Kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë në hyrje të podkastit të tij, se Kuvendi i Shqipërisë nuk do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetit zv.kryeministres Belinda Balluku deri në momentin që Gjykata Kushtetuese do të shprehet për çështjen në fjalë.

Kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetit për Ballukun ,erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shyqyrtuar kërkesën e qeverisë për pezullimin e saj dhe rrjedhimisht duke e rikthyer në detyrë deri në marrjen e një vendimi.

Mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve u zhvillua më 19 dhjetor, me pjesëmarrjen e 10 deputetëve, ( 5 nga PD dhe 5 nga PS) dhe nën prezencën e 3 prokurorëve të posaçëm, drejtuesit të ri të SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorëve të çështjes Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Diskutimet u rrotulluan rreth USB-së me mbi 10 mijë faqe prova kundër Ballukut e dorëzuar nga SPAK ku argumentohet kërkesa e depozituar. Kjo USB iu shpërnda të gjithë anëtarëve, ndërsa palët nuk ranë dakord për caktimin e një date fikse për mbledhjen e ardhshme pas njohjes me provat konkrete.

“Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, në ditët e fundit, nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar ku gjykata më e lartë e vendit, duhet të gjykojë në themel çështjen e masës së pezullimit antidemokratik të një anëtari qeverie me kërkesë prokurorie.

E ngre këtë pyetje sepse në çdo vend, ku drejtësia nuk vrapon, po gjykon, ajo do të priste fundin e gjykimit për një masë, para se të kërkonte një masë tjetër, sepse shteti i të drejtës nuk është shesh as për karshillëk mes pushteteve të pavarura, as për përsheshin e një pushteti në territorin kushtetues të një pushteti tjetër. Sot, nuk e kam përgjigjen, por do të vazhdoj të lexoj, do vazhdoj të mësoj dhe do të vazhdoj të bëj të gjithë përpjekjet e mia që të kuptoj sa më mirë nga analiza e thelluar e simptomave të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, e me siguri do ta kem në kohën e duhur edhe përgjigjen time për sa më lart.

Por në ndërkohë, sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që ne shumica qeverisëse dhe parlamentare e këtij vendi ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, të cilat edhe në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të “torturave”të Këshillit të Europës, edhe në dritën e shumëçkaje tjetër janë vërtetë për t’u marrë dhe për t’u gjykuar me shumë qetësi, por jo pa mbaruar njëherë me themel procesi që kemi hapur në Gjykatën Kushtetuese, për masën ekstreme, për masën antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit nga prokurorët që sikur s’kishte ndodhur dhe s’ka ndodhur asgjë erdhën me vrap të kërkojnë masa të tjera. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, tha Rama.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:07
Rama rrëfen takimin me Thaçin në Hagë: Burgosja e ish-krerëve të UÇK-së, një padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës

 

Kryeministri Rama gjatë podkastit “Flasim”, foli për vizitën e tij në Hagë dhe takimin me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. 

Sipas tij, procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së buron nga një “farsë” e nisur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe e vazhduar në Gjykatën Speciale në Hagë.

“Udhëtimi drejt Hagës dhe takimi me Hashimin, komandantin e Luftës Çlirimtare, udhëheqësin e Kosovës së lirë dhe vëllaun tim matanë bjeshkëve, ishte një moment shënjues i javës që shkoi. Ai u rrëmbye, u rrëmbye  pa gjyq, u rrëmbye pa akuzë, nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, me vullnetin e vet të lirë. U rrëmbye për një farsë të nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Asamblenë e Përgjithshme Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg dhe të vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh qesharakë të akuzës ndërkombëtare në Hagë", tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se e ka gjetur Hashim Thaçin në gjendje të mirë shpirtërore, të qetë dhe të buzëqeshur, duke e cilësuar këtë si qëndrim të një njeriu të pafajshëm me karakter të fortë. Rama deklaroi se i mungojnë fjalët për të përshkruar atë që e quajti një padrejtësi të rëndë në zemër të Europës demokratike.

"E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt si i tij. Nuk di, realisht nuk kam fjalë për të thënë më shumë për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e shteteve të Europës e SHBA-së dhe me me fondet e taksapaguesve europianë e amerikanë, bazuar në besimin e atyre që e votuan këtë gjykatë duke ia lënë në dorë drejtësisë ndërkombëtare të bëjë drejtësi dhe sot gjenden në këtë situatë ku në fakt, padrejtësia nuk u bëhet thjeshtë disa udhëheqësve të popullit të Kosovës në luftën për liri, por po i bëhet vetë atij populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, por që falë ushtrisë çflirimtare të Kosovës, falë Hashim Thaçit, falë Kadri Veselit, falë Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e të tjerëve, çliroi  edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada e dekada turpi me radhë.

Zoti qoftë me burgosurit pa gjyq të Kosovës, në Hagë, që prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, janë pengje, pengje  të një padrejtësie, një padrejtësie në Europën e lirisë demokracisë e shtetit ligjor. Dhe le të lutemi që viti i ri të sjellë edhe fundin e këtij turpi në kurriz të luftës, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosoves, të Republikës së Kosovës, përveçse të disa individëve të pafajshëm”, theksoi Rama.

Ora 10:07
Rama lexon raportin e KE-së: Analizë e thelluar pushtetit gjyqësor! Paraburgimi opsion i parë, gjykatësit nuk arsyetojnë qartë vendimet

Kryeministri Edi Rama tha se qeveria ka nisur analizën e thelluar lidhur me funksionimin e pushtetit gjyqësor, referuar rasteve të fundit të cilësuara nga ai si brutale, pezullimi nga detyra e Belinda Ballukut dhe kërkesa e gjyqtarëve për rritje të pagave.

Rama i është referuar një raporti të shkruar disa kohë më parë nga ekspertë të Këshillit të Evropës teksa evidenton disa prej kritikave, ku më së shumti është theksuar përdorimi i lartë i paraburgimit dhe zgjatja tej afateve.

Tjetër problematikë është arsyetimi i vendimarrjeve, garantimi i mbrojtjes, mosregjistrimi me audio dhe video i marrjes në pyetje.

“Siç e kam përmendur disa ditë më parë kemi nisur analizën e thelluar të shenjave shqetësuese të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, pas dy kulminacioneve shumë të forta: Pezullimi antidemokratik i një anëtari qeverie nga një prokuror e gjykatës me një vendim të shkallës së parë dhe tentativa e magjistratëve, gjykatës dhe prokurorë bashkë të Shqipërisë për të rritur vetë pagat e tyre, duke shqyer arkën e shtetit. Vetë Ali dhe vetë Kadi.

Mes të tjerash këto dite, kam rilexuar një raport të para disa kohësh, shkruar nga ekspertë të Këshillit të Evropës mbi përdorimin brutal dhe masiv të paraburgimit në Shqipëri - një rekord negativ absolut i drejtësisë shqiptare, e cila e ka vendosur Shqipërinë në pozicionin më të keq në Europë, por jo thjeshtë në fund, por me dallim të frikshëm nga rajoni dhe nga pjesa tjetër e Europës, po se po.

Më lini të ndaj me ju disa pika kyçe të këtij raporti:

Së pari: Përdorim i tepruar dhe kohëzgjatje e pajustifikuar e paraburgimit

Shqipëria mban një nivel jashtëzakonisht të lartë të personave në paraburgim, me shifra që janë dukshëm shumë larg praktikave të vendeve të BE-së. Gjykatat e zgjasin rëndom masën e paraburgimit, pa asnjë arsyetim të individualizuar dhe pa treguar se vazhdimi i kësaj mase mbetet në mënyrë strikte i domosdoshëm dhe proporcional.

Së dyti: Cilësia e arsyetimit gjyqësor dhe kontrollit le shumë për të dëshiruar

Vendimet për paraburgim shpesh bazohen në nocione të paqarta ligjore (“arsye të rëndësishme”, “rrezik i veçantë”) dhe gjykatat kanë tendencën të përdorin formula standarde, pa bërë një vlerësim të mirëfilltë të çështjes. Raporti thekson kulturën e mangët të arsyetimit të thelluar.

Së treti: Mungesë dhe zbatim i paqëndrueshëm i masave alternative ndaj paraburgimit

Gjykatësit kanë tendencën ta trajtojnë paraburgimin si opsionin e parë, atë të shumëdëshiruarin dhe jo si mjetin e fundit, duke i shpërfillur rëndom masat e tjera dhe shtoj, duke i mbushur burgjet me më shumë persona të padënuar se sa të dënuar, çka e bën Shqipërinë, një vend krejtësisht original në brutalitetin e vet.

Së katërti: Mosgarantimi i të drejtës së mbrojtjes

Korniza aktuale ende nuk garanton plotësisht aksesin efektiv te avokatit që në fazat më të hershme të procedimit. Disponimi i materialeve të çështjes mund të vonohet, dhe mungon regjistrimi sistematik audio/video i marrjes në pyetje. Gjithë këto para, gjithë këto fonde të dhëna në mbështetje të reformës në drejtësi dhe të institucioneve të drejtësisë dhe sot e gjithë ditën merren në pyetje njerëzit pa video, pa audio. Pikëpyetje shumë e madhe kjo. Dhe kjo – thotë raporti - e dobëson aftësinë e mbrojtjes për të sfiduar ligjshmërinë e paraburgimit dhe përmbajtjen e akuzës. E së fundi - nga pikat që unë kam nxjerrë, raporti është rrëqethës, po të kesh parasysh që është shkruar edhe me gjuhën shumë diplomatike të Këshillit të Europës - Dimensioni strukturor dhe kulturor

Edhe pse korniza ligjore shqiptare është në përputhje të përgjithshme, përgjithsisht me standardet evropiane në letër, vazhdojnë të jenë të pranishme prirjet për të supozuar nevojën për paraburgim, në vend të supozimit në favor të lirisë, dhe mungon praktika e zbatimit të masave proporcionale dhe të arsyetuara në mënyrë individuale. Kërkohet një ndryshim strategjik - përfshirë përcaktime më të qarta ligjore, kontroll më i fortë nga gjykatat e apelit dhe një sistem funksional i masave alternative. Kalojmë tek shënimi tjetër. Do të kemi shumë kohë përpara për të folur për të gjitha këto”, tha Rama.

Ora 09:49
Zgjedhja e Avokatit të Popullit/ Rama: Mbështetëm Shabanin si kandidat të opozitës! Me pahir askush nuk më imponon dot asgjë

 

Kryeministri Edi Rama në hyrje të podkastit “Flasim”, ka komentuar kaosin e shkaktuar nga opozita në seancën e 18 dhjetorit, ditën kur Endrit Shabani u betua si Avokat i Popullit. Rama tha se ne e mbështetëm Shabanin si një kandidat të sjellë nga opozita, pavarësisht ses gjëra ka thënë ai kundër PS-së.

Ndër të tjera Rama tha se jo opozita, por askush nuk mund t’i imponojë me pahir asgjë, referuar protestave të opozitës.

“Një tjetër zhvillim i ndodhur këtë javë ka qenë edhe betimi në Kuvendin e Shqipërisë i z.Endrit Shabani si Avokati i ri i Popullit. Ppozita iu rikthye vesit që del me shpirtin, rivuri në punë muskulaturën e krahëkëmbëve, rindezi pishtarët e ecjes qorrazi nëpër pyll dhe rifilloi avazin e kërcënimeve për llogari të një dordoleci thuajse 100 vjeçar.

Pra e mbeshtetën Endri Shabanin, i dhanë firmat e kërkuara nga ligji, e sollën në buqetën e tyre të kandidatëve, ku për hir të së vërtetës, ky zotëria ishte i vetmi me një sy mes ca qorrave të ububushëm dhe sapo panë që ne, - që thamë që në krye të herës, nuk do të mbështesim asnjë kandidaturë, por do presim që të mbështesim një nga kandidaturat që do të na sjellë opozita - do ta mbështesnim zotin Shabani, u hodhën përpjetë sikur po bënim avokat të popullit ndonjë kandidatin tonë.

Qesharak deri në fund domethënë, po përveçse qesharakë edhe të lodhur deri në fund nga mendja, që nuk ua nxjerr e nuk ua nxjerr mësimin se me pahir e me budallallëk, mua dhe kësaj shumice popullore që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë, jo ata, po askush në këtë vend nuk na imponon dot asgjë.

Pahiri dhe budallallëku janë një gjuhë që ne nuk e kuptojmë. Endri Shabani ka thënë shumë gjëra kundër nesh e kundër meje personalisht sa të duash, por ne e zgjodhëm si kandidat të opozitës, duke respektuar parimin e ndjekur edhe më parë, pavarësisht se këtë herë i kishim edhe mbi 84 votat e nevojshme e po të ishim ata që nuk jemi, por që ata thonë se ne jemi, mund të zgjidhnim kë të donim, por nuk e bëmë. Kurse ata që u bënë pishman, mend për herë tjetër”, tha Rama.