Inceneratori i Tiranës/ 8 urdhërarreste, asnjë i ekzekutuar! Mbështetësi i Ahmetajt me të tjerët pastruan 20 mln euro! SPAK: Zoto e Mërtiri ‘kokat’ e grupit kriminal

TIRANË- Nga 8 urdhërarreste që janë lëshuar më datë 12 korrik për inceneratorin e Tiranës, SPAK njofton se asnjë prej tyre nuk është ekzekutuar. Ndaj tyre është caktuar masa arrest me burg, ndërsa Prokuroria e Posaçme doli me njoftim kur Policia e Shtetit e ka njoftuar zyrtarisht, se nuk kanë mundur të ekzekutojnë asnjë nga urdhër arrestet, një precedent i rrallë, ky në operacionet e SPAK.

Në njoftim thuhet se kërkesat i janë dërguar gjykatës në 29 qershor ndërsa gjyqtarja Irena Gjoka i ka miratuar ato në datën 12 korrik, ku kanë shkuar edhe për ekzekutim.  Mes urdhëarresteve dallohet biznesmeni që doli garant për Ahmetajn në Zvicër, Ilir Dedja, gazetari Endrit Habilaj, apo të tjerë si Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi, Renardo Nallbani, dhe 3 shtetas të huaj, Giusepe Ciaffaglione, Marc Lappat dhe Michael Dryijts.

Sa i takon gazetarit Habilaj, burime bëjnë me dije se nuk ndodhet në Shqipëri, ndërsa Denisa Tollkuci për të cilën është firmosur urdhërarrest, rezulton të jetë emëruar nga Klodian Zoto si administratore e  kompanisë ‘Integrated Technology Services’, më datën 11 qershor 2020. Dy të huajt, Marc Lappat dhe Michael DRYIJTS rezultojnë administratorë të Geogenix BV.

Ndaj tyre janë ngritur akuzat për veprat peanle “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, ndërsa SPAK zbardh edhe skemën se si ka vepruar ky grup kriminal. Në krye të këtij grupi, SPAK thotë se qëndrojnë dy biznesmenët e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët janë në kërkim, ndërsa ndaj tyre më herët është caktuar masa e sigurisë arrest me burg.

Në total ky grup ka pastruar rreth 20 mln euro përmes faturave fiktive nga 'Integratet Energy B.V. SPV', kompania që ka lidhur kontratën për Inceneratorin e Tiranës. Organi i akuzës, thotë se aktiviteti kriminal i këtij grupi është kryer në vazhdimësi që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare.

SPAK sqaron se “personat pjesëmarrës të këtij grupi të strukturuar kriminal kanë përfituar rreth 20 mln euro, duke marrë vlerat monetare nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet tërheqjes së vlerave monetare në cash.” Paratë e pastruara SPAK thotë se kanë qenë të ndara konkretisht në shumat prej: 1.214.867.060 Lekë dhe 9.456.093 Euro.

Ilir Dedja biznesmeni garant i Ahmetajt në Zvicër, mori 490 mijë euro nga inceneratori

Ilir Dedja u bë i njohur për shkak të kontratave prej qindra mijëra eurosh me kompanitë e incineratorëve. Një hetim i Prokurorisë së Posaçme zbuloi se Dedja njihej me Ahmetajn që prej viteve të shkollës dhe se i doli garant Ahmetajt në Lugano të Zvicrës ku po jeton me parteren dhe i punësoi gruan Erjolën me pagë 9 mijë franga në muaj.

Ndërkohë në vitin 2019, 3DDD Swiss Trading SA nënshkroi një kontratë me vlerë 5.2 milionë euro me kompaninë e incineratorit të Tiranës, Integrated Energy BV SPV, të Mërtirit dhe Zotos për blerjen e një impianti për trajtimin e ujërave të përdorura. Sipas SPAK, Dedja është administratori i vetëm dhe ka mbajtur pozicionin e zv.drejtorit për shoqërinë “3DDD Swiss SA”. Kontrata vijoi deri në shkurt 2021, duke marrë pagesa të dokumentuara nga Shqipëria me një vlerë totale prej 490 mijë eurosh.

Renardo Nallbani nuk është një emër i panjohur për publikun në Shqipëri. Ai ka qenë një nga drejtuesit e biznesit të inceneratorëve, në të tre veprat. Madje nën zë shpesh thuhej se biznesi i dherave të inceneratorit fillimisht drejtohej pikërisht nga Nallbani.

Dashamir Ymeraj rezulton pronari i një prej 24 kompanive pjesë e skemës së mashtrimit evazioni fiskal  me Inceneratorin e Tiranës

Urdhëarrestet
Ilir Dedja
Endrit Habilaj
Dashamir Ymeraj
Denisa Tollkuçi
Renardo Nallbani
Giusepe Ciaffaglione
Marc Lappat
Michael Dryijts

Njoftimi i plotë i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po vijon hetimet në lidhje me procedimin penal nr. 255, të vitit 2020, me objekt hetimi kontratën koncesionare nr. 6597 prot, datë 31.08.2017, “Ndërtim Landfilli, Inceneratori dhe Rehabilitimi i Vend Depozitimeve Ekzistuese, Tiranë”, lidhur ndëmjet Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k., me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën 128.248.330 (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) Euro, pa TVSH.

Në vijim të njoftimeve të mëparshme, deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, kanë rezultuar fakte penale të tjera të evidentuara gjatë periudhës së zbatimit të kontratës koncesionare, për të cilat është bërë regjistrimi i njoftimit të veprave penale në regjistrin penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërma “a” dhe “b”, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. 

Nga aktet e administruara ka rezultuar se janë pastruar si produkte të veprës penale në vlerën prej afërsisht 20.000.000 (njëzetë milion) Euro, të ndara konkretisht në shumat prej:

  • 1.214.867.060 (një miliard e dyqind e katërmbëdhjetë milion, e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë) Lekë ;
  • 9.456.093 (nëntë milion e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëdhjetë e tre) Euro.

Aktiviteti kriminal i pastrimit të produkteve të veprës penale, rezulton se është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal, me pjesëmarrës shtetas shqiptar dhe të huaj, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal.

Personat pjesëmarrës të këtij grupi të strukturuar kriminal kanë përfituar vlera monetare të mësipërme, si produkte të veprës penale, duke marrë vlerat monetare nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet tërheqjes së vlerave monetare në cash.

Pas kryerjes së hetimeve dhe analizimit të provave, në datën 29.06.2024, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesën për caktimin e masës së sigurimit ndaj 8 shtetasve (shqiptarë dhe të huaj), të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale  “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose  veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 143/3, 287 gërma “a” dhe “b”, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 69, datë 12.07.2024, ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj tetë shtetasve me inicialet Dashamir Ymeraj, G. C.,Denisa Tollkuci, M. L., M. D., Ilir Dedja, Endrit Habilaj dhe Renardo Nallbani. 

Në krye të grupit të strukturuar kriminal qëndrojnë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”. Në datën 12.07.2024, Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit të ekzekutojë masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr. 69, datë 12.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Nënvizojmë se, Policia e Shtetit më datë 15.07.2024, ka vënë në dijeni Prokurorinë e Posaçme, për pamundësinë e ekzekutimit të masave të sigurimit personal ndaj shtetasve të mësipërm. Hetimet vijojnë me qëllim evidentimin e përgjegjësisë së personave të tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale.

Lajm ne perditesim....

SI.E./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Po lahej në lumin Drin, mbytet 13-vjeçari në fshatin Mjedë

Shkodër/ Po lahej në lumin Drin, mbytet 13-vjeçari në fshatin Mjedë