“Ftesa e Presidentit Nishani për Lulëzim Bashën në Mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare është e para e llojit të vet në historinë Presidenciale të Republikës Parlamentare shqiptare pas 90’. Nuk mund të marrim në referencë këtu Presidencën e shkurtër Alia. As Presidencën Berisha ku Kryetari i opozitës e kaloi kohën nga Burgu 313, deri tek Burgu i Bënçës, pasi në atë kohë Këshilli i Sigurisë mblidhej për t’u marrë me çështjen “Fatos Nano”, se si ky të mos dilte nga burgu e të merrte pushtetin. Nuk po merremi as me Presidentin Meidani ku lider i opozitës ishte ish Presidenti Berisha.
Por po marrim rastin e dy Presidentëve parardhës, të dy ish Presidentë të propozuar nga Partia Demokratike, madje zoti Topi ish nënkryetar i PD dhe Kryetar i Grupit Parlamentar i kësaj partie. Në asnjë nga rastet e mëparshme nuk ka ndodhur ky precedent, as në rastet kur Kryetari i opozitës ka qenë parlamentar. Presidenti Republikës si Kryetar shteti ka të drejtën ligjore dhe morale të ftojë përfaqsuesit zyrtarë të opozitës në institucionet shtetërore.
Do të thotë anëtarët e këtij këshilli, Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, Kryetarin dhe nënkryetarin e Komisionit të Sigurisë, Ministrat e linjës dhe ata që mund të ftohen në raste të caktuara, Kryetarin e Shërbimit Sekret Shtetëror, atë të Shërbimit Sekret Ushtarak në raste të caktuara, Shefin e Shtabit të FA dhe zëvendësin e tij në raste të caktuara, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Prokurorin e Përgjithshëm të shtetit. Ky është formati i Këshillit të Sigurisë, i parashikuar nga ligji dhe Kushtetuta e Republikës. Natyrshëm lind pyetja, a ka të drejtë Presidenti i Republikës të diskutojë për Dokumentin Strategjik të Sigurisë Kombëtare, që është dhe dokumenti më i rëndësishëm në vend për çështjet e Sigurisë.
Patjetër që po, por ne jemi Republikë Parlamentare dhe Presidenti mund të thërrasë një tryezë politike parlamentare ku ta diskutojë këtë çështje shumë të rëndësishme shtetërore, një tryezë ku të jenë zotërinjtë Edi Rama, Ilir Meta, Mark Frroku, Lulëzim Basha, Shpëtim Idrizi, Nard Ndoka, Dashamir Shehi dhe Vangjel Dule, të cilët janë i gjithë spektri politik parlamentar i dalë nga zgjedhjet e fundit të vendit, të cilët përfaqësojnë ligjvënësin në Shqipëri. Shqipëria është një Republikë Parlamentare ku pushtetin e ka Ligjvënësi (Parlamenti), pushtetin e ushtron Ekzekutivi (Qeveria) e dalë nga shumica parlamentare e ligjëvënësit dhe nuk mund të shndërrohet në një Republikë Presideciale apo Gjysëm Presidenciale.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare është organ konsultativ dhe jo ligjvënës, ai drejtohet nga Presidenti i Republikës si Kryetar i Institucioneve të Shtetit jo i forcave politike. Në klimën aktuale politike megjithë respektin e madh për Presidentin Bujar Nishani, egziston droja se mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në vend që të jetë një tryezë frytdhënëse për çështjen në fjalë do të kthehet në mollën e rradhës së sherrit.
Vetëm pak ditë më parë nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Peleshi u mblodh Komiteti i Orientimit të Politikave të Sigurisë pranë Këshillit të Ministrave, i cili diskutoi të njëjtën çështje. Ftesa e Presidentit për zotin Basha rrezikon të jetë më shumë një boomerang, sebep i rradhës për sherr sesa një kontribut real për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare në vend”, shkruan eksperti i sigurisë Kulla.
Shkrimi u publikua sot (11.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)