Ilir Meta: PS-LSI do të fitojë
me 200 mijë vota më shumë

Ilir Meta: PS-LSI do të fitojë<br />me 200 mijë vota më shumë
TIRANE - Kryetarit të LSI, Ilir Meta, në emisionin “Bugajski Hour” në “Albanianscreen” flet për koalicionet dhe fitoren e PS.

A ka gjasa që zgjedhjet të cenohen nëse KQZ vijon kështu...?
Natyrisht që standardi i zgjedhjeve është cenuar përderisa është shkelur ligji e fryma e kushtetutës në mënyrë të qartë me veprimet që kanë ndodhur në parlament. Opozita do jetë e detyruar të marrë masa për të garantuar mbrojtjen e votës.

S’jeni dakord me supozimet e Kryeministrit se opozita po bojkoton apo po orvatet të shtyjë zgjedhjet nga frika e humbjes?
Absolutisht, kjo është një propagandë që kryeministrit Berisha e bën për të nxitur sa më shumë militantët e tij, e vërteta është krejt ndryshe. Opozita është e interesuar t’i afrojë zgjedhjet në mënyrë që të afrojë ditën e fitores së saj dhe natyrisht që fitorja e opozitës, unë jam i bindur dhe për këtë qëndron edhe LSI-ja në këtë koalicion, nuk do të jetë dita e parë e revanshit të një pale ndaj palës humbëse.

Komentet se ndryshimi i rregullave në KQZ s’frymëzon besueshmëri tek zgjedhjet, por mund ta vendosë Shqipërinë në një kurs përplasjeje me Uashingtonin e Brukselin. Përgjigjia jua?
Përderisa këtu aktivitetet të zyrtarëve nga më të lartë të BE bojkotohet nga përfaqësuesit e qeverisë, natyrisht që kuptohet që ka një raport jo shumë bashkëpunues, ashtu siç duhet të jetë, midis qeverisë si përfaqësuese e gjithë popullit shqiptar me BE, me KE. Kjo nuk është normale dhe nuk na ndihmon të ecim më shpejt në rrugën e integrimit evropian, por dhe të zhvillimit të vendit. Sigurisht që ka një nervozizëm nga ana e qeverisë në raporte me partnerët ndërkombëtarë, është një kosto për vendin.

Çfarë mund të presim që të ndodhë deri në zgjedhje?
Ne nuk dëshirojmë të shohim probleme të tjera, të cilat nuk e përmirësojnë klimën e besimit te zgjedhjet dhe nuk u krijojnë mundësinë qytetarëve që bëjnë më të qarta diferencat midis alternativave dhe programeve të forcave të ndryshme politike. Megjithatë, ne jemi këtu për të treguar vullnetin tonë për t’i shërbyer përmirësimit të kësaj klime. Njëkohësisht për të garantuar rotacionin dhe ndryshimin pas datës 23 qershor.

Nëse demokratët humbasin, a janë ata të gatshëm për të lëshuar pushtetin? Dhe, nëse humbisni, a do ta pranoni ju humbjen?
Ne jemi të bindur se fitorja e opozitës në zgjedhjet e 23 qershorit është edhe garancia më e madhe se zgjedhjet do të kenë legjitimitetin e duhur, jo vetëm përballë qytetarëve tanë, por edhe përballë faktorit ndërkombëtar. Si do të reagojë lidershipi i PD? Mendoj se kjo është një e drejtë e tyre, por nuk kam asnjë arsye të besoj se s’do pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, sepse këto janë modele të vendeve që janë shumë larg Evropës. Apo aq më keq se mund të ndodhë siç ka ndodhur në ndonjë vend në të kaluarën ku presidenti është larguar nga detyra duke marrë karrigen me vete në shtëpi. Rotacioni duhet të pranohet nga të gjithë dhe pse jo nga të gjithë me dëshirë.

A ka rrezik për trazira publike dhe për një konflikt të mundshëm social, qoftë nëse zgjedhjet s’pranohen si të ligjshme, me fjalë të tjera, a ka për të pasur politikë rruge, apo konflikt rruge?
Personalisht nuk e shikoj për momentin këtë rrezik. Pavarësisht nga rreziku që u qëndron zgjedhjeve vazhdimisht mbi kokë nga dëshira e lidershipit të PD për të imponuar një arbitraritet tërësisht jashtë kohës në të cilën ne jetojmë, duke dashur të krijojë idenë se mund të ndodhë çdo gjë. Pordo ketë një diferencë bindëse. Nuk do jetë diferenca me 10 vota si në rastin e Bashkisë së Tiranës, do jetë një diferencë sipas mendimit tim me të paktën 200 mijë vota në këto zgjedhje. Më duhet të theksoj që për herë të parë në këto 23 vjet të gjitha forcat politike të së majtës janë së bashku, e jo vetëm kaq por së bashku me to kemi edhe forca të spikatura që kanë qenë në të djathtë ose në qendër, ndërkohë që e djathta paraqitet e përçarë si rrallë ndonjëherë tjetër, duke pasur në konsideratë sfidën e FRD të ish-presidentit Topi një nga eksponentët kryesorë të PD gjatë këtyre dy dekadave. Pra do të kemi një diferencë tepër bindëse.

Keni bërë një deklaratë të ashpër për aktivitetet e një grupi lobimi në Uashington, Grupi “Podesta...?
Shqetësimi ynë ka ardhur nga disa fakte të publikuara edhe nga mediat shqiptare që kishin të bënin me disa dizinformacione të grupit “Podesta” që ishin për qëllime më shumë partiake se sa shtetërore sikurse ishte rasti i KQZ dhe akoma më keq rasti kur deklarata e Drejtorit të DASH të bërë këtu në Tiranë, z.Jonathan Moore, u deformua nga ky grup në një komunikim që kishte bërë për institucionet dhe mediat ndërkombëtare. Ishte hequr pjesa më e rëndësishme apo kritike për rastin e KQZ. Ky grup duhet të punojë në interes të imazhit të Shqipërisë, jo të keqinformojë për qëllime të lidershipit të PD. Ky është shqetësimi ynë.

Roli i qeverisë amerikane në Shqipëri?
SHBA kanë qenë dhe janë në mënyrë të vazhdueshme të interesuara, të preokupuara, të shprehura për promovimin e zgjedhjeve të lira, të demokracisë, pavarësisë së institucioneve. Një angazhim dhe më në rritje e më i vëmendshëm i SHBA, i politikës zyrtare, për këto zgjedhje është i mirëpritur dhe unë besoj se nuk do të mungojë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print(05.05.2013)

Redkasia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan