SHKODËR - Myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Këtë të shtunë (14 nëntor) ai është dërguar drejt Turqisë për trajtim mjekësor.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se 1 javë më parë në Turqi është dërguar dhe i ati i tij i cili është infektuar me COVID. Lidhur me infektimin e tij me virus ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta i cili me anë të një mesazhi i ka uruar shërim të shpejtë dhe që shpreson të kthehet sa më parë për të festuar 30-vjetorin e hapjes së Xhamisë së Plumbit

Ky është rasti i tretë i infektimit të drejtuesve fetarë në Shqipëri. Më herët janë infektuar Kryepeshkopi Anastas Janullatos dhe Arqipeshkvi George Frendo.

Të dy ata janë dërguar për kurim jashtë vendit, Janullatos në Athinë Greqi ndërsa Frendo në Itali, Bari.

Mësohet se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i janë përgjigjur pozitivisht trajtimit në spital.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:51
Myftiu i Shkodrës me COVID, Meta: I uroj shërim të shpejtë! Të kthehet sa më parë për të festuar 30-vjetorin e hapjes së Xhamisë së Plumbit

Presidenti Ilir Meta me anë të një mesazhi i ka uruar shërim të shpejtë Myftiut të Shkodrës Muhamed Sytari i cili ka rezultuar pozitiv me koronavirus dhe këtë të shtunë është dërguar drejt Turqisë për trajtim mjekësor.

"I uroj shërim sa më të shpejtë dhe shëndet të plotë, klerikut të nderuar, Myftiut të Shkodrës, Muhamed Sytari, i prekur nga COVID-19.
Ju bashkohem lutjeve të familjarëve, bashkëpunëtorëve dhe besimtarëve, që të kthehet sa më parë në krye të detyrës së tij të rëndësishme, për të festuar të gjithë së bashku, 30-vjetorin e hapjes së Xhamisë së Plumbit në Shkodër, kësaj ngjarjeje të shënuar për komunitetin mysliman dhe mbarë popullin shqiptar", shkruan Meta.

Ora 16:33
I infektuar me COVID-19, Imam Sytari reagim nga Turqia: Të jemi të vëmendshëm për fëmijët tanë

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili është dërguar për kurim në Ankara për shkak se është infektuar me COVID, nëpërmjet një reagimi në rrjetin social Facebook bën thirrje për të pasur vëmendje npër hir të fëmijëve dhe familjes.

Postimi i plotë i Muhamed Sytarit

Të dashur e të shtrenjtë vëllezër, miq, familjarë, dashamirë, kolegë, shokë të rrugëtimeve, qytetarë të zemrës, krejt të afërm të zemrës sime!

Jeta e kësaj bote është vendi i sprovave, me të cilat jemi ftuar të përballemi me durim dhe besim në Zotin tonë, që na do dhe na dhuron bekime edhe nëpërmjet sprovave. Sa ëmbël e pastër e thërret i sprovuari Zotin e tij, sa nuk ka penë ta përshkruajë madhështinë e thirrjes së zemrës së thyer para duarve të Krijuesit të saj...

Prej disa ditësh, po përballem me pasojat e covidit dhe, së bashku me të shtrenjtin Haxhi Babën tim, po ndjekim protokollet e kurimit, me shpresën e madhe në Allahun e Madhëruar, që të na nxjerrë faqebardhë e të veshë me rrobat e shërimit dhe shëndetit të plotë.

Tashmë, kjo situatë botërore nuk është më lajm, porse, me ndihmën e Zotit, e mira do e mundë të keqen dhe fidanet e të vepërmirëve do e mposhtin kiametin e nxitësve të tij!

Prandaj, të lutemi shumë dhe të jemi të vëmendshëm për fëmijët tanë, për familjen, miqtë dhe tokën tonë të shtrenjtë, Nanen tonë të përbashkët.

Jam i paaftë t'ju falënderoj emër për emër e shembull për shembull për çfarë keni bërë për mua, por ju garantoj se jam krenar me miqësinë tuaj, duatë, mesazhet, përkushtimet e gatishmërinë për të qenë dorë për dorë me ne në këtë sprovë familjare.