Imzot Joan Pelushi: Solidaritet me të varfërit dhe paqen

Imzot Joan Pelushi: Solidaritet me të varfërit dhe paqen

Kisha ka një traditë të gjatë të mësimit të saj mbi solidaritetin me të varfërit dhe paqen. Elementët kryesorë që përcaktojnë përgjigjen e Kishës ndaj varfërisë, solidaritetit dhe paqes janë dashuria dhe dinjiteti për çdo person njerëzor, pavarësisht se kush është ai.

Është e drejta e çdo njeriu që të trajtohet në përputhje me dinjitetin e tij të lindur dhe shoqëria duhet të drejtohet drejt kësaj të mire. Strukturat socio-ekonomike që i mbajnë njerëzit në varfëri janë të padrejta dhe kërkojnë përmirësim. Ata që shtypin të varfërit tregojnë përbuzje ndaj Krijuesit të tyre, por ata që janë të mirë me nevojtarët e nderojnë Atë (Prov. 14 :31).

Në një nga tekstet më të vjetër të Kishës, Didakia, të krishterët urdhëroheshin të ndanin me të tjerët gjithçka ata kishin: “Nëse ju keni të përbashkët atë që është e përjetshme, sa më shumë duhet ta keni atë që është e kalimtare.” Në ligjëratën e tij “Mbi dashurinë për të varfërin”, Shën Grigor Teologu e fillon me një rishikim të virtyteve të ndryshme të krishtera dhe e përfundon se mbi të gjitha virtytet, ne duhet ta shikojmë dashurinë, si të parin dhe më të lartin nga urdhërimet, meqenëse ajo është përmbledhja e Ligjit dhe e profetëve dhe pjesën më vitale të saj ai e gjente në dashurinë për të varfërit, si edhe në dhembshurinë për njerëzit. Ne duhet të kujtojmë vazhdimisht se vepra e parë e Krishtit ishte t’u predikonte ungjillin të varfërve (Lk. 4:18). Kisha qëndron për të vazhduar veprën shpëtimtare të Krishtit dhe të varfrit duhet të parët edhe për atë.

Paqja është një kombinim i drejtësisë dhe solidaritetit. Nuk mund të ketë paqe nëse nuk ka drejtësi dhe nuk mund të ketë drejtësi nëse nuk ka solidaritet. Luftërat janë rezultat i shkeljes së të drejtave të njerëzve, i shfrytëzimit të individëve apo vendeve dhe lakmisë, të cilat krijojnë gjithmonë varfëri dhe konflikte. Axhenda e OKB-së 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm pohon: Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa paqe dhe nuk mund të ketë paqe pa zhvillim të qëndrueshëm. Sepse varfëria ekstreme është edhe produkt i konfliktit edhe shkak i tij.

Ajo nxit zhgënjimin dhe mungesën e shpresës, të cilat janë përbërësit kryesorë në gjenerimin e dhunës. Historia ka treguar mijëra shembuj se si lufta dhe konfliktet çojnë në varfëri dhe shkatërrim, dhe varfëria çon në konflikte të mëtejshme, duke krijuar kështu një rreth vicioz. Lufta në Ukrainë dhe Gaza, si dhe konfliktet në shumë pjesë të botës, na tregojnë dëmin e madh të luftës dhe vuajtjet dhe varfërinë e miliona njerëzve. Ato janë një thirrje e fortë për të gjithë ne që të përpiqemi të ndalojmë luftërat, të bëjmë paqe kudo ku ka konflikt dhe të jemi në solidaritet me të varfërit dhe nevojtarët. Duke luftuar varfërinë, ne reduktojmë mundësinë e konfliktit dhe duke shmangur konfliktet, ka më shumë mundësi për të siguruar paqe.

Solidariteti ripohon idenë se njerëzit janë krijuar si qenie komunitare dhe janë të thirrur të jetojnë në bashkësi me njëri-tjetrin, duke u bashkuar për të mirën e përbashkët dhe duke ruajtur dinjitetin e çdo personi njerëzor. Ne jemi të gjithë vëllezër dhe motra. Të qenit në vëllazëri dhe solidaritet me njëri-tjetrin nuk është vetëm të ndjejmë keqardhje për të tjerët, por të ndjejmë dhimbjen e tyre dhe të veprojmë për të mirën e të tjerëve. Ne duhet të ripërtërijmë mentalitetin që mendon në terma të komunitetit.

Solidariteti është një shprehje e ndërlidhjes sonë me njëri-tjetrin. Shën Pavli na ndihmon të kuptojmë realitetin e kësaj ndërlidhjeje përmes një analogjie me trupat tanë fizikë. Sepse, sikurse në një trup, ne kemi shumë pjesë dhe të gjitha pjesët nuk kanë të njëjtin funksion, kështu edhe ne, megjithëse shumë, jemi një trup në Krishtin… Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të. (Rom. 12:14; 1Kor.12:26)). Pa solidaritet dhe pa vëllazëri nuk mund të kemi as liri dhe barazi.

Është një detyrë dhe një thirrje për të gjithë ne, që të ndërtojmë paqen në solidaritet me të varfërit. Si fetarë, ne duhet të bazohemi në Shkrimin e Shenjtë dhe në traditën e pasur të Kishës. Toka është e Zotit dhe gjithçka në të – thotë Psalmisti (Ps. 24:1). Pasuria është dhuratë e Zotit për të gjithë njerëzit dhe jo vetëm për disa prej tyre. Ne nuk jemi pronarë të saj, por vetëm kujdestarë. Ju nuk po i bëni dhuratë të varfërit nga pasuria juaj. Ju po i dorëzoni atij atë që është e tij – thotë Shën Ambrozi i Milanos.

Pasuria në vetvete është neutrale, por varet nga mënyra se si e shohim atë. Kur e konsiderojmë si pronë personale, abuzojmë me pronën e Zotit dhe këtu është burimi i çdo krize ekonomike dhe sociale. Krizat ekonomike, luftërat dhe varfëria burojnë nga një krizë shpirtërore. Pa e shëruar krizën shpirtërore, nuk mund ta shërojmë atë ekonomike dhe nuk mund të kemi paqe dhe pa paqe do të kemi luftëra dhe varfëri. Ne duhet të përpiqemi të inkurajojmë të gjitha pjesët e shoqërisë që në qendër të politikave të tyre të kenë nevojat e më të varfërve. Siç tha Mahatma Gandhi: Madhështia e një kombi matet nga mënyra sesi ai trajton anëtarët e tij më të dobët.

Ndoshta nuk jemi në gjendje për t’i sugjeruar alternativa konkrete globalizimit ekonomik dhe as nuk kemi ekspertizën për të zhvilluar politika dhe praktika komplekse ekonomike për të rregulluar ekonominë globale. Por, ne duhet të jemi të pranishëm në jetën e përditshme të shoqërisë, për të përhapur, jo vetëm me fjalë, po me vepra dhe me shembull personal, frymën e ngrohtë të dashurisë dhe dhembshurisë ndërmjet njerëzve, për të mos ta lënë shoqërinë njerëzore të ngrijë nga era e akullt e egoizmit dhe të fragmentohet nga indiferenca dhe apatia.

Gjithashtu, duhet të jemi gjithmonë të gatshëm dhe krijues për të punuar brenda proceseve dhe mundësive të shoqërive të lira për të ndërtuar një strukturë sociale ku i varfëri të mos jetë thjesht një objekt lëmoshe i të pasurit, por që ata të kenë shansin për të punuar dhe për të marrë pjesë në resurset e njerëzimit. Në këtë mënyrë i varfëri do të ketë dinjitet, sepse më shumë sesa bukë, qenia njerëzore ka nevojë për dinjitet dhe respekt, një dinjitet që ia ka dhuruar vetë Krijuesi kur e ka krijuar sipas ikonës së Tij.

Prioriteti i Kishës Ortodokse ka qenë gjithmonë Ungjilli i Mbretërisë së Perëndisë. Por ajo e kupton këtë Ungjill të Mbretërisë të rëndësishëm edhe në këtë jetë. Prandaj është përpjekur për të ruajtur balancën, pa kundërvënie dhe pa zgjedhur njërin dhe neglizhuar tjetrin, ndërmjet Ungjillit të Mbretërisë, ku përfshihet vepra pastorale për shpëtimin e njeriut dhe Ungjillit Social, ku përfshihet ushqyerja e të varfërve, kujdesi shëndetësor dhe arsimor dhe mbrojtja e të dobëtëve, sepse të dy aspektet janë të rëndësishëm dhe të ndërlidhur.

Guximi i madh i Etërve në çështjet shoqërore është i njohur. Për Shën Joan Gojartin, sakramenti i altarit nuk është asgjë nëse nuk shtrihet në sakramentin e të varfërve. “Doni të nderoni Trupin e Shpëtimtarit? – pyet Shën Joan Gojarti, duke komentuar Ungjillin sipas Mateut.

Dhe përgjigjet –  Mos e përbuz atë kur është i zhveshur. Mos e ndero brenda në kishë me veshje të mëndafshta, ndërsa jashtë është lakuriq dhe i ngrirë nga të ftohtit. Ai që tha: ‘Ky është trupi im’, dhe e bëri kështu me anë të fjalës së tij, është i njëjti që tha: ‘Më patë të uritur dhe më ushqyet. Gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua’. Nderojeni atë pra duke e ndarë pasurinë me të varfërit. Sepse Perëndia nuk ka nevojë për kupa të arta por për shpirtra të artë.”

Si përfundim, besoj, se Zoti dëshiron që ne të dëgjojmë britmën e të varfërve dhe t’i ndihmojmë ata. Me këtë rast dua të falënderoj Komunitetin e Sant Egidios, i pranishëm në mbarë botën, që jo vetëm dëgjon britmën e të varfërve dhe nevojtarëve, por edhe i përgjigjet nevojës së tyre.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë