Shtrenjtimi i karburantit, energjisë dhe i ushqimeve në tërësi po shton dita ditës kostot për xhepin e qytetarëve. INSTAT thotë se inflacioni në muajin qershor i matur sipas metodës ndërkombëtare të Eurostat, ishte 6.6% nga 2.1% që ishte vjet.
Pavarësisht çmimeve në rritje, nga matjet e kryera me metodën e Eurostat, Shqipëria klasifikohet tek 5 vendet që kanë inflacionin më të ulët në Evropë.
Konkretisht në muajin qershor inflacioni në Evropë arriti në 9.6% që janë shifra rekord që rezultat direkt i luftës në Ukrainë. Estonia dhe Lituania janë dy shtetet ku produktet kanë pësuar shtrenjtimin më të madh ku inflacioni ka rezultuar përkatësisht në 22% dhe 20%.
Mes 31 shtetesh të listuara në raport, Shqipëria renditet në vendin e 27-të për nivelin e inflacionit, dhe më pas vjen Franca, Malta, Islanda dhe Zvicra me inflacionin më të ulët. Rritja më e lartë e çmimeve është regjistruar tek grupi i transportit me 15%, ndjekur nga “Ushqimet dhe pije joalkoolike” me 11,1 %, dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,5 %. Brenda grupit të ushqimeve vajrat dhe yndyrat kanë pasur shtrenjtimin më të madh me 30.9%, ndjekur nga buka dhe drithërat me 18.8% dhe bulmeti me 18.7%.
Këto janë tre grupet që kanë luhatjen më të lartë në çmime, në këtë krizë inflacioni që ka përfshirë Evropën dhe më gjerë, pasi lufta ka tronditur tregjet si pasojë e pozitave dominuese që kanë Rusia, Ukraina e Bjellorusia në produkte si karburanti, drithërat e vaji.
Komente








