Ibrahim Kodra në romanin e
përthyer në dy kohë

Ibrahim Kodra në romanin e<br />përthyer në dy kohë

Romani më i ri i shkrimtarit Viktor Canosinaj, vjen përmes një metafore të beftë, e cila shënohet qysh në titull, Malli i kaltër.

Megjithatë, në anën e mbrapme të kopertinës, përveç sfondit të detit të kaltër dhe të qiellit, në momentin kur po bie nata, autori ka vënë, jo rastësisht një shënim “
Kushtuar piktorit të shquar shqiptaro-italian, Ibrahim Kodra.” Pra, varësisht këtij shënimi të autorit, kuptohet se në pikëpamje formale, është një roman që ka vënë në qendër fatin e piktorit. Po kaq, dëshmon se ka hyrë në sferën e pikëprerjeve të pikturës me letërsinë, të ngjyrës me tingëllimën e fjalës, çfarë tekembramja shënon një rast të sinkretikës letrare, gjë që përthekon veçanësinë e shkrimit të tekstit.

Situata e ndërthurjes së letërsisë me pikturën, të sjellë ndërmend një pohim të Lesingut, për ndërlidhjen e tyre, “piktura është një poezi që hesht”, si dhe “poezi është një pikturë që flet”, pra edhe letërsia, në një kuptim, proza apo dramatika, që ka fjalën si mjetin e sendërtimit të vlerave, gjendet në rrethakun e këtij mbigjallimi.

 

Një portret imagjinar 

Pritshmëritë e mëdha të lexuesit se kemi të bëjmë me një biografi të jetës dhe veprës së piktorit, pra me një roman tipik biografik, qysh në paratekstin paraprirës, i rrëzon vetë autori, kur shprehet: … ky roman që po merrni në duar është një trillim letrar, që vjen si një sugjerim autorial dhe largon fijet e dyshimit mbi karakterin e veprës. Po aty, tashmë duke e rimarrë, në një formë më të përcaktuar, shkrimtari në mënyrë eksplicite nënvizon: Pretendimi për të kërkuar në këtë libër një biografi të piktorit, do t’ju çonte në një shteg të gabuar.

(2016: 6). Prandaj, kuptohet se nuk ka mëdyshje që kemi të bëjmë me një biografi të jetëshkruar artistikisht, të projektuar si risemantizim autorial. Largimi i çdo hamendje, për karakterin biografik të romanit, ndonëse përsëri nuk e shmang përfundimisht “implikimin” që ka në qendër figurën e Ibrahim Kodrës, piktorit me famë botërore, sepse ndërkaq sërish si paratekst fillimitar shënohet fraza e Kodrës, Elegjia jam unë.

Pra, më në fund, romani Malli i kaltër, në përputhje me nivelin e pohimit të autorit, por edhe të projektimit të botës romanore, në thelbin sendërtues nuk është një vepër biografike, por është një tekst letrar që ka vënë në qendër Kodrën, gjithsesi pa mëtuar biografinë e mjeshtrit të pikturës. Zgjedhja e një çasti nga jeta e piktorit, pra e kohës fëminore dhe rinore, ndonëse në hapësirën e tekstit integrohen në të edhe aspekte të tjera jetësore, përfundimisht na largon nga ideja e një romani biografik dhe na bind se është një tekst letrar i trilluar, që megjithatë në qendër si protagonist ka piktorin Kodra.

Ndërmjet faktikes, jetësores së një kohe të largët të jetës së kësaj figure, me imagjinaren letrare, që paraqet projektimin autorial, të udhëtimit me avion dhe të ikjes në kohën e dikurshme, ka një gërshetim të pazakontë, që mundëson sendërtimin e barazpeshuar, gjithsesi duke mbetur një tekst imagjinar në thelbin e vetë. Çasti i zgjedhur me finesë, për të cekur jetën dhe veprën e Kodrës, në kuptimin artistik, është vetëmse një udhëtim me avion, nga Italia në Tiranë, që ngjet në vitin 1975, bashkë me vonesën e nisjes nga areoporti, ku në bisedë e shtruar me zonjën Stefano, rizgjohet jeta e dikurshme e piktorit Kodra.

