Është inauguruar sot ristrukturimi i godinës së Bankës së Shqipërisë, ku të pranishëm ishin kryeministri, Edi Rama, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, përfaqësues të tjerë të qeverisë, ambasadorë etj. Ndërsa ish-guvernatori Ardian Fullani nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni.

Arkitekti italian, Marco Petreschi i cili ka drejtuar punimet e rinovimit u shpreh se punimet sjellin “dialog me arkitekturën e kulturës italiane të viteve 1930 për të treguar fuqinë e fashizmit si imazhi i Teatrit të Operat dhe Muzeu”. Ai tha se “Banka është ndërtesë unike dhe prandaj e mendova si simbol të kombit”.

bsh

Ndërsa, kryeministri Edi Rama në fjalën e tij tha se ky investim nuk duhet shikuar si luksi i tepërt. Për këtë ai solli dhe dy eksperimente që tregojnë se e bukura rrit produktivitetin tek njerëzit.

“Kur hyra në këtë mjedis, para pak minutash, mu kujtuan dy eksperimente të bëra nga organizata të interesuara për të kuptuar impaktin e të bukurës dhe të mjedisit në sjelljen dhe në produktivitetin e njerëzve... besoj që sot, ne jemi në kushtet kur nuk e kemi të vështirë, këtu në këtë mjedis, të kuptojmë arsyet e rezultateve të këtyre eksperimenteve”, tha Rama.

Kryeministri më tej duke i paraprirë kritikave që mund të vijnë nga ky investim. “Ky investim i bërë, që mbase si edhe investime të tjera, për njerëz që janë të prirur të shikojnë vetëm sipërfaqen e gjërave, mund të konsiderohet një luks i tepërt, por ndërkohë, përsa më takon dhe besoj edhe për atë çka nevojë ky institucion me kaq rënësi për vendin tonë, ky investim nuk është aspak një luks i tepër. Por është një investim i bërë në kohën e duhur, në vendin e duhur, për t’i dhënë institucionit atë që i takon, qoftë në pikëpamje të asaj që rëndom në mënyrë denigruese quhet fasadë”, deklaroi kryeministri.

Rama më tej tha se pas godinës së Bankës së Shqipërisë do të rikonstruktohet dhe hotel “Dajti” që gjithashtu është pjesë e BSH-së pasi e bleu nga shteti për 30 milionë euro. Gjatë kësaj ceremonie u çelur dhe muzeu i Bankës së Shqipërisë.

Kreu i qeverisë më tej tha se Banka e Shqipërisë është institucion që gëzon besimin e opinionit publik 

Nga ana tjetër, jam i bindur që Banka e Shqipërisë meriton pa formalitet dhe jo thjesht për arsye protokollare në këtë rast, për të gjithë punën që kryen, si një institucion që realisht ka luajtur një rol jashtëzakonisht delikat dhe të rëndësishëm në momente aspak të lehta për vendin tonë dhe që deri më sot ka provuar se është një institucion që e meriton besimin që përgjithësisht gëzon në opinionin publik, por edhe besimin që gëzon në institucionet financiare ndërkombëtare”, tha Rama.

Më fund kryeministri nuk i kurseu as falënderimet për paraardhësin e tij që firmosi vendimin për rikonstruksionin e godinës së Bankës.

“Urime Guvernator! Respekt për të gjithë ata që morën pjesë në realizmin e këtij projekti, që nga ata që e nisën, tek ata që e bitisën, që tek ata që në fillim e ëndërruan, tek ata që e bënë ëndrrën realitet, duke hedhur në letër projektin”, përfundoi Rama.

12 milionë euro për rikonstruksionin

Qeveria mori në vitin 2009 vendimin për të shpenzuar rreth 12 milionë euro për  “Rikonstruksionin e godinës qendrore dhe ndërtimi i kompleksit të ri të Bankës së Shqipërisë“. Sipas këtij vendimi shuma e shpenzuar do të jetë jo më shumë se 12 milionë euro + TVSH. Pas përzgjedhjes së projektit fitues, punimet nisën në fillim të vitit 2011 dhe parashikohej që ato të mbylleshin në fund të vitit 2012.

 Historik

Godina e Bankës së Shqipërisë është një ndërtesë rreth 70-vjeçare, e vendosur në qendër të Tiranës. Ndërtesa është projektuar nga arkitekti italian Vittorio Ballio Morpurgo dhe stili i saj lidhet me atë të të gjithë sheshit kryesor të Tiranës dhe të bulevardit të saj qendror. E ideuar për pak punonjës, në vitin 1938, ndërtesa ka pësuar gjatë “jetës” së saj ndryshime, të cilat nuk i kanë cënuar identitetin.

godina
(Godina e vjetër e Bankës së Shqipërisë)