Indeksimi nuk mjafton, pensioni mesatar sa minimumi jetik, vetëm sa 25% e rrogës mesatare! Nëndeklarimi i pagave thellon hendekun paga-pensione

Pensionin mesatar në Shqipëri e ndan vetëm 265 lekë nga minimumi jetik. Me indeksimin prej 4.1% që do të pësojnë pensionet nga 1 tetori 2024, pensioni mesatar në vend do të rritet nga 18,341 lekë/muaj në 19.092 lekë në muaj.

Praktikisht rritja është me 24-25 lekë në ditë ose 751 lekë në muaj, duke bërë që me këtë indeksim pensioni mesatar të jetë vetëm 265 lekë më i lartë se kufiri i përllogaritur nga INSTAT prej 18,827 lekë/muaj për të mos u konsideruar i varfër. Pavarësisht këtij indeksimi, hendeku paga-pension mbetet i lartë. Pensioni mesatar pas këtij indeksimi është sa 47.5% e pagës minimale që ka vendi prej 40 mijë lekësh. Kjo diferencë është e më i lartë nëse marrin si referencë rrogën mesatare. Pagesa mujore e një pensionisti përllogaritet sa 25.4% e rrogës mesatare që në fund të qershorit ishte 75.114 lekë.

Pasojat e rënda të mos pagesës së plotë të kontributeve, si rezultat i pagave të nëndeklaruara kanë nisur të ndjehen në xhepat e moshës së tretë, të cilët po përballen me pensione të ulta, madje edhe më të ulta se pensioni mesatar. Pensionet e reja të lidhura në 2023-shin ishin mesatarisht 15,560 lekë ose sa 39% e pagës minimale, apo sa 20.7% e pagës mesatare të vendit. Logjikisht pensionet e reja duhet të dalin më të larta, për shkak të rritjes së shpejtë të pagave në dekadën e fundit dhe detyrimit për t’i deklaruar të plota në bankë, e që duhet të sillte formalizim e pagesë të drejtë të kontributeve nga punëdhënësi, por në fakt nuk është dhënë efekti i pritshëm.

Për shkak të vlerës së ulët të kontributeve apo të mospagimit fare të tyre, me mijëra qytetarë që do dalin në pension rrezikojnë të kenë të ardhme të varfër.  Aktualisht në vend marrin pension pleqërie 590 mijë qytetarë, por nga këto afro 50% ose 294 mijë marrin pension të pjesshëm, kjo për shkak të viteve të pakta të punës dhe kontributeve të ulta.

 

PENSIONET E REJA QË PO DALIN
Viti 2021           14,643 lekë mesatarja
Viti 2022           15,115 lekë mesatarja
Viti 2023           15,560 lekë mesatarja

 

PENSIONISTËT E PAGESAT MUJORE
Pensione pleqërie                 590,649 persona
Pension të plotë                    293,277 persona
Pension të pjesshëm             293,803 persona

 

PENSIONET MESATARE NË VEND
Pensioni mesatar                     18.341 lekë/muaj
Indeksimi                             4.1% ose +751 lekë
Pensioni mesatar nga tetori    19.092 lekë/muaj

 

PENSIONET VS MINIMUMI JETIK
Minimumi jetik      18.827 lekë
Pensioni mesatar     19.092 lekë
Diferenca                   265 lekë

 

PENSIONET PËRBALLË PAGAVE
Paga mesatare                 75.114 lekë/muaj
Pensioni mesatar             19.092 lekë/muaj
Diferenca                  25.4% ose -56,022 lekë/muaj

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Zinxhiri: 20/09/2024 20:06

    E perzute rinine me gjashtqinmije deri shtarqindmije per nje dekad e gjysme kjo rini ishte krah Pune dhe ishte kontribute ! Apo çe do rinine thuaj , nejse!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave