Imuniteti, fjala në Kuvend e deputetit Besnik Baraj

Të nderuar deputetë,

E konsideroj nder dhe detyrë ndaj subjektit tim, ndaj dhjetëra mijëra qytetarëve të vendit, të vendosem në dispozicion e të dëshmoj përpara prokurorisë, me konsideratën si ndër të paktët institucione, realisht të pavarura, pas 100 vjetësh shtet.



Çfarë ndodhi në 21 janar? Një det njerëzish ishin derdhur në Tiranë. Vargu i protestuesve shtrihesh nga kryeministria deri tek Muzeu Kombëtar. A ishte thjesht PS dhe opozita e bashkuar që i nxori në rrugë mbi 200 000 njerëz? Jo kolegë të nderuar, është politika e këtyre viteve, ku padrejtësitë po shpojnë deri në palcë jetën e çdo shqiptari. Është gjendja e rënduar ekonomike, papunësia, varfëria ekstreme, dhuna, klanizimi, monopolizimi i pasurisë, falja e 350 km2 det Greqisë, shfrytëzimi barbar në minierat e kromit, ku merren çdo muaj jetë njerëzish, është korrupsioni galopant, padrejtësia në shpërndarjen e pronës, vjedhja e saj e tjetërsimi. Janë mijëra studentë, që pasi diplomohen, mbushin kafenetë e Tiranës, pa shpresë se mund të zënë një vend pune.



Më thoni qytetarë të vendit tim, a e ndjeni ju veten të sigurt në këtë vend? Më thoni, a i duhen një populli më shumë arsye se sa këto, që ai të derdhet në rrugë, të protestojë? A nuk do të protestonte qytetari europian apo amerikan, kur ai mbetet i papunë, kur vriten 26 vetë e plagosen qindra dhe qartazi del se është i përfshirë biznes i oborrit të kryeministrit dhe kur, me pamje shumë të qarta, provohet korrupsioni i qeveritarëve? A nuk do të mjaftonin këto që në rrugët e Europës apo Amerikës të derdheshin qindra mijëra njerëz të revoltuar? Qytetarët atje revoltohen e protestojnë për shumë më pak se kaq, por në asnjë rast ata nuk qëllohen me armë, sepse strukturat e shteteve të tyre janë atje për t’i mbrojtur e jo për t’i dhunuar. Kjo është diferenca.



Kolegë të nderuar! Ju doni organizatorët e dhunës, i keni në Kryeministri, i keni në Qeveri, mos i kërkoni “armiqtë jashtë Shqipërisë”.



Kryeministri nuk mund ta duronte atë valë të pamatë njerëzish që protestonin. Qeveria nuk mund ta gëlltiste këtë dëshmi të gjallë të masës së popullit kundër saj. Prandaj Kryeministri e Ministri i tij i Brendshëm urdhëruan që protesta të shpërndahej pa filluar ende. Prandaj ata urdhëruan që të lëshohet gazi lotsjellës mbi popullin që protestonte, jo vetëm të rinj e të reja, por edhe të moshuar e pensionistë e si për ironi të fatit, ata e hodhën edhe mbi vetë trupat e Policisë së Shtetit.



Po komunikimet telefonike midis ne deputetëve e strukturave të PS, por edhe me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, siç kemi bërë përherë, kush i shkëputi? Dikush donte ta linte atë demonstrim tërësisht paqësor, në mëshirë të fatit tragjik, apo të një skenari të parapërgatitur.



Organizatorët e dhunës i keni jo vetëm në qeveri por dhe në frymën që ka krijuar ky parlament, ku për turpin e vet e tonin si parlament spikerja e këtij parlamenti ngazëllehet kur Kryeministri i Shqipërisë, bosi i saj, nxjerr nga goja fyerje të padëgjuara edhe në rrugë, për nënën, gruan, babain, fëmijët apo të tjerë familjarë të liderit të opozitës dhe deputetëve të tjerë socialistë që guxojnë të denoncojnë për gjëmat që po i bëjnë këtij vendi.



