ishte aktiv me postime të simboleve të organizatave terroriste, demonstrime të teknikave të luftimit, stërvitjes, trajnimit nga luftëtarët ekstremistë, përfshirë stërvitje të fëmijëve me qëllim për t'i dërguar si luftëtar të ISIS.

Erzen (Hamza) Uka, do të mbahet mend si personazhi që guxoi dhe nuk iu bind gjykatës, duke kërcënuar në seancën paraprake në ish-Gjykatën për Krime të Rënda, gjyqtarin Bib Ndreca dhe prokurorin Eugen Beçi. 6 vjet më vonë, Beçi e kujton kështu atë seancë aspak të lehtë.

“Seanca gjyqësore ka qenë shumë e tensionuar. Personi nuk pranoi t'i nënshtrojë ligjeve dhe solemnitetit të sallës së gjyqit duke pretenduar ato radikalizimet e tyre që ata kanë. Nuk i binden gjyqit, nuk i binden ligjit, nuk i binden republikës dhe të gjithë këto elementë degraduan”, thotë Eugen Beçi – Ish-prokuror.

Por, cilat ishin kërcënimet që Uka bëri nga banka e të akuzuarve?

“Në radhë të parë nuk pranoi që të çohej në këmbë dhe nuk pranoi të kryente asnjë nga ritualet që bëhen në seancën gjyqësore. Pastaj u drejtua në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe mua dhe gjyqtarit duke thënë mbajeni mend, shihni ju se ç’do ju bëj unë, unë kam mbështetësit e mi jashtë”

Urrejtjen fetare Erzen (Hamza) Uka e tregonte që në fazën fillestare të marrjes në pyetje, pas arrestimit.

“Kishte shenja të dukshme të nxitjes së urrejtjes fetare dhe nxitjes për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, vijon ish prokurori.

Ish prokurori, Beçi thotë se 39-vjeçari ishte nxitur edhe nga personazhe të tjerë që ishin jashtë, të cilët më vonë u verifikuan.

“Antiterrorit mbaj mend që më pas u kryen dhe disa veprime të tjera verifikuese ku ky kishte nxitur eksponentë të tjerë në për të sulmuar, qoftë dhe verbalisht gjyqtarin dhe prokurorin e çështjes”, thotë Beçi.

Rasti i Oroshit tregoi se radikalizmi dhe terrori vijojnë të jenë problem brenda vendit.

“Këta janë tipa ekstrem të cilët mund të mbahen vetëm nën kontroll të vazhdueshëm nga Drejtoria e Antiterrorit për të shmangur dhe për të parandaluar veprimtarinë e tyre për të cilën ne po shohim që ata nuk heqin dorë kurrë”, shprehet për Report Tv ish prokurori Eugen Beçi.

Përveçse të suksesshme ndërhyrjen e një dite më parë të RENEA-s, Beçi e sheh me optimizëm arrestimin, i cili mund t’i shërbejë hetimeve.


“Këta persona tashmë janë në duart e policisë janë një aset dhe një burim i domosdoshëm për të vazhduar hetimet e mëtejshme mbi lidhjet dhe rrjetet e tyre”

Çfarë shkoi keq me një komando që nga luftues i terrorizmit, u bë vetë pjesë e tij?

“Një person që shkon të luftojë terrorizmin, të kthehet në mbështetës dhe nxitës të veprimeve terroriste, tregon që ka çaluar disi veprimtaria psikologjike”, përfundon Beçi.

Erzen (Hamza) Uka, në shtator 2020 u dënua me 3 vite burg nga Gjykata e Tiranës për nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllime terroriste dhe armë pa leje. Dënimi i tij nuk shërbeu për rehabilitim, dhe shumë shpejt iu rikthye ideve fillestare të terrorizmit.