Shteti i Kosovës nuk do të mund të qëndrojë si duhet në këmbët e veta, nëse nuk do të krijohet perspektiva e mirëfilltë ekonomike dhe sociale për qytetarët e Kosovës.

Thuaja për çdo ditë të lume, pesë vjet e më shumë që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur, mund të gjinden shembuj të cilët dëshmojnë që ndër ne akoma nuk është rrënjosur vetëdija që Kosova është shtet, që Qeveria duhet të kujdeset njëlloj për të gjithë qytetarët e vet, që ne, si qytetarë, duhet ta respektojmë shtetin tonë. Kësaj radhe, këtu do të spikaten tre shembuj.

I pari na vjen në trajtë të kryetitullit në njërën prej gazetave të përditshme, ku pohohet që Fondi i Veriut, që do të themelohet me rishikimin e buxhetit, do ta dëmtojë Buxhetin e Kosovës.

Me siguri pa qëllim të keq, në këtë titull vendoset raporti i kundërshtimit në mes të Kosovës së tërësi, midis buxhetit të Republikës së Kosovës, dhe Fondit që mëton të adresojë çështjen e zhvillimit infrastrukturor (mbi të gjitha), të Veriut të Kosovës. Për vite me radhë, jemi mësuar, si politikë dhe si opinion publik, ta vështrojmë Veriun si një anë e territorit të Kosovës që vetëm ‘me letra’ është pjesë e Kosovës, si burim i të gjitha të këqijave të mundshme, si diçka e huaj për ne, në atë trajtën e përkujdesjes për qytetarët e kësaj pjese të Kosovës. Natyrisht, nuk kemi pasur as hak as hile në këtë rrëfim (për Veriun), por tash, synimi i autoriteteve të Kosovës, në bazë të Marrëveshjes së 19 prillit, është ndryshimi i gjendjes atje, i cili do të duhej të shfaqej, mbi të gjitha, me integrimin e qytetarëve të saj në Rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës.

Prandaj, Fondi për Veriun është pjesë e buxhetit të Kosovës, në të gjitha aspektet e mundshme, dhe ai nuk mund të jetë në kundërshti me buxhetin e Kosovës.

Shembulli i dytë na kthen prapa në situatën njëmend të rëndë, që u krijua javë më parë, përreth Kuvendit të Kosovës, kur pos tjerash u gjet në një gjendje rreziku të drejtpërdrejtë edhe Tracey Jacobson, Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë. Thuaja në të gjitha reagimet që pasuan, prej partive politike, por edhe prej qytetarëve të rëndomtë që pyeteshin prej televizioneve kosovare, mendimi që ishte absolutisht mbizotërues në këtë rast ishte ai që për ne, si shqiptarë të Kosovës, është turp dhe e pafalshme që kemi vënë një diplomate amerikane në një situatë të tillë, kur dihet çfarë ka bërë Amerika për çlirimin e Kosovës, dhe për krijimin e shtetit të Kosovës. Ishte kjo një përgjigje që spikatte anën morale, mbi të gjitha, të kësaj ngjarjeje, dhe respektin e përjetshëm (ashtu do të duhej të ishte së paku), të cilin shqiptarët e Kosovës do të duhej ta kishin për Amerikën.

Por, në fakt, çfarë u harrua në këtë rast është që Republika e Kosovës, të gjitha autoritetet e saja, e kanë detyrim ndërkombëtar përkujdesjen ndaj Ambasadores Jacobson, dhe ndaj të gjithë diplomatëve të tjerë që janë të akredituar në Kosovë, pa marrë parasysh çfarë kontributi për ne të gjithë, në vitet më të rënda për Kosovën, kanë dhënë shtetet prej të cilave vijnë këta diplomatë. Këtu shteti i Kosovës ka përgjegjësinë për të gjithë diplomatët që shërbejnë në Kosovë, ashtu siç, në rastin e parë, shteti i Kosovës e ka për obligim t’i trajtojë edhe qytetarët e Veriut me po aq përkushtim si të gjithë qytetarët e tjerë.

Shembulli i tretë është më i freskëti, mbase, më emocionali, më i efektshmi, sepse dashtë e pa dashtë na kthen në vitet e nëntëdhjeta, në kohën e eksodit të madh të shqiptarëve të Kosovës. Bëhet fjalë pra për mijëra shqiptarë të Kosovës, të cilët më mungesë të një perspektive sociale, dhe në shterje të durimit për ditë më të mira, (të cilat nuk mbërritën as pas ardhjes së shtetit të Kosovës), ia mësynë Evropës përmes kalimeve ilegale në kufirin e Serbisë me Hungarinë. Kemi të bëjmë, dhe kjo duhet patjetër të theksohet, me humbjen e besimit të këtyre mijëra vetave(po të tillë ka fatkeqësisht, gjithnjë e më tepër), që shteti i Kosovës mund tu ofrojë punë, paga, jetë të qetë.

Është ky një lajm që me jehonën e vet tronditëse (se skenat që i kemi parë ditëve të fundit janë njëmend të tilla), njëkohësisht do të duhej ta përçonte mesazhin e vet të këndelljes për Qeverinë e Kosovës dhe për të gjithë skenën politike të vendit. Është obligim i autoriteteve të Kosovës që ta ri-krijojnë besimin e këtyre mijëra të dëshpëruarve, që tash janë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetën e tyre, për të ikur nga shteti i Kosovës. Kjo fjali, si e tillë, ka qenë e paimagjinueshme në vitet 2008, 2009, apo, në dy vitet e para të pavarësisë së Kosovës. Kjo fjali është akuza më e rëndë e mundshme për politikën e Kosovës, për gjendjen e tanishme ekonomike dhe sociale në vend. Mënyra e vetme për ta zhbërë këtë lajm, i cili, përndryshe, do të vazhdojë edhe tash e tutje të qarkullojë nëpër mediat dhe realitetin kosovar (këtë duhet thënë pa asnjë dyshim), është përmes një ndryshimi rrënjësor të gjendjes ekonomike në vend. Assesi ndryshe. Një gjë e tillë, së paku në rrethanat e tanishme, duket e pamundur.

Ndërsa shteti i Kosovës nuk do të mund të qëndrojë si duhet në këmbët e veta, nëse nuk do të krijohet perspektiva e mirëfilltë ekonomike dhe sociale për qytetarët e Kosovës. Ekonomia do të duhej të ishte qysh tash tema kryesore e të gjitha debateve politike në vend, e raporteve qeveri – opozitë, e mediave të vendit, nëse duam njëmend ta kthejmë mbarë këtë shtet.

Nga Blerim Shala