Vëreni veten në vendin e Ina Ramës apo kolegut tuaj, sot president i vendit, duke u etiketuar si “shoqe” bulevardi e të provoni në lëkurë a është revoltuese apo jo. Në planin kombëtar, provoni të mendoni veten tuaj në këtë parlament në rolin e opozitës nesër, ku ne socialistët në pushtet, pasi ju tentuat t’i falni Greqisë 350 km2 det, të vijojmë t’u falim atyre pjesë të tjera të trojeve shqiptare. A është kjo një tradhti kombëtare që dënohet nga çdo shqiptar i ndershëm?



Kurrë, jo vetëm mua, por çdo shqiptari, nuk do t’i shqiten nga mendja ato pamje filmike të dhëna nga media, kur trupat e katër njerëzve këputen dhe shemben përdhe, e mbulohen nga pellgjet e gjakut.



Nuk do të harrohen ato pamje të njerëzve të shpërfytyruar, që nuk u besonin syve që qeveria kishte vrarë 4 protestues e plagosur me dhjetëra (shumica e tyre duke mos marrë ndihmë në spital, për shkak të frikës se mos dhuna vazhdonte më tej). Pas 20 vjetësh tranzicion ndodhi një nga ngjarjet më tragjike në historinë e shtetit shqiptar.

Edhe në vitin 1939, kur fashistët vranë Mujo Ulqinakun, më pas e shpallën atë dëshmor, i respektuan familjen dhe i lidhën pension. Në 1998, në grushtin e vërtetë të shtetit, u dogjën institucione, u dogj dhe u pushtua kryeministria, u dogjën komisariate policie, u pushtua televizioni. Shkuan me tank e antitank përpara kryeministrisë, qëlluan mbi të, por nuk pati asnjë të vrarë nga protestuesit.



Përkundrazi, atë ditë, më 21 janar, 4 qytetarë u qëlluan pabesisht me egërsinë më të madhe. Ata ishin jo vetëm të paarmatosur, por nuk mbanin në duart e tyre as gurë, as çadra pistoletë e as thika me helm. Ata ishin në pozicione pasive, jo kërcënues dhe shumë jashtë gardhit të kryeministrisë. Secili prej nesh, që ishte aty, mund të kishte fatin e Ziverit, Faikut, Aleksit apo Hekuranit. Por, makabriteti nuk mbaron me kaq, vrasja e tyre vazhdoi më tej dyfish, kur kryeministri i vendit u kërkoi familjarëve të shitnin shpirtin e birit dhe vëllait të tyre. Turp i pazakontë për shqiptaret.



Kur u afrova te gardhi i kryeministrisë për të qetësuar protestuesit, nuk do të harroj kurrë një qytetar nga Lezha, ish i persekutuar, me rreth 10 të pushkatuar nga koha e komunizmit, i cili më kapte fort pas duarve dhe me shkundte duke më thënë se “këta s’më dhanë pronën që më premtuan dhe e trashëgojmë nga gjyshërit, s’më dëmshpërblyen. Këta s’më lenë të punoj. Le t’më marrin jetën time, e jap atë por, të paktën, fëmijët e mi të jetojnë në një vend normal. Le t’më vrasin, t’më fusin në burg, nuk trembem. Të vetmes gjë që i trembem është varfëria”. Ky njeri, kolegë të nderuar, ishte me shpinë nga kryeministria, nuk kishte as edhe një gur në duart e tij, nuk kishte asnjë lloj agresiviteti, shprehte vetëm zhgënjim dhe dhimbje. Ai njeri përfundoi në burg e u keqtrajtua.



Ishin me qindra që u dhunuan brenda mureve të policisë. Kam dëgjuar klithmat e një protestuesi që mbante hapur telefonin e tij celular kur e rrihte policia. Televizioni shfaqi me pamje ç’u bë me Ymerin, kur efektiva me kapuç e xhupa të zinj e rrahën barbarisht në vendin e tij të punës, natën si hajnat. Po me Kujtimin e qindra të tjerë pse u sollët si barbarë? A mund të thoni cili ishte krimi që kishin bërë? Kishin manifestuar paqësisht në protestë, e kishin guxuar të shkonin tek gardhi i Kryeministrisë e t’i kthenin shpinën!



Policia nuk kurseu as deputetët, gjoja me imunitet dhe, për turpin e tyre, siç e dëshmuan vetë pamjet filmike, qëllonin tinëz. Sepse në fakt atë pasdite, siç tregojnë qartë pamjet filmike, jo vetëm unë, por tërë deputetët, nuk kanë reshtur së qetësuari popullin dhe vetë policinë. Jam i bindur se këtë gjë do mund ta dëshmojnë dhe krerët e policisë së Tiranës, me të cilët Fatmir Xhafaj, Eduard Shalsi, Arben Ahmetaj dhe unë, kemi komunikuar verbalisht, kur muzgu kishte rënë.



A mund të më thotë ndonjë nga ju, të nderuar zotërinj, se ç’u bë me atë mjekun e Spitalit Ushtarak që kishte bërë ekspertizën se vrasjet ishin kryer nga afër. Mbase edhe këtë fakt po e heton prokuroria, sikurse të tjerat që përmenda më sipër, por mos harroni se kjo ndodhi kur kryeministri inskenoi idenë e çadrave pistoletë, apo thikave me helm dhe kur i sigurt, deklaroi se armët nuk ishin të gardës.



Por krimi ku është përfshirë qeveria është akoma më i rëndë, më shqetësues për këdo që jeton në Shqipëri. Strukturat qeveritare provohet se përfshihen në fshehjen e gjurmëve të vrasjeve, atëherë çfarë besimi mund të kenë shqiptarët tek ky shtet? Cili shqiptar ka sigurinë dhe garancinë që gjurmët e gishtave të tij, që i disponon shteti shqiptar sot, nuk vendosen në vendin e një krimi të kryer nga po vetë shteti. A ka të drejtë familja e Kosta Trebickës, të dyshojë se Kosta u zhduk po nga duar kriminale të ngjashme me ata që bënë 21 janarin? A ka të drejtë familja e deputetit Xhindi të mendojë se janë këto duar kriminale që morën jetën e tij? A ka të drejtë familja e Remzi Hoxhës të dyshojë se përveç vrasjes së Remziut, janë po këto duar kriminale që pengojnë protagonistët e zbardhjes së ngjarjes? A kanë të drejtë familjarët e gjykatësit Konomi në Vlorë të mendojnë se janë po ato duar kriminale që lakmojnë prona pa fund, të kenë shkaktuar atë krim të rëndë?



Për këto populli opozitar ka protestuar e do protestojë, sepse kërkon mbi gjithçka të vendoset drejtësi. Për këtë arsye, me vullnet e vetëdije të plotë, jam i gatshëm të vihem në dispozicion të prokurorisë, jo vetëm për të nxjerrë fajtorët e vrasjes së katër dëshmorëve të demokracisë, Ziverit, Hekuranit, Faikut dhe Aleksit, por edhe për Pashkun, Ymerin, Kujtimin e shumë të tjerë që u burgosën e u keqtrajtuan atë ditë tragjike të 21 janarit.



Jam i gatshëm të kontribuoj me dëshminë time edhe për të gjithë kolegët e mi në parti, në universitet, studentët e mi, miq e të afërm, familjen time, qytetarë, të njohur e të panjohur që morën pjesë në atë protestë, të cilët gjej rastin t’i falenderoj për mbështetjen e jashtëzakonshme që më kanë dhënë dhe të cilëve, me bindje ju konfirmoj, se unë sërish do të jem në protestë me ta e do të luaj të njëjtin rol, deri sa ky vend të çlirohet nga thonjtë e qeverisjes së korruptuar e të kriminalizuar dhe qytetarët të marrin frymë lirisht.



Ne kërkojmë të hapet një faqe e re në historinë e Shqipërisë, ku si qytetarët por edhe kryeministri i ardhshëm, të mos kenë frikë kur bëhen protesta. Kërkojmë që dhe ata që nuk i kanë prindërit ministra, deputetë a pasanikë, të mos largohen nga Shqipëria,e të mos e ndjejnë veten të huaj në vendin e tyre për shkak se ky vend nuk ofron alternativë pune dhe garanci e siguri për jetën. Vendosja e drejtësisë për 21 janarin më bën me shpresë se nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria do futet në rrjedhën e normalitetit si të gjitha vendet demokratike.

Faleminderit !

(Deklarata eshte mbajtur ne Kuvend, 2 shkurt 2012 )

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë