Nëse e kini vënë re, në ligjërimin tonë publik, veçanërisht ndër ata që e kanë për detyrë që t’i referohen Republikës, kjo fjalë përmendet rrallë ose fare. Ne jemi Republikë më parë se të jemi parlamentare apo presidenciale. Ashtu siç njihet ky emërtim në fjalorin politik, Republika është atdheu i njerëzve të lirë që kanë zgjedhur me vullnetin e tyre sistemin demokratik pluripartiak dhe si formë të ekzistencës shoqërore pluralizmin e ideve.
Nuk është rasti këtu që të ndërmarrim inkursione në historinë e këtij termi dhe të shohim fjala vjen se çfarë shënonte kjo shenjë në periudhën e socializmit. Në atë kohë Republika thirrej Popullore dhe Demokratike, më pas u bë edhe socialiste dhe komunistët që drejtonin vendin me dorë të hekurt i bindeshin vullnetit të tyre politik dhe e ruanin Republikën Popullore Socialiste me fanatizëm ideologjik duke mos lejuar që t’ua prekte atë askush. Për këtë ata kishin farkëtuar parimin e luftës së klasave. Si formë e diktaturës së proletariatit ata e ushtronin pushtetin e tyre me anë të dhunës. Siç më pat deklaruar në emisionin tim « ADN », pedagogia e njohur dhe konstitucionalistja, prof. Aurela Anastasi, në atë kohë kishte ligj, por jo drejtësi.
Pasi u shemb diktatura, nuk ra Republika, por asaj i ndryshuan tiparet, karakteristikat. Sot neni 1 i Kuishtetutës së Shqipërisë thotë që Shqipëria është Republikë parlamentare. Po të shohësh Kushtetutën vëren edhe këto tri nene. Neni 18 – « Të gjithë janë të barabartë para ligjit ». Neni 146 –« Gjykatat i japin vendimet në emër të Republikës ». Tani vijmë te argumenti ynë. Ndaj Sali Berishës është hapur një çështje penale dhe Gjykata, në emër të Republikës, ka shqiptuar një urdhër ndalimi për të. Dhëndrrin e tij e ka ndaluar më parë dhe e izoloi në qeli.
Një gjyqtare tjetër, ajo me mbiemrin Olldashi, po në emër të Republikës, në shkallën e dytë të ankimimit të masës së sigurisë, e dërgoi në arrest shtëpie. Sali Berisha deklaron se vendimi ndaj tij në emër të Republikës është i padrejtë dhe nuk i bindet gjykatës. Jo vetëm që nuk i bindet, por ka mbledhur edhe 7 apo 8 deputetë delinkuentë dhe ushtrojnë dhunë në Kuvendin e Shqipërisë, pra në tiparin e dytë të Republikës, në atë që ne e quajmë parlamentare.
Gjykata rri e bën sehir dhe të gjithë janë bërë si ajo gjyqtarja me mbiemrin Olldashi që e çoi në shtëpi dhëndrrin e Berishës të akuzuar për korrupsion madhor. Berisha nuk sfidon vetëm tiparin, pra parlamentin, por edhe vetë Republikën sepse ai, jo vetëm që nuk i bindet gjykatës që ka shqiptuar një vendim ndaj tij, në emër të Republikës, por edhe tallet me të, e sfidon dhe madje tenton edhe t’i vërë flakën siç edhe ka bërë në të kaluarën.
Në një republikë parlamentare, i vetmi institucion që e ruan Republikën, pra që na ruan ne të gjithëve nga keqbërësit politikë, është gjykata. Shqiptarët kanë paguar një kosto të rëndë ndaj sistemit të kalbur të drejtësisë. Dhjetëra e ndoshta qindra kolegë të atyre gjyqtarëve që kanë krijuar sot modelin e gjyqtares Olldashi, janë flakur nga sistemi i drejtësisë dhe shqiptarët janë lemerisur nga pasuria e tyre e paligjshme, nga shkeljet dhe nga bashkëpunimi me kriminlët në favor të pasurimit që u zbuloi atyre punonjësve të drejtësisë sistemi i vetingut. Pikërisht në emër të asaj Republike që politikanët tanë, por edhe personazhet e jetës publike kanë zor ta përmendin, ne, shqiptarët i kemi miratuar të gjithë ofiqet, favoret dhe kushtet financiare të trupës së re të drejtësisë që doli nga Reforma e thellë në këtë sistem. Është e vërtetë që besimi i publikut te drejtësia është rritur, por është po aq e vërtetë se Republika kërcënohet seriozisht nga gjyqatrët që nuk shqiptojnë vendimet e duhura ndaj Berishës dhe atyre delinkuentëve që duan të djegin Parlamentin.
Të gjithë duhet të kujtojnë, besoj, protestat e rumunëve para shumë vjetësh, në mbrojtje të prokurorisë së atij vendi kur Parlamenti rumun donte të ndryshonte ligjin për masën e abuzimit monetar të funksionarëve publikë. Po ashtu, të gjithë duhet të kujtohen për protestat e izraelitëve para se të ndodhte gjëma e sulmit të Hamasit për të mbrojtur gjykatën nga ndërhyrhjet e Netanjahut. Në ato vende, por edhe në të tjera me sisteme të konsoliduara, populli, publiku është në aleancë me prokurorët, me gjyqtarët, me policinë dhe i quan ata « ëngjëj mbrojtës ». Po ne çfarë t’i quajmë këta gjyqtarë që lejojnë keqbërësit t’i bëjnë atentat Republikës.
Për fat të keq, ne sot jemi në fazën që duhet të ngrihemi kundër atyre gjyqtarëve që me mosveprimet e tyre po na rrezikojnë Republikën. Nëse duhet që, për të shqiptuar një masë ndalimi apo kufizimi ndaj Sali Berishës, gjykata duhet t’i drejtohet Kuvendit, përse nuk e bën këtë ose përse nuk bën sqarim publik.
Nëse, sipas ligjit, një person nën hetim shkel masën e sigurisë, ndaj tij aplikohet një masë tjetër më shtrënguese, përse kjo gjykatë nuk e bën këtë. Ndaj, ashtu siç e kanë vënë re edhe kolegë të tjerë para meje, ne, sot, jemi në atë fazë që gjykata mund të na shkallmojë Republikën dhe të na krijojë përfundimisht imazhin e një vendi që nuk mund të quhet Republikë Parlamentare, por një shtet hibrid në të cilin një pjesë mund të bëjë ç’të dojë dhe një pjesë tjetër, nëse bën atë që nuk duhet, mund edhe të kalbet në burg ose edhe të vdesë aty pa u gjykuar siç ndodhi me një të hetuar në aferën e inceneratorëve nga gjyqtarja Olldashi që dërgoi në shtëpi dhëndrin e Sali Berishës. /Tema/