TIRANE-Komisioni i Ekonomisë miratoi paraditen e sotme propozimin e presidentit të Republikës Ilir Meta për Arben Shehun në krye të KLSH-së. Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë Milva Ekonomi u shpreh se shërbimet e Kuvendit kanë dalë në përfundimin se kandidati për KLSH i përmbush kriteret.

"Kandidati ka eksperiencë pune, ka gradë shkencore doktor. Shehu ka plotësuar formularin e deklarimit, dhe deklaron se nuk ka pengesë gjyqësore për postin e KLSH, dhe shmang çdo dispozitë papajtueshmërie. Rezulton se përmbush kriteret ku kërkohet që gjatë drejtimit të KLSH nuk mund të jetë anëtar i kuvendit apo forcave politike. Shërbimet e Monitorimit në Kuvend kanë vlerësuar se Shehu përmbush standardet e drejtimit të KLSH-së" tha ajo.

Vetë Shehu në fjalën e tij theksoi se "Do të zbatoj të gjitha parimet thelbësore, që duhet të respektoj ky kontroll. Që veprimtaria e kontrollit të jetë efektive duhet të ndiqen standarde evropiane. Nëse ndjekim standardet e duhura kontrolli është efektiv.

Duhet të garantojmë transparencën e auditimit, të garantoj angazhimet në auditime kryesisht në sektorin publik. Këto standarde do të garantojnë veprimtarinë e përditshme të KLSH. Ky institucion me përgjegjësi të madhe duhet të garantojë kontroll, cilësi dhe ligjshmëri për çdo parregullsi të konstatuar" tha Shehu ndër të tjera gjatë seancës dëgjimore.

Pas seancës dëgjimore, me 15 vota pro, 1 abstenim dhe 2 kundër, Arben Shehu mori besimin e anëtarëve si drejtues të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por verdikti final do të merret në seancën plenare të Kuvendit. Prej disa muajsh kishte një 'luftë' të heshtur për këtë post, me propozime nga Presidenti dhe rrëzime nga socialistët.

Vitore Tusha, Bahri Shaqiri dhe Petraq Milo, ishin tre kandidatët e parë që PS-ja i rrëzoi Ilir Metës për zëvendësuesin e Bujar Leskajt në krye të KLSH-së. Por duket se propozimi i katërt ka bindur shumicën, të paktën në komisionin e Ekonomisë për të votuar Arben Shehun.