Biseda e gjatë, në mes miqësh të mirë, apo të saponjohurish, nuk mundet të ketë një percaktim përfundimtar, është diçka që rri pezull, bëhet shkasi për të riparë, përmes pikturave dhe kujtimeve, grimca nga jeta fëminore dhe e rinisë së hershme, të piktorit të famshëm, por edhe për të prekur shpërfytyrimin e Shqipërisë nën thundrën e diktaturës.

Përthyerjet kohore

Vetë çasti i përzgjedhur nga shkrimtari, udhëtimi me avion, që mishëron kohën letrare/kohën e bisedës, nga ana rrëfimore, duke u bazuar kryesisht në tipologjinë e narratorit të gjithëdijes, megjithatë ndahet në dy kohë:

A – Koha e rrëfimit, që përputhet me kohën letrare, të bisedës së zhvilluar, nga vonesa dhe udhëtimi nga Italia në Shqipëri. Kjo kohë, ndonëse është reale dhe rrëfimore, përbëhet nga njëzet e katër episode, relativisht të shkurtër, me përjashtim të episodit të fundit, që shpërfaqin një fibraturë moderne, në rrjedhën subjektore dhe shpalimin rrëfimor. Koha e bisedës, koha letrare, ndërkaq sendërton një situatë të fshehtë pastekstuale, ndonëse formalisht ajo është vendosur në një hapësirë paratekstuale.

B – Koha e rrëfimit, si një kthim mbrapa, më tepër si një digresion i pashpallur, që përfaqëson vatrën qenësore të romanit, ku ndërkaq është materializuar një copëz e jetës së dikurshme të piktorit, në momentet e mbijetesës së vetë, kur ishte fëmijë dhe nuk jetoi asnjë ditë normale.

Koha reale e udhëtimit, duke zbritur artistikisht në fëmininë e vështirë të Kodrës, në rininë e trazuar nga ëndrra për të shkuar në Paris, e cila përbëhet nga njëzet e gjashtë episode, me hapësirë të shtrirë, ku shenjohet çasti i fëminisë dhe rinisë së largët të piktorit, mbushur me peripeci dhe andrralla, nga më të hidhurat, të cilat shënohen me numër. Bota e përveçme romanore, që përbën vatrën qenësore të tekstit, të ngjizur si kthim mbrapa, shprehet përmes strukturës rrëfimore dhe subjektore klasike, në shpalimin e vetë tërësor.

Kjo pjesë e materies shkrimore të romanit Malli i kaltër, është më e gjera dhe më e plota, që madje mundëson figurimin imagjinar të personazhit, si dhe bart thelbin e figurimit të personazhit, tanimë në një aspekt të jetës, të rimarrë si kujtesë, rastësore dhe e pashmangshme, të momenteve të fëminisë së hershme, si dhe të fillesave të ëndrrës për tu bërë piktor.

Ndërlidhja e dy kohëve, letrare dhe reale, që megjithatë në hapësirën tekstologjike, përgjithësisht shqiptohen të integruara, pavarësisht nuancave dhe ndryshimeve në mes tyre, bëhet nga natyra e rrëfimtarëve të gjithëdijes, si dhe nga prania imagjinare e figurës qëndrore të romanit, piktorit Kodra.

Për të kuptuar rolin e episodeve përbërës, po sjellim për lexuesin idenë e Milan Kunderës, kur nënvizon: Ndarja e romanit në pjesë; e pjesëve në kapituj; e kapitujve në paragrafe quhet ndryshe artikulimi i romanit, që sipas meje, duhet të jetë i një qartësie të madhe. (2001: 99, Arti i romanit), tek flet për krijimtarinë e vetë. Fakti që në romanin e V. Canosinajt vihen re ndarje të shumta, ky sugjerim vlen për të hyrë në marrëdhënie me këtë situate të shkrimit të romanit më nëndarje.

Ndërkaq në kohën letrare, pra në bisedën e gjatë dhe të shtruar, me zonjën, shkasi real dhe estetik, për të depërtuar në jetën e hershme të artistit, janë vizatimet që mbulojnë dhe zbulojnë, jetën e tij, në një mister ngjyrash dhe skicash. Kurse në kohën rotrospektivës, pra të kthimit në fëmininë dhe rininë e hershme, fjala e rrëfyer dhe e dialoguar, merr ngarkesë kryesore, të shqiptimit letrar, jo se piktura, imazhi nuk është i pranishëm, porse sendërtimi artistik zbret në vatrën ku ngjizet bota romanore.

Shenjat e përveçme letrare

Në mesin e shenjave që kanë mundësuar thurjen e realitetit letrar, në rrafshet imagjinare të romanit, në krye është narrativa, ose poetika e prozës, siç e pati emërtuar me herët, T. Todorov. Fjala e rrëfimtarit të ikjes së pashpallur në kohën reale, fillimisht na zbulon Lidranin që pikturon muret e fshatit. Pastaj, me finesë të rrokshme në hapësirën e tekstit, na jep ikjen nga shtëpia sepse ishte jetim nga nëna.

Për të vijuar me shtegtimin e frikshëm të djalit të vogël, nëpër hane e stane, në disa fshatra, që as nuk ua kishte dëgjuar emrin. Të ardhjes në Durrës ku njeh Karmelën, italiankën e bukur, e cila pikturonte dhe, ia pushton zemrën djaloshit, me një dashuri të thellë, gati platonike, të natyrës allabeatriçe. Të ardhjes në Tiranë, në shkollën teknike dhe në shkollën e vizatimit, që ndikon më shumë se sa gjithçka për ta kapur ëndrrën, drejt së cilës kishte vrapuar nëpër kaq shumë peripeci.

Këtu njohu prof. Paskalin, që ia hapi portat e dijes, njohu moshatarin e vetë, piktorin Sadik Kaceli, ku fatet i ndanë, për shkak të luftës botërore, e sidomos të sistemit monist. Në këtë kohë, ëndërrore nga përjetimi dhe, skicimi i protagonistëve të romanit, ku në qendër është piktori, ndërsa digjet nga dashuria për Elektrën, ndërkaq nuk vë re tragjedinë e tmerrshme që i shkakton Norës.

Koha reale, pavarësisht se përkon me kohën e kthimit mbrapa, në një kohë tjetër, duke shkuar madje deri në vitet njëzet të shekullit të kaluar, me penelata të shpejta, hedh dritë në hapësirën e tekstit për një parakohë, një përqasje të kohës së mbretërisë dhe diktaturës, si paralele rastësore, që përkon me etapat jetëshkrimore të piktorit. Kompozimi strukturor, në dy rrafshe kohore, në dy sintagma kohore dhe rrëfimore, ka bërë të mundur thurjen e një teksti imagjinar, që e ka skalitur figurën e Kodrës, në shijen dhe aspiratën e autorit.

Po ashtu, në hapësirat e rrjedhës subjektore, të përthyera në dykohësinë rrëfimore, sa vjen dhe gdhendet figura kryesore e Lidranit, e piktorit Kodra, disi më e plotë në situatën e retrospektivës, e kthimit ne motet e fëminisë dhe adoleshencës. Lidrani, si epiqendra e universit romanor, në përjetimet e veta, po kaq në përshkrimin e rrëfimtarit, të replikave që shkëmben me personazhet e tjerë, hedh dritë mbi të gjithë protagonistët e figuruar në këtë tekst. Mbi të jëmën që iku në qiell, kur ai ishte vetëm tre vjeçar. Mbi kapitenin, të atin, që i harruar deteve, e braktisi të birin.

Mbi familjen Roselman, Karmelën, prof. Paskalin, dashurinë për Elektrën. Si element formësues i romanit të trilluar Malli i kaltër, është edhe marrëdhënia me fjalën si rrëfim dhe përshkrim. Me fjalën si dialogim karakterizues, por në disa herë edhe me fjalën që vjen e formësuar në vargje, që shpalos një atmosferë tjetër në hapësirën e tekstit.

Tipologjia e romaneve, që kanë vënë në epiqendër figura reale, si te romani Mallkimi i grave, pra koha e Ali Pashë Tepelenës, përkushtues na nxjerrë në një shteg tjetër, e parë si fakt, që megjithatë në hapësirën e tekstit ka një histori imagjinare autoriale.

Në këtë roman, pra në tekstin Malli i kaltër, të dy elementët e materializimit estetik, janë të pranishëm. Në shumicën e tekstit këto elementë formësuese të tipologjisë së romanit të trilluar, ndonëse në pasazhe të ndryshme ka një zvarritje monotone, në rrjedhën subjektore, shqiptohen si të ndërthurura. Megjithatë, varësisht tekstit, dykohësia rrëfimore, elementi mbizotërues, është trilli, gjë që është aspiruar dhe mishëruar me jo pak finesë në tekst nga shkrimtari.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel