Ina Balla me dy vajzat e saj, në oborrin e shtëpisë ku jeton me qira
"Dua të nis të punoj, - na thotë - Dua të flas me Erionin, kryetarin e Bashkisë, që të më japin një autorizim e të shes disa gjëra të vogla, siç e bëja dikur, para se të sëmuresha. Dua të punoj sipas rregullave. Kam vajzat për të rritur e nuk dua të jetoj me lëmoshë".
Ina Balla trokiti në dyert e Report TV atëherë kur dukej e pashpresë, kur si nënë e vetme, pa bashkëshortin në krah, kishte frikën e madhe se sëmundja do ta mposhtte dhe do të "linte vetëm dy vajzat e saj". Shumë shqiptarë e ndihmuan. Institucionet gjithashtu: Bashkia e Tiranës i paguan qiranë e shtëpisë ku jeton, por ajo sot, kërkon të ecë vetë me këmbët e saj.
Tetori për ne të Shqiptarja.com që prej 2012 është një muaj i veçantë: Me fjongon rozë të vendosur në kopertinën e gazetës, dëshirojmë të kujtojmë nënat, vajzat shqiptare që të bëjnë kontrollet shëndetësore periodike për gjirin.
Dimë prej ekspertëve më të mirë në këtë fushë se kapja në kohë, zbulimi sa më herët i një neoplazie në gji, ndryshon shumë historinë klinike të pacienteve, të cilat në shumë raste shpëtojnë dhe jetojnë mirë pas kurimit në kohë. Dhe duket se puna jonë mediatike për sensibilizim nuk ka shkuar kot.
Nga të dhënat zyrtare të shëndetit publik në vitet e fundit, mësojmë se paraqitja për mamografi e ekografi të gjirit, është shumëfishuar ndjeshëm. Në këtë tetor sjellim historinë e Inës si të një supergruaje që luftoi e vazhdon të luftojë në një vend ku të brishtët, të sëmurët, gratë, nuk e kanë të lehtë të jetojnë mirë.
Ina Balla me dy vajzat e saj, në oborrin e shtëpisë ku jeton me qira
Bashkëshorti është larguar prej familjes në këto kohë të vështira dhe në krah Ina, ka patur mikeshën e saj të mirë, Luizën. "Në spital, nëse nuk do ta ngrija zërin dhe nuk do të bërtisja, shkoja në mëngjes për të marrë kurimin, e duhet të ikja në darkë, duke i lënë vajzat pa asnjë kujdes", na tregon.
"Kam trokitur në media dhe jam mirënjohëse që ju kam në krah". Sot Ina gjen fjalët më të mira edhe dhe për kirurgun e QSUT, Artan Bodeci që e operoi dhe ndjek ecurinë e sëmundjes. Kërkojmë të mësojmë se ku e gjen forcën, por fjalët janë të tepërta.
Mjafton të shohim dy vajzat e Inës: Giseldën dhe Sarën sa të mira dhe të edukuara janë, për të kuptuar gjithë jetën e Inës. Puna e vështirë dhe e bukur e një nëne mund të shihet vetëm tek fëmijët që ka rritur dhe edukuar. Dhe dy vajzat e Inës janë të mrekullueshme.
Eksperienca me kancerin, përballja me të, është një nga përballjet më të vështira që një grua mund të kalojë në jetë. Shumë nuk arrijnë ta përballojnë, por shumë të tjera, përditë tregojnë se janë më të forta se sëmundja.
Sytë e Inës në këtë takim na e dëshmojnë këtë, ndaj i kërkojmë një këshillë, një mesazh për gratë e vajzat që sot mund të përballen të vetme ose jo me sëmundjen e kancerit të gjirit. Ina qesh dhe e bindur na thotë: "Streset, jeta e vështirë dhe tronditjet që marrim na sëmurin, por vetëm me optimizëm, buzëqeshje dhe dashuri mund të përballojmë çdo gjë. Edhe kancerin, që të tremb vetëm sa e dëgjon. Por ja që sot unë ndjehem e lumtur dhe e fortë. Këtë dua t'u them të gjithave".
